Ndërlidhjet

Iranianët druhen se "lufta po vjen" pas sulmit të Teheranit kundër Izraelit


Mbështetësit e Iranit e djegin një flamur të pikturuar izraelit, në Teheran, më 2 tetor, gjatë një tubimi për të mbështetur sulmin raketor ndaj Izraelit një ditë më parë.
Mbështetësit e Iranit e djegin një flamur të pikturuar izraelit, në Teheran, më 2 tetor, gjatë një tubimi për të mbështetur sulmin raketor ndaj Izraelit një ditë më parë.

Qindra njerëz festuan në rrugët e Teheranit pasi Irani kreu sulmin më të madh ndonjëherë kundër Izraelit më 1 tetor.

“Ky sulm tregoi fuqinë dhe autoritetin e Iranit”, tha Abbas për Radion Farda të Radios Evropa e Lirë (REL), i cili ishte në mesin e turmës që festoi në kryeqytetin iranian.

Por, shumë iranianë, të cilët folën për Radion Farda, shprehën frikë nga hakmarrja ushtarake e Izraelit dhe nga mundësia e një lufte të përgjithshme me Izraelin.

“Ka muaj që jetojmë me frikë dhe trysni”, tha Naghmeh, banor i Teheranit. “Tani e shikojmë qiellin për të parë se kur do të sulmojë [Izraeli]”.

Izraeli zotohet për hakmarrje pas sulmit raketor nga Irani
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:55 0:00

Izraeli është zotuar për përgjigje të ashpër ndaj sulmit të madh raketor që Irani e kreu ndaj tij më 1 tetor.

Sulmi i 1 tetorit ishte më i madh dhe më i guximshëm se sulmet e papritura të Iranit kundër Izraelit në prill, kur Teherani kishte lëshuar qindra dronë dhe raketa ndaj armikut të vet të përbetuar. Izraeli iu përgjigj duke goditur një sistem radari të mbrojtës ajror në qytetin qendror iranian, Isfahan.

Ekspertët kanë paralajmëruar se Izraeli do të përgjigjet shumë më ashpër këtë herë. Mediat, ndërkohë, kanë raportuar se Izraeli mund t’i godasë objektet bërthamore të Iranit, apo infrastrukturën e tij kritike, gjë që i ka alarmuar iranianët.

“Këtë herë, gjasat për një luftë janë më të mëdha”, tha për Radion Farda Parastu, gazetare nga Teherani.

Ajo tha se shumë iranianë kanë rezervuar ushqime dhe barna pas sulmit të Iranit në Izrael. Në pikat e karburanteve në qytet janë krijuar radhë të gjata të pritjes, sipas saj.

"Njerëzit jetojnë me frikë"

Maryam, e cila ishte dëshmitare e sulmeve raketore të Iranit kundër Izraelit më 1 tetor, tha se iranianët e zakonshëm do ta “paguajnë më së shtrenjti”.

“Derisa zyrtarët dhe familjet e tyre jetojnë në paqe, populli jeton me frikë”, shtoi ajo.

Alireza tha për Radion Farda se e ka menduar shitjen e pasurisë dhe largimin jashtë vendit, sepse “duket sikur këtë herë, lufta po vjen”.

Një grua iraniane mbush makinën e saj me karburant në një pikë karburanti pas sulmit me raketa në Izrael, në Teheran, më 1 tetor.
Një grua iraniane mbush makinën e saj me karburant në një pikë karburanti pas sulmit me raketa në Izrael, në Teheran, më 1 tetor.

Disa iranianë me të rinj, të cilët folën për Radion Farda, nuk dukeshin të merakosur nga mundësia e shpërthimit të luftës. Kjo e ka befasuar brezin e iranianëve të cilët e përjetuan luftën shkatërruese mes Iranit dh Irakut në vitet 1980-1988.

“Ata nuk i kuptojnë luftën dhe pasojat e saj”, tha Fereshteh, i cili është nga provinca Khuzestan, njërën prej zonave më të goditura gjatë luftës me Irakun.

“Duket sikur do të shpërngulemi përsëri”, shtoi ai.

Frika nuk i ka kapluar vetëm iranianët.

Pjesëtarët e komunitetit afgan në Iran, disa prej të cilëve ikën nga sundimi taliban në Afganistan, frikësohen se mund të detyrohen të largohen nga republika islamike.

“Ne nuk kishim zgjidhje tjetër pos të iknim nga Afganistani dhe të vinim në Iran, nga frika për jetën tonë. Por, sot, rritja e tensioneve mes Iranit dhe Izraelit lë të kuptohet se rajoni është buzë luftës”, tha aktivistja për të drejtat e grave afgane, Halima Pazhwak, për Radion Azadi të Radios Evropa e Lirë.

“Ne nuk e dimë se nga t’ia mbathim prej këtu”, shtoi ajo.

Përgatiti: Ekrem Idrizi
Shkruar nga Kian Sharifi duke u bazuar në raportimin e Radios Farda dhe Radios Azadi. Emrat e plotë të personave që kanë folur për Radion Farda nuk janë bërë të ditura për sigurinë e tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG