Isme Humolli, zyrtare profesionale e emergjencave në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se situata aktuale me pandeminë në Kosovë është e njëjtë edhe me shtetet e rajonit dhe më gjerë. Ajo thotë se tani është një fazë e qetësisë, që është e favorshme dhe shpresëdhënëse. Megjithatë, Humolli thotë se ekziston rreziku i rritjes së rasteve, nëse nuk respektohen masat.
Radio Evropa e Lirë: Zonja Humolli, në Kosovë ditëve të fundit është zvogëluar dukshëm numri i rasteve të personave të prekur me COVID-19. Si e shihni gjendjen aktuale?
Isme Humolli: Faktikisht, gjendja aktuale në Kosovë është e njëjtë me gjendjen në shtetet e rajonit dhe më gjerë. Është një fazë e qetësisë, që është e favorshme dhe shpresëdhënëse, por në këtë rast nuk guxojmë të lirohemi tepër, për shkak se mundësia e rikthimit të rasteve është shumë e madhe dhe një mundësi e tillë ekziston.
Një shembull konkret e kemi Anglinë, e cila për një periudhë disamujore kishte rënie enorme të rasteve, mirëpo ditëve të fundit po shihet se rastet janë rritur.
Andaj, kjo është shpresëdhënëse, është diçka jashtëzakonisht e mirë, por ne si qytetarë duhet të vazhdojmë t’i respektojmë masat parandaluese dhe kontrolluese.
Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, çka ka ndikuar në uljen e numrit të rasteve?
Isme Humolli: Numri i rasteve ka rënë për shkak të ngritjes së vetëdijes së qytetarëve dhe masave restriktive dhe atyre kontrolluese: vendosja e maskës, respektimi i distancës dhe mosgrumbullimi i një numri të lartë të njerëzve në ambiente të mbyllura. Këta janë tre faktorë të cilët ndikojnë shumë. Nëse këtyre ua shtojmë edhe komponentin e vaksinimit, atëherë duhet të shpresojmë, dhe është një indikator pozitiv që brenda një kohe, numri i rasteve do të bie dhe do të jetë stabil. Pra, do të jetë një rënie më e qëndrueshme.
Radio Evropa e Lirë: Si e keni parë procesin e vaksinimit që është zhvilluar deri tash. A mendoni se do të ketë vaksina të mjaftueshme në muajt në vijim?
Isme Humolli: Vaksinimi që është duke u zhvilluar është rezultat i një pune të përbashkët të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, UNICEF-it dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ku kemi arritur të sigurojmë një sasi të konsiderueshme të vaksinave përmes mekanizimit të COVAX-it.
Nëse kësaj ia shtojmë edhe nënshkrimin e marrëveshjes së Ministrisë së Shëndetësisë (me kompaninë Pfizer), atëherë mund të themi se për një kohë, Kosova do të ketë vaksina të konsiderueshme për vaksinimin e qytetarëve.
Është një proces që është duke vazhduar, ndoshta jo me numrin e dëshiruar të të vaksinuarve, por që është stabil dhe ky proces pritet të rritet me vaksinimin masiv, proces të cilin, ministria veç e ka proklamuar që do të fillojë më 15 qershor të këtij viti.
Radio Evropa e Lirë: A duhet të përshpejtohet procesi i vaksinimit?
Isme Humolli: Procesi i vaksinimit dhe shpejtësia e këtij procesi varet nga sasia e vaksinave që i kemi dhe nga përgjigja e popullatës. Ideja është që sa më shumë persona të vaksinohen për një kohë sa më të shkurtër. Nëse pas 15 qershorit, (autoritetet e Kosovës) arrijnë ta përshpejtojnë procesin, atëherë duhet të jemi të kënaqur dhe rezultatet do të jenë evidente.
Radio Evropa e Lirë: Edhe sa vaksina pritet të vijnë në Kosova nga programi COVAX dhe të cilës kompani farmaceutike do të jenë?
Isme Humolli: Nga COVAX-i pritet të vijë edhe sasia e mbetur e AstraZenecas. Nëse nuk gaboj, COVAX-i ka sjellë të gjithë sasinë për Pfizer. Tash ka mbetur, nëse nuk gaboj, edhe një sasi prej përafërsisht 40 mijë dozave të AstraZenecas. Kjo me siguri nuk do të jetë sasia dhe kontingjenti i fundit, por do të bëjmë përpjekje që ta përkrahim Kosovën edhe me sasi të tjera.
Radio Evropa e Lirë: Qeveria ka lehtësuar dukshëm disa nga masat parandaluese kundër koronavirusit. Si mendoni, a është normale kjo gjë?
Isme Humolli: Zbutja e masave, por jo largimi i tërësishëm i tyre është i pranuar dhe normalisht, në bazë të zhvillimit të situatës epidemiologjike ato sërish mund të ashpërsohen apo edhe mund të zbuten edhe më shumë.
Radio Evropa e Lirë: Pritet në Kosovë që të kthehet mërgata, por edhe rifillimi i organizimit të ahengjeve të ndryshme. A mund të ketë rrezik të ri për përhapjen e COVID-19?
Isme Humolli: Nëse numri i pjesëmarrësve në ahengje, dasma dhe ndeja të ndryshme është i lartë, ku nuk respektohet distanca dhe rekomandimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, me siguri se do të kemi rritje (të rasteve me COVID-19).
Radio Evropa e Lirë: A ekziston rreziku nga vala e re e infektimeve?
Isme Humolli: Nëse nuk respektohen masat, nëse nuk vazhdojmë që secili prej nesh të japë kontributin në këtë aspekt, ekziston rreziku që të kemi rritje të rasteve. Ta rikujtojmë, vitin e kaluar në Kosovë numri i rasteve është rritur diku në shtator-tetor, kur i tejkaluam kapacitetet spitalore. Kështu që, rreziku ekziston çdoherë për aq sa ekziston burimi i infeksionit dhe rastet aktive.
Në Kosovë, numri i rasteve aktive edhe pse ka rënë dukshëm, këto raste janë burim i infeksionit dhe potencialisht paraqesin rrezik për popullatën e ndjeshme dhe të shëndosh.
Facebook Forum