Vlera e produkteve nga Shqipëria, të importuara në Kosovë, është rritur për më shumë se 55 milionë euro në periudhën janar-shtator të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës, të siguruara nga Radio Evropa e Lirë, flasin edhe për rritje të eksporteve nga Kosova në Shqipëri - nga 77 milionë euro sa ishin në periudhën janar-shtator të vitit 2022, në 82 milionë euro gjatë së njëjtës periudhë të këtij viti.
Por, cila është arsyeja e rritjes së shkëmbimeve tregtare mes dy shteteve?
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, e lidh atë me ndalimin e produkteve të Serbisë në tregun e Kosovës.
Si rrjedhojë, thotë ai, bizneset e Kosovës janë orientuar nga produktet e Shqipërisë, për shkak të afërsisë gjeografike.
Qeveria e Kosovës i ka ndaluar pothuajse të gjitha importet nga Serbia qysh më 15 qershor, kur forcat serbe kanë arrestuar tre policë të Kosovës.
Ndërkohë që policët janë liruar për t’u mbrojtur në liri, masa e ndalesës së prodhimeve ka vazhduar.
Kosova importon shumicën e produkteve nga vendet fqinje dhe ato të Bashkimit Evropian.
Në vitin 2022, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave në vend, Kosova ka importuar produkte në vlerë mbi 5 miliardë euro, ndërsa ka eksportuar produkte në vlerë prej afër 1 miliard eurosh.
Barrierat Kosovë - Shqipëri
Ndër vite, Kosova dhe Shqipëria kanë arritur dhjetëra marrëveshje për thjeshtësimin e procedurave doganore dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik, por përfaqësuesit e bizneseve nga të dyja anët thonë se shumë prej tyre nuk zbatohen në praktikë.
Ata ankohen për një sërë barrierash - nga pritjet e gjata në kufi deri te skanimi i produkteve.
Bedri Kosumi, pronar i kompanisë “Pestova” që merret me prodhimin dhe përpunimin e patates, thotë se që 20 vjet eksporton në Shqipëri produktet “Vipa Chips”, ndërsa importon prej atje lëndën e parë.
Deri më të tash këtë vit, ai thotë se ka eksportuar në shtetin fqinj produkte në vlerë prej një milion eurosh.
“Për çdo eksport, autoritetet shqiptare kërkojnë kopjen e noterizuar të certifikatës së cilësisë së produktit. Skanimi i mauneve për të kontrolluar mallin brenda është i mundimshëm dhe i kushtueshëm - 22 euro pa nevojë. Kamionët ende presin me orë të tëra në kufi - gjë që ka kosto monetare dhe është shumë humbje kohe”, thotë Kosumi për Radion Evropa e Lirë.
Rafuna konfirmon se për noterizimin e certifikatës së cilësisë, ankesa në Odën Ekonomike të Kosovës ka edhe nga kompani të tjera.
Sipas tij, kjo kërkesë që bëhet nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit të Shqipërisë, është e padrejtë, pasi, siç thotë, autoritetet e Kosovës nuk ua kërkojnë një dokument të tillë kompanive të Shqipërisë.
Por, ankesa ka edhe prej tyre. Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve Shqiptarë, Alban Zusi, thotë për Radion Evropa e Lirë se, përkundër disa përmirësimeve të vogla, ka ende barriera që e pengojnë eksportin mes dy vendeve.
Si përmirësim, ai e konsideron heqjen e marrjes së lejes për produktet ushqimore nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e Kosovës - leje kjo e nevojshme deri para një viti.
Por, shton ai, çdo produkt me certifikatë veterinare në Shqipëri, duhet ta marrë një të tillë edhe në Kosovë dhe anasjelltas.
“Kjo certifikatë kushton 30 euro, kurse ka kompani që eksportojnë çdo ditë produkte ushqimore të freskëta”, thotë Zusi.
“Barrierë tjetër është koha, e cila do të duhej të ishte aq sa bën rruga, pra tri orë. Por, kjo mund të shkojë edhe në 24 orë, për shkak të kontrolleve, radhëve, faktit se nëse arrin pas orës 18:00, nuk i kryen dot procedurat [doganore] dhe shoferi i kamionit duhet ta presë mëngjesin e ditës së nesërme”, shton ai.
Zusi thotë se të gjitha dokumentet doganore dhe certifikata për produkte veterinare arrijnë shumën deri në 200 euro.
Radio Evropa e Lirë kërkoi koment nga Ministria e Tregtisë e Kosovës në lidhje me këtë temë, por ky institucion nuk u përgjigj.
Instituti për Hulumtime të Avancuara GAP, me seli në Prishtinë, ka bërë një sërë hulumtimesh për këtë çështje. Në vitin 2020, ai ka gjetur se bizneset kosovare paguajnë rreth dy milionë euro në vit vetëm për skanimin e mallit, përpara se të hyjnë në Shqipëri.
Sipas Rafunës, shumë pak gjëra kanë ndryshuar ndërkohë, ndërsa thotë se ka shumë hapësirë për bashkëpunim më të ngushtë mes dy vendeve.
Në një forum që u mbajt këtë javë në Gjakovë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se investimet direkte nga Shqipëria në Kosovë janë rritur në vitin 2022 në gati 80 milionë euro, nga mbi 15 milionë sa kanë qenë në vitin 2019.