Ndërlidhjet

Weber: Nëse nuk u pajtuan për Asociacionin, nuk patën marrëveshje


Bodo Weber, ekspert për Ballkanin. Fotografi nga arkivi.
Bodo Weber, ekspert për Ballkanin. Fotografi nga arkivi.

Mungesa e një dakordimi të qartë në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë do të thotë se nuk pati ndonjë përparim në bisedimet midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të mbajtura më 27 shkurt në Bruksel, thotë eksperti për Ballkanin, Bodo Weber, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Dy udhëheqësit thanë se janë pajtuar me përmbajtjen e një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk e nënshkruan atë.

Propozimi i BE-së, i titulluar Marrëveshje drejt normalizimit Kosovë-Serbi, kërkon mes tjerash që palët t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, të cilin Kosova, deri më tash, ka refuzuar ta themelojë.

Zyrtarë të BE-së, që ndërmjetësuan bisedimet, paralajmëruan takime të reja midis Kurtit dhe Vuçiqit për modalitetet e zbatimit të Marrëveshjes.

Pikërisht kjo, sipas Weberit, bashkëpunëtor i lartë i Këshillit për Politikat e Demokratizimit në Berlin, është indikator se në takimin e 27 shkurtit nuk kishte progres drejt arritjes së një marrëveshjeje finale, “por vetëm shtyrje të mosmarrëveshjeve për t’u diskutuar me aneksin e zbatimit”.

Radio Evropa e Lirë: Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. A e prisnit këtë rezultat dhe çfarë mendoni për të?

Bodo Weber: Unë do të thosha dy gjëra... Së pari, për shkak të presionit të kryeqyteteve perëndimore - të përfshira në negociata dhe që e mbështesin propozimin - për Beogradin, e aq më tepër për palën kosovare, nuk ishte e papritur që shefi i politikës së jashtme të BE-së, Joseph Borrell, deklaroi mbrëmë [se ka pasur] sukses. Dhe, së dyti, si çdo gjë me këtë propozim dhe marrëveshje, që duket goxha e paqartë, edhe deklarimi [se ka pasur] progres, dukej shumë i paqartë.

Ju mund ta keni vërejtur se zoti Borrell nuk po fliste për arritjen e një marrëveshjeje, por thoshte se palët kanë rënë dakord që të mos negociojnë më tej për Marrëveshjen [drejt normalizimit Kosovë-Serbi], por t’i vazhdojnë negociatat për aneksin e zbatimit. Ndërsa, nëse e dëgjoni deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit - as që mund të dëgjohej [duke thënë] se është arritur marrëveshje.

Radio Evropa e Lirë: Teksti i propozimit evropian është publikuar të hënën. Në përgjithësi, kush mendoni se përfiton më shumë nga propozimi siç është, nëse zbatohet?

Bodo Weber: Po, teksti është publikuar. Është pak a shumë identik me versionet e mëparshme që kanë dalë, me përjashtim të disa detajeve që janë interesante. Është e vështirë të vlerësohet se kush do të përfitojë në fund, për shkak të karakterit të kësaj marrëveshjeje.

Kjo është një formë e marrëveshjes së ndërmjetme. Është një largim nga plani dhe qasja e mëparshme e BE-së dhe e SHBA-së për të negociuar drejtpërdrejt për një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse.

Ka disa elemente, veçanërisht në nenin 6, për vazhdimin [e dialogut] që duhet të çojë në zgjidhjen e mëtejme të çështjeve të pazgjidhura, çështjeve të mbetura - përfshirë çështjet dypalëshe - dhe që duhet të çojë në një marrëveshje përfundimtare ligjërisht të obligueshme. Por, nuk ka një masterplan të qartë të shkruar për rrugën përpara.

Pra, është shumë e vështirë të kesh vërtet besim se kjo marrëveshje e përkohshme do të nënkuptojë me të vërtetë një përparim të madh dhe përfundimisht do të çojë në një marrëveshje përfundimtare, e cila do të përfshinte njohjen zyrtare ligjore të Kosovës nga Serbia. Pra, pyetja është: [çfarë do të ndodhë] në rast se kjo nuk do të çojë në pikën përfundimtare të synuar?

Duhet të rikujtojmë se një qasje e tillë ka qenë në thelb të dialogut fillestar politik më 2012 -2013. Por, BE-ja dhe SHBA-ja, në atë kohë, kanë demonstruar se nuk kanë vullnet politik dhe kapacitete për të udhëhequr një proces kaq afatgjatë.

Dhe palët lokale [Kosova dhe Serbia], në fund, e kanë shfrytëzuar boshllëkun strategjik, për ta minuar dhe përmbysur procesin dhe për ta bërë atë të funksionojë për to, por jo për ta bërë atë të funksionojë në drejtim të një zgjidhjeje të qëndrueshme.

Pra, në këtë drejtim, nëse ky proces nuk do të çojë në një zgjidhje të qëndrueshme, atëherë patjetër do të jetë Beogradi ai që do të përfitojë në afat të gjatë, duke manovruar BE-në dhe SHBA-në në një afat më të gjatë.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e Kosovës e ka trumbetuar këtë plan si fitore, pasi që, sipas saj, ka marrë një njohje de facto nga Serbia. Këtë e kanë konfirmuar edhe zyrtarë të BE-së. Çfarë mendoni për këtë?

Bodo Weber: Në njëfarë mënyre, ne mund ta shohim këtë si përparim në kuptimin e njohjes de facto. Teksti i [planit] qartazi po kopjon jo vetëm qasjen, por edhe formulimin nga Marrëveshja e dy Gjermanive e vitit 1972, e njohur si Marrëveshja bazë.

Dua të them se edhe krerët e qeverive dhe shteteve të Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në letrën e tyre të fundit dërguar kryeministrit Kurti, e kanë cilësuar këtë marrëveshje si marrëveshje bazë. Pra, kjo është qartazi qasja. Në këtë kuptim, po, Prishtina ka të drejtë. Por, duhet pasur parasysh se edhe Marrëveshja e prillit 2013 [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi] u cilësua në atë kohë si historike, pra si marrëveshja e djeshme. [U vlerësua në atë kohë] se ishte përfshirë një njohje de facto e Kosovës nga Serbia, por nuk çoi drejt një zgjidhjeje të qëndrueshme për kontestin e statusit.

Pra, mund të konkludohet se kjo marrëveshje, në kuptimin e një njohjeje de facto, në vetvete nuk përfaqëson një progres të vërtetë thelbësor, por do të varet nga ajo nëse do të ketë një vazhdimësi - deri në pikën e një marrëveshjeje përfundimtare dhe në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Radio Evropa e Lirë: A prisni një dialog të lehtë në ditët në vijim lidhur me aneksin e zbatimit të propozimit evropian?

Bodo Weber: Epo, sinqerisht, nëse dikush e sheh këtë formulim kundërthënës, nëse ka pasur vërtet një marrëveshje dje apo jo, të krijohet përshtypja se nuk ka pasur vërtet një marrëveshje, por se mosmarrëveshja për këtë propozim është zhvendosur te dialogu për aneksin e zbatimit.

Kjo ka të bëjë veçanërisht me çështjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe [në Kosovë] dhe çështjen e renditjes së zbatimit të kësaj marrëveshjeje të re të BE-së dhe marrëveshjeve të dakorduara më parë, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me Asociacionin.

*Video: Pesë gjëra që duhet t’i dini për Asociacionin


Radio Evropa e Lirë: A mendoni se mund të ketë pengesa në rrugën e implementimit? A besoni se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë një pikë thyerjeje në këtë marrëveshje?

Bodo Weber: Në lidhje me këtë, duhet parë edhe propozimi evropian dhe [përmbajtja] e aneksit të zbatimit. Pra, në këtë drejtim, dje nuk ka pasur një përparim. E, në veçanti, çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe mbetet pengesë. Dje nuk ka pasur shenja se palët janë më afër marrëveshjes për këtë çështje. Kështu, nëse nuk ka pasur marrëveshje për Asociacionin, dje, de facto, nuk ka pasur rezultat.

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket Asociacionit të komunave me shumicë serbe, a besoni se Kurti do ta ndryshojë apo do ta zbusë qëndrimin e tij për këtë çështje? A mendoni se kjo është një mundësi?

Bodo Weber: Sipas asaj që kryeministri Kurti e ka thënë, dje ka pasur një marrëveshje. Kjo marrëveshje përfshin gjithashtu referencë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme të dakorduara dhe kjo përfshin Asociacionin - marrëveshjen e prillit 2013 dhe marrëveshjen e vitit 2015 për Asociacionin.

Kështu që, në përgjithësi, është një ndryshim i kryeministrit Kurti dhe qëndrimit të [partisë së tij] Vetëvendosjes, në lidhje me Asociacionin. Por, për ta përsëritur, kjo do të ndodhë vetëm nëse do të ketë një marrëveshje për aneksin e zbatimit, që momentalisht nuk ekziston.

Radio Evropa e Lirë: Kurti është pyetur të hënën edhe në lidhje me Asociacionin dhe ai ka thënë se qëndrimi i tij për këtë nuk ka ndryshuar...

Bodo Weber: Po, siç thashë, nëse nuk ka marrëveshje mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq për Asociacionin, atëherë dje nuk kemi pasur marrëveshje.

