Përmes ekspozitës “Njohja e historisë, kulturës dhe letërsisë rome përmes artit”, aktivisti Ridvan Gashi po ia prezanton Kosovës historinë e komunitetit rom.
Në korniza të drunjta, Gashi vendosi 20 fotografi të shoqëruara me përshkrime dhe fakte të ekzistencës qindravjeçare të komunitetit rom.
Ekspozita u hap në qendrën Barabar, në Hotelin Grand në Prishtinë, në kuadër të Festivalit Multikulturor, që këtë vit mban moton “Festojmë ngjashmëritë tona”.
Mungesa e aktiviteteve që promovojnë kulturën e komunitetit rom shtyu Gashin të punonte për hapjen e ekspozitës.
“Kam filluar t’i mbledh disa materiale që i kemi pasur nëpër arkiva... të bëjmë një ekspozitë që tregon rrugëtimin një mijë vjeçar të romëve. Ekspozita përmban fakte të historisë, rrugëtimit, vendqëndrimit, gjuhës, adeteve (traditave) të komunitetit rom”, shprehet Gashi.
Ekspozita si kjo, Gashi thotë se ndikojnë në promovimin e kulturës, historisë dhe identitetit rom.
“Na quajnë një komunitet ardhacak e pa histori. Një komunitet që nuk ka shumë informata për të as te shqiptarët e as te serbët që jetojnë në Kosovë... dhe thonë që komuniteti rom nuk ka shtet amë, histori, gjuhë, traditë”, u shpreh ai.
“Sa më shumë aktivitete si ky, ‘aq më pak diskriminim”, thotë Gashi.
“Ëndërroj që një jo-rom të flasë gjuhën rome e të mos i vijë marre”
Ekspozita u vizitua nga shumë qytetarë të nacionaliteteve të ndryshme. Në mesin e tyre edhe profesori, aktivisti dhe aktori rom nga Prizreni, Edis Galushi.
Galushi tha se për historinë e komunitetit rom ka shumë keqkuptime në Kosovë, por që, sipas tij e ardhmja duhet t’i tejkalojë ato.
“Unë një ditë po ëndërroj që një jo-rom të flasë romënisht e të mos i vijë marre. Unë një ditë po ëndërroj që një jo-rom që ka jetuar me romët, me shumë krenari ta prezantojë një shok rom te shoqëria e tij, duke thënë që unë këtë e kam shok dhe krejt kjo është në rregull”, u shpreh Galushi.
Sipas tij, ekspozitat si kjo e Ridvan Gashit, tregojnë historinë e vërtetë të romëve.
“Bota e artit është botë shumë e mirë, me të cilën mundesh shumë lirshëm edhe masivisht, të komunikosh me publikun, e populli rom ka nevojë për një komunikim të tillë. Edhe duke e ditur që ekspozitat mund të kenë një target goxha të madh, janë jetike në promovimin e imazhit të denjë të romëve”, konsideron ai.
Galushi thotë se duhet bërë më shumë për ta ndryshuar qasjen ndaj kulturës rome, për të cilën thotë se është vlerë e një shteti.
Me shumë kujdes, 18 vjeçja Hatixhe Ademi, shikonte fotografitë dhe faktet e ekspozuara në qendrën Barabar.
Ato prezantojnë diskriminimin që u bëhet romëve, thotë ajo.
“Ekspozita me ka emocionuar shumë, sepse tregon realitetin se si ne jemi diskriminuar, gjykuar, dhe se si ka pasur padrejtësi ndaj këtij komuniteti”, thekson ajo.
Ajo thotë se ekspozita i dha motivim për të ngritur zërin edhe më shumë kundër padrejtësive.
“Ekspozita të tilla janë shumë të rëndësishme, sepse jo vetëm komuniteti rom, por të gjitha komunitetet në Kosovë kanë nevojë për inspirim, motivim”, shprehet Ademi.
Por, mosnjohja e kulturës dhe identitetit rom, nuk është problemi i vetëm me të cilin përballet ky komunitet. Romët paragjykohen dhe diskriminohen mes tjerash edhe në shkollim e punësim. Deri në eliminimin e këtyre padrejtësive, sipas Gashit, duhet angazhim më i madh institucional.
“Bota është e jona, komuniteti rom është gjithandej, nëse flitet për komunitetin rom edhe pse kemi emërtime pezhorative si: cigan, magjup, zingeri, gjipsi, ne prapë kemi mbetur romë”, thotë Gashi.
Organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare përgjatë viteve kanë kritikuar institucionet e Kosovës për mungesë angazhimi në luftimin e diskriminimit të komuniteteve joshumicë, përfshirë komunitetin rom.
Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Evropian në vitin 2023, vetëm rreth 50 për qind e pjesëtarëve të komunitetit rom e përfundojnë shkollimin e detyrueshëm nëntëvjeçar.
Ndërkohë, vetëm 7.3 për qind e grave rome janë të punësuara, në krahasim me shifrën prej 18.4 për qind nga numri i përgjithshëm i grave të punësuara në Kosovë.
Rezultatet e regjistrimit të fundit të popullsisë i kryer më 2024 ende nuk janë publikuar, por sipas regjistrimit të vitit 2011, Kosova kishte rreth 1.8 milion banorë.
Prej tyre, më shumë se 1.6 milion ishin deklaruar shqiptarë, rreth 25 mijë serbë, 19 mijë turq, 27 mijë boshnjakë, 9 mijