Katër fëmijë dhe shtatë të rritur përbëjnë grupin e fundit të shtetasve kosovarë që janë rikthyer nga zonat e konfliktit në Siri.
Sipas të dhënave zyrtare, në total janë 78 fëmijë të rikthyer, ndërsa edhe 39 të tjerë vazhdojnë të mbesin në zonat e konfliktit.
Përderisa të rriturit e dyshuar për terrorizëm i nënshtrohen sistemit të drejtësisë, fëmijët që kthehen nga këto zona parashihen të integrohen në jetesë dhe shkollim të zakonshëm në zonat nga ata vijnë.
Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Arsimit dhe komunat janë trekëndëshi institucional, përgjegjës për rehabilitimin dhe integrimin e këtyre fëmijëve.
Ekspertët dhe organizatat e shoqërisë civile, përgjithësisht e kanë vlerësuar si pozitive punën e institucioneve në këtë aspekt, mirëpo kanë bërë thirrje për rritje të kapaciteteve profesionale për kujdesin ndaj tyre.
Ministria e Arsimit ka bërë të ditur se integrimi i këtyre fëmijëve në shkollim bëhet përmes një udhëzimi administrativ të vitit 2020, që përcakton formën e integrimit për të gjithë nxënësit e kthyer pas migrimit.
Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, tha për Radion Evropa e Lirë se integrimi i grupit të fundit të fëmijëve të rikthyer do të bëhet menjëherë dhe për shkak të numrit të vogël të tyre, “nuk do të ketë probleme sa i përket kapaciteteve të shkollave”.
Sipas tij, fëmijët që kanë braktisur shkollimin në tremujorin e parë të vitit shkollor vazhdojnë klasën e njëjtë, ndërsa ata në tremujorin e dytë ose të tretë kanë mundësi t’i nënshtrohen provimeve të klasës për të kaluar në klasën tjetër.
“Ka pasur raste të fëmijëve që kanë qenë të moshës 12 ose 13 vjeç, të cilët nuk e kanë kryer asnjë klasë. Është gjetur zgjidhje edhe për ata, janë futur në një sistem të arsimit të përshpejtuar, në mënyrë që në një periudhë optimale të arrijnë një nivel arsimor”, tha ai.
Pupovci nuk ka dhënë detaje lidhur me moshat të cilave u takojnë katër fëmijët e rikthyer, ndërkaq nga 74 fëmijët e rikthyer në vitin 2019, dhjetë prej tyre u takonin nivelit të kopshteve, pesë ishin parashkollorë, 25 në arsimin fillor dhe 34 nivelin e mesëm të ulët dhe të lartë të arsimit.
Grupi i fëmijëve të rikthyer më 17 korrik 2021 po qëndronin në kampin “Roj” në Siri. Në këtë kamp, sipas të dhënave publike, qëndrojnë fëmijë të moshave të ndryshme. Dymbëdhjetë për qind e fëmijëve vajza dhe 12 për qind e fëmijëve djem janë të moshave pesë deri në 11 vjeç.
Çfarë duhet të bëjnë institucionet për të rikthyerit?
Që nga viti 2014, organet e drejtësisë në Kosovë po i ndjekin penalisht të gjithë personat që dyshohen se në kapacitete të ndryshme kanë qenë të përfshirë në luftën në Siri dhe organizata terroriste.
Gjashtë burra dhe një grua, që u kthyen të shtunën në Kosovë, po mbahen në ndalim policor si të dyshuar për këto vepra.
Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), tha se duhet pasur kujdes me trajtimin e të rikthyerve duke vënë në fokus fillimisht edhe luftimin e ideologjisë që këta persona i shtyu të shkojnë në zonat e luftës.
“Një ndër arsyet pse kanë shkuar ka qenë edhe ideologjike. Rreziku më i madh nga këta persona është që këta kanë mund të qenë të radikalizuar edhe në momentin e kthimit të tyre në Kosovë”, tha ai.
Sipas tij, momentalisht është e vështirë të jepet një prognozë nëse programet e rehabilitimit për këta persona kanë qenë të suksesshme, pasi që nga viti 2014, “rrethanat e radikalizimit kanë ndryshuar dukshëm”.
Sa i përket të integrimit të fëmijëve të kthyer në Kosovë, sipas Vrajollit, shoqëria ka luajtur një rol pozitiv në këtë proces.
“Edhe komuniteti në përgjithësi ka qenë mjaft sensitiv ndaj rëndësisë që këta persona të mirëpriten në komunitet”, tha Vrajolli.
Megjithatë, punën e institucioneve kosovare në integrimin e të kthyerve nuk po e sheh si shumë të mirë sociologu i religjionit, Ismajl Hasani.
“Institucionet nuk janë të gatshme fare të bëjnë diçka të mirë me këta njerëz. Me këtë njerëz duhet të punojnë njerëzit e profesionit. Paraprakisht duhet të diagnostikohen me shkallën e traumës që e kanë përjetuar”, tha Hasani për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Hasanit, duhet të punohet ngushtë edhe me komunitetin për të larguar të gjitha mundësitë e stigmatizimit të personave të rikthyer, përfshirë fëmijët.
Grupi militant, Shteti Islamik, i cili në një kohë ka pushtuar territore në Siri dhe Irak, është deklaruar i mposhtur në vitin 2019, por mijëra shtetas të huaj që kanë luftuar përkrah tij, si dhe familjarë të tyre, kanë mbetur në zona të luftës.
Që nga shpërthimi i konfliktit në Siri dhe Irak, në vitin 2011, rreth 400 kosovarë kanë udhëtuar drejt këtyre vendeve.
Në muajin prill të vitit 2019, institucionet e Kosovës, të ndihmuar nga autoritetet amerikane, riatdhesuan një grup prej 110 kosovarësh, duke përfshirë katër luftëtarë të huaj, 32 gra dhe 74 fëmijë.
Facebook Forum