Kemi parë edhe zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, sot në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe deklaratat e tij për Asociacionin, përfshirë përsëritjen se ka pasur qëndrime të qarta nga të dërguarit e mëparshëm të BE-së dhe nga SHBA-ja se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.

Në këtë moment, mbetet mjaft e paqartë, përfshirë edhe për mua, nëse ky është qëndrim i pranueshëm për Beogradin, në bazë të të cilit presidenti Vuçiq mund të pajtohet për aneksin e zbatimit, sepse nuk është qëndrim i deritanishëm i Beogradit.

Radio Evropa e Lirë: Ju e keni kritikuar publikisht propozimin evropian, veçanërisht për sa u përket përfitimeve të nënkuptuara për Kosovën, siç është ndryshimi i pozicionit të pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin Kosovën - Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja. A mund ta shtjelloni këtë?

Bodo Weber: Dua të them që vetë karakteri i një marrëveshjeje të përkohshme, që nuk prek çështjen e njohjes formale të Kosovës nga Serbia, krijon shumë komplikime në këtë marrëveshje, veçanërisht në përfitimet për Prishtinën - shumica e të cilave mbeten garanci dhe premtime të karakterit gojor, e jo garanci të shkruara në vetë marrëveshjen që është publikuar mbrëmë.

Dhe, një nga problemet është çështja e aspiratës së Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe aspiratat e saj për integrim në BE. Natyrisht, ky lloj marrëveshjeje nuk mund të përfshijë asnjë garanci të shkruar, se pesë mosnjohësit apo edhe një pjesë e tyre do të ndryshojnë qëndrim.

Megjithatë, përderisa ka indikacione se disa prej tyre - dy deri në tre - mund ta ndryshojnë pozicionin, është krejtësisht e paqartë nëse një ose dy, që nuk pritet ta ndryshojnë qëndrimin e tyre për njohjen [e Kosovës], do të pranojnë të paktën të japin dritën jeshile, për shembull, për statusin e kandidatit të Kosovës për anëtarësim në BE.

Plus, de facto, ka një mosnjohës të gjashtë, që është Hungaria me kryeministër Viktor Orbanin, e cila mund ta bllokojë lehtësisht rrugën e Kosovës drejt BE-së, pa e thënë hapur se kjo është bërë në mbështetje të Beogradit.

Pra, kur marrëveshja flet për atë që asnjëra palë nuk duhet ta bllokojë rrugën e tjetrës në BE, nuk mund të shoh se si mund të matet dhe verifikohet kjo, nëse presidenti Vuçiq përdor marrëdhënien e tij speciale me kryeministrin hungarez, Orban, për ta bllokuar rrugën e Kosovës drejt BE-së.

Ne kishim formulim pothuajse identik në marrëveshjen e prillit 2013. Dhe, siç theksoi sot [e martë] zëvendëskryeministri Bislimi, Serbia e ka shkelur atë marrëveshje.

Pra, është e rëndësishme kur plani i tanishëm krahasohet me draft-versionet e mëparshme të marrëveshjeve që kanë rrjedhur. Kjo marrëveshje, ajo autentike që është publikuar mbrëmë, nuk flet si në draftet e mëparshme për atë se si Serbia do ta mbështesë aspiratën e mundshme të Kosovës për integrim në BE, por thjesht nuk do ta bllokojë. Kjo do të ishte diçka, që do të ishte e matshme, sepse Serbia do të ishte e detyruar që ta mbështeste praktikisht rrugën e Kosovës në BE. Por, në atë lloj formulimi, formulimi pasiv që flet për mosbllokim, kjo është pothuajse e pamundur të verifikohet nga BE-ja.

Radio Evropa e Lirë: Që nga viti i kaluar, zyrtarët e BE-së dhe SHBA-së kanë thënë se fundi i marsit mund të jetë një kohë e mirë për të pasur rezultate të prekshme në dialogun Kosovë-Serbi, për hir të asaj që dy vendet të kenë një të ardhme në BE. A mendoni se kjo është e mundur të ndodhë?

Bodo Weber: Ne kemi parë një njoftim se Vuçiq dhe Kurti do të takohen përsëri me Borrellin, për të vazhduar negociatat për aneksin e zbatimit [të marrëveshjes] - mendoj gjatë udhëtimit të ardhshëm të zotit Borrell në rajon, përkatësisht në Maqedoninë e Veriut, më vonë në mars.

Pra, duke pasur parasysh atë që diskutuam tani, se mosmarrëveshjet nuk janë zgjidhur, ato thjesht janë zhvendosur në kornizën e aneksit të zbatimit, është me të vërtetë e vështirë të parashikohet nëse një takim i vetëm do të mjaftojë për Beogradin dhe Prishtinën për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e mbetura thelbësore, përfshirë atë për Asociacionin.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG