Ish-kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, është dënuar me tri vjet burgim të shtunën, nën akuzat për korrupsion, të cilat i mohon.
Një gjykatë në Islamabad e shpalli atë fajtor për mosdeklarimin e parave që i kishte fituar përmes shitjes së dhuratave shtetërore, raportoi televizioni shtetëror pakistanez më 5 gusht.
Khan nuk ishte i pranishëm në Gjykatën e Lartë të Islamabadit kur u mor vendimi për dënimin e tij.
Gjykatësi urdhëroi që Khan të arrestohet menjëherë. Avokati i tij, Intazar Hussain, tha për Reuters së ish-kryeministri është dërguar në paraburgim nga shtëpia e tij në Lahore.
Ekipi ligjor i Khan ka thënë se do të ankohet ndaj vendimit. Ndërsa, Khan i ka cilësuar akuzat si të motivuara politikisht.
“Është e rëndësishme të përmendet se nuk na u dha asnjë mundësi t’i paraqesim dëshmitarët, e as kohë për t’i mbledhur argumentet tona”, tha një anëtar i ekipit të tij mbrojtës.
Ai po përballet me mbi 150 raste të cilat u ngritën kundër tij qëkur u rrëzua nga pushteti në prill të vitit 2022.
Kjo është një goditje e re ndaj përpjekje të Khanit për t’u kthyer në pushtet.
Qëkur u rrëzua nga pushteti në një votim të mosbesimit në Parlament, Khan është përballur me raste ligjore vazhdimisht.
Ai akuzohet për korrupsion, terrorizëm dhe nxitje të dhunës gjatë protestave vdekjeprurëse në maj, në të cilat përkrahësit e tij i sulmuan pronat e Qeverisë dhe ushtrisë nëpër vend.