Byroja Shtetërore e Hetimeve të Ukrainës (DBR) thotë se ish-ligjbërësi ukrainas, Vadym Rabinovych, i cili aktualisht ndodhet jashtë vendit, dyshohet për “tradhti të lartë”.
Sipas DBR-së, Rabinovych, i cili përfaqësonte në parlament partinë pro-ruse opozitare Platforma, “përhapi propagandë anti-ukrainase midis popullsisë ukrainase dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian”, në përpjekje për ta ndihmuar Rusinë “t’i arrijë synimet e saj politike dhe ushtarake në Ukrainë”.
Një ditë më parë, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU) tha se një tjetër ish-ligjbërës miqësor ndaj Rusisë, Yevhen Murayev, ishte gjithashtu i dyshuar për “tradhti të lartë”.
Murayev, 46 vjeç, është gjithashtu aktualisht jashtë Ukrainës. Sipas SBU-së, Murayev përdori kanalin e tij televiziv Nashi, i cili tani është i ndaluar në Ukrainë, për ta promovuar propagandën ruse.
Disa javë para se Rusia të niste pushtimin e saj të paprovokuar të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, inteligjenca britanike e quajti Murayevin politikan miqësor ndaj Kremlinit që Moska mund të donte ta sillte në pushtet në Ukrainë.
Gjithashtu, më 25 korrik, një gjykatë në Kiev e dërgoi ligjvënësin Oleksandr Ponomaryov, i cili është gjithashtu një anëtar i OPZZH-së, në paraburgim me një akuzë për tradhti të lartë.
Hetuesit thonë se Ponomaryov bashkëpunoi me zyrtarë të imponuar nga Rusia në territoret e Ukrainës të pushtuara nga trupat ruse.
Skhemy, një projekt hulumtues i drejtuar nga Radio Evropa e Lirë, zbuloi më herët se Ponomaryov ka pasur nënshtetësi ruse për të paktën 18 vjet.
Në maj, SBU-ja njoftoi se një tjetër anëtar i OPZZH-së, ish-deputeti Oleh Voloshyn, dyshohej për tradhti të lartë. Voloshyn u largua nga Ukraina për në Rusi pak para se Moska ta fillonte pushtimin e Ukrainës vitin e kaluar.
Në qershor të vitit 2022, një gjykatë në Ukrainë ndaloi OPZZH-në, që u themelua dhe drejtohet nga Viktor Medvedchuk, që thuhet se ishte kumbari i vajzës së presidentit rus, Vladimir Putin.
Medvedchuk u arrestua në vitin 2021 me akuzën e tradhtisë dhe financimit të terrorizmit dhe më vonë u vendos në arrest shtëpie me kusht.
Menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e saj, Medvedchuk i shpëtoi arrestit shtëpiak, por u arrestua sërish në prill ndërsa përpiqej të ikte në Rusi.
Në shtator, autoritetet ukrainase e dorëzuan politikanin 68-vjeçar në Rusi në një shkëmbim të burgosurish.