Ndërlidhjet

Pse rritja e të hyrave në shtet s’është lajm edhe aq i mirë?


Dy institucionet e Kosovës nga të cilat varet mbushja e arkës së shtetit - Dogana dhe Administrata Tatimore - kanë shënuar rritje të të hyrave në muajt e deritashëm të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Deri më 22 gusht, Dogana ka arritur të mbledhë një miliard euro, duke tejkaluar shumën e vitit të kaluar për 71 milionë euro.

Ngjashëm edhe Administrata Tatimore - ka grumbulluar 515 milionë euro, apo 79 milionë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Për ushtruesin e detyrës së drejtorit ekzekutiv të ATK-së, Ilir Murtezaj, janë disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen e performancës së të hyrave tatimore.

“Rritja e llogaridhënies, e përgjegjësisë së stafit, pastaj kampanjat e shumta me të cilat po i bëjmë thirrje komunitetit të biznesit që t’i përmbushë detyrimet tatimore, si dhe automatizimi i shumë proceseve të punës”, veçon Murtezaj për Radion Evropa e Lirë.

Për njohësit e çështjeve ekonomike, ky nuk është ndër lajmet më të mira.
Buxheti i shtetit, sipas tyre, do të ishte më i qëndrueshëm sikur të mbushej nga sektori i prodhimit.

“Nëse Kosova ka nivel më të lartë të prodhimit vendor, kjo e shumëfishon qarkullimin e mjeteve brenda tregut të Kosovës - qoftë të parave që vijnë nga diaspora, qoftë të atyre të krijuara nga pagat në Kosovë”, thotë për Radion Evropa e Lirë Muhamet Mustafa, profesor i shkencave ekonomike në Prishtinë.

“Nëse importojmë gjithçka nga jashtë - qoftë ushqime apo komponentë për ndërtimin e banesave - ky efekt shkon në vendet prej ku importojmë, nuk mbetet në Kosovë”, thotë ai.

Kosova, prej vitesh, përballet me deficit të lartë tregtar - që do të thotë se importon më shumë sesa eksporton - përkundër zotimeve të autoriteteve se do ta forcojnë sektorin e prodhimit.

Si forcohet sektori i prodhimit?

Me reforma ekonomike, thotë Nagip Skenderi, profesor i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës.

Sipas tij, bizneset në Kosovë vazhdojnë të përballen me probleme të shumta, që i pengojnë të jenë konkurrente në tregjet ndërkombëtare.

Ai përmend këtu: tatimet e larta mbi vlerën e shtuar, normat e larta të interesit për kredi, konkurrencën e pabarabartë e të tjera.

“Kompanitë që arrijnë të eksportojnë, duhet të favorizohen, të mos paguajnë taksa doganore dhe të kenë një çmim konkurrues në tregun ndërkombëtar. Fuqizimi i industrisë prodhuese është bazë për rritje të buxhetit”, thotë Skenderi për Radion Evropa e Lirë.

Në këtë frymë u deklarua më herët për REL-in edhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Në bazë të informacioneve që ka, ai tha se bizneset në Serbi, Maqedoni të Veriut dhe disa vende të tjera në rajon, kanë politika më të mira fiskale dhe subvencionohen nga shteti.

“Energjia elektrike për prodhuesin në Kosovë nuk është e subvencionuar, ndërsa në vende të tjera kanë lehtësira. Në disa vende, prodhuesit janë të liruar edhe nga tatimet për ambalazhe, ndërsa në Kosovë nuk janë”, tha Rafuna.

Kosova importon shumicën e produkteve - nga mielli deri te materiali ndërtimor - prej shteteve fqinje dhe ato të Bashkimit Evropian. Kjo, me gjithë faktin se, sipas të dhënave zyrtare, ka rreth 2.400 kompani prodhuese.

Sa është vlera e importit?

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për muajin korrik tregojnë se, në krahasim me korrikun e vitit të kaluar, vlera e importit është rritur, ndërsa ajo e eksportit ka rënë.

Sipas tyre, vendi importoi mallra në vlerë prej 512 milionë eurosh në korrik, apo 10 milionë euro më shumë se në periudhën e njëjtë të 2022-ës. Vlera e eksportit, ndërkaq, ishte 67 milionë euro, apo 9 milionë euro më pak se një vit më parë.

Nga llogaritja e shifrave të Bankës Qendrore të Kosovës në pesë vjetët e fundit, del se vlera e mallrave të importuara ka arritur në dhjetëra miliarda euro.

Çfarë thotë Qeveria?

Në programin katërvjeçar të Qeverisë aktuale të Kosovës qëndron zotimi për orientimin e ekonomisë kah prodhimi dhe eksporti.

“Qeveria do t’i mbështesë bizneset në blerjen e makinerisë prodhuese dhe përpunuese, duke synuar digjitalizimin e procesit të përpunimit dhe rritjen e kapaciteteve përpunuese dhe prodhuese”, thuhet në program.

Në korrik, Ministria e Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë e Kosovës ofroi përkrahje financiare, në vlerë prej një milion eurosh, për blerjen e makinave prodhuese dhe përpunuese për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme prodhuese.

Qëllim i përkrahjes së këtyre bizneseve u tha se është rritja e investimeve, rritja e konkurrencës dhe hapja e vendeve të reja të punës.

Në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2023-2025 - dokument mbi bazën e të cilit hartohet buxheti - thuhet, po ashtu, se industria e prodhimit do të jetë prioritet.

“Prioritetet e Qeverisë për periudhën e ardhshme trivjeçare do të fokusohen në riorientimin e ekonomisë drejt prodhimit dhe eksportit, rritjes së punësimit të dinjitetshëm për të gjithë...”, thuhet, mes tjerash, në dokument.

Sipas parashikimeve në të, buxheti i shtetit për vitin 2024 do të jetë 3.2 miliardë euro, aq sa është edhe këtë vit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG