Policia në Islamabad është përleshur të shtunën me mbështetësit e ish-kryeministrit pakistanez, Imran Khan, teksa ai ka arritur në këtë qytet për t’u paraqitur në gjykatë.
Policia ka thënë se mbështetësit e Khanit kanë gjuajtur gurë dhe kanë lëshuar gaz lotsjellës afër kompleksit të gjykatës.
Khan është duke u paraqitur në gjykatë për t’u përballur me akuzat se ka shitur dhuratat shtetërore sa ka qenë në pushtet – pretendime të cilat ai i ka hedhur poshtë.
Pas nisjes së tij për në kryeqytetin pakistanez, policia e ka bastisur shtëpinë e tij në Lahore.
Më herët gjatë javës, policia në Lahore ka tentuar ta arrestojë Khanin, meqë ka munguar në gjykatë, dhe zyrtarët janë përleshur me mbështetësit jashtë shtëpisë së tij.
Khan beson se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht, mirëpo ka thënë se do të marrë pjesë në proces gjyqësor, “sepse beson në sundim të ligjit”.
Agjencia e lajmeve AFP, ka thënë se në Islamabad janë të angazhuar mbi 4.000 zyrtarë policorë, ashtu që të garantohet siguria.