Ndërlidhjet

Inspektorati po shqyrton pjesëmarrjen e pjesëtarëve të Policisë në takim me Vuçiqin


Logoja e Policisë së Kosovës.
Logoja e Policisë së Kosovës.

Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë të premten, 25 mars, për Radion Evropa e Lirë, se është duke shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Më 22 mars, Vuçiq është takuar me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, me të cilët ka biseduar për moslejimin që zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të 3 prillit të mbahen në Kosovë.

Vuçiq ka pretenduar se të premten, 25 mars, pritet të shkarkohen “të gjithë komandantët dhe policët serbë” të cilët kanë marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Sipas tij, shkarkimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës do të bëhen me urdhër të (v.j., kryeministrit të Kosovës, Albin) Kurtit, dhe se sipas tij, shefi i ekzekutivit kosovar ka vendosur “që të sulmojë serbët”.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka njoftuar më 24 mars se ka suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq, por institucionet e Kosovës nuk kanë konfirmuar se suspendimi i saj ka ardhur pasi ajo ka marrë pjesë në takimin me Vuçiqin në Beograd.

Sipas Ministres së Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu - e cila i ka bërë thirrje KGJK-së të marrë masa - veprime të tilla, sikurse pjesëmarrja e gjyqtares në takim me presidentin serb, “cenojnë integritetin profesional dhe moral të kryetarëve të gjykatave të Kosovës”.

Presidenti serb ka pretenduar se Stevanoviq është suspenduar po ashtu me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Albin Kurti e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe sipas vullnetit të tij dhe atyre që e mbrojnë, Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më”, ka thënë Vuçiq në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale.

Marrëveshja e Brukselit parasheh integrimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë në institucionet e Kosovës.

Vuçiq ka pretenduar se Kurti me këto veprime dëshiron që të prishë paqen në Kosovë.

Lidhur me suspendimin e Stevanoviqit ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke e cilësuar si "skandaloz" vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Zgjedhjet serbe do të mbahen më 3 prill. Kosova ka thënë se nuk ka arritur një marrëveshje me Serbinë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, pasi ka kërkuar që Qeveria serbe t’i drejtohet me kërkesë Qeverisë së Kosovës dhe të arrihet një marrëveshje për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve në Kosovë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Beogradi nuk ka pranuar që Qeveria e tij t’i dërgojë kërkesë ekzekutivit kosovar, por ka tentuar që këtë ta bëjë në nivel të zyrtarëve ndërlidhës.

Por, Vuçiq ka thënë se me këtë veprim, Kosova ka dashur që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës, gjë që është kundërshtuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Shtetet e Quint-it kanë shprehur "zhgënjim të madh" me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë.

Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG