Ndërlidhjet

Vuçiq thotë se Marrëveshja e Brukselit më nuk ekziston


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Beograd, 22 mars 2022.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë takimit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Beograd, 22 mars 2022.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se kryetarja e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Lilana Stevanoviq, është suspenduar me kërkesë të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti. Ai shtoi se të premten, më 25 mars, pritet të shkarkohen “të gjithë komandantët dhe policët serbë” që morën pjesë në një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, që u mbajt në Beograd më 22 mars.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës njoftoi më 24 mars se ka suspenduar Stevanoviqin, por institucionet e Kosovës nuk kanë konfirmuar se suspendimi i saj ka ardhur pasi ajo ka marrë pjesë në takimin me Vuçiqin në Beograd.

Lidhur me suspendimin e Stevanoviqit ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, duke e cilësuar si "skandaloz" vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Ndërkaq, sipas Vuçiqit, shkarkimet e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës më 25 mars do të bëhen me urdhër të Kurtit, dhe se sipas tij, shefi i ekzekutivit kosovar ka vendosur “që të sulmojë serbët”.

“Albin Kurti e ka shkelur Marrëveshjen e Brukselit dhe sipas vullnetit të tij dhe atyre që e mbrojnë, Marrëveshja e Brukselit nuk ekziston më”, tha Vuçiq në një video-mesazh të publikuar në rrjetet sociale.

Marrëveshja e Brukselit parasheh integrimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe policisë në institucionet e Kosovës.

Vuçiq pretendoi se Kurti me këto veprime dëshiron që të prishë paqen në Kosovë.

“Është ai që me këto vendime dëshiron të sulmojë popullin serb kudo që jeton”, tha ai, duke shtuar se Serbia dëshiron që ta ruajë paqen dhe se do t’i drejtohet për këto veprime shteteve të Quint-it dhe komunitetit ndërkombëtar.

Më 22 mars, Vuçiq u takua me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, me të cilët bisedoi për moslejimin që zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale serbe të mbahen në Kosovë. Pas atij takimi, u paralajmërua se në jug dhe veri të Mitrovicës, më 25 mars, serbët do të mbanin protesta.

Zgjedhjet serbe do të mbahen më 3 prill. Kosova ka thënë se nuk ka arritur një marrëveshje me Serbinë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, pasi ka kërkuar që Qeveria serbe t’i drejtohet me kërkesë Qeverisë së Kosovës. Por, Vuçiq ka thënë se me këtë veprim, Kosova ka dashur që Serbia ta pranojë pavarësinë e Kosovës, gjë që është kundërshtuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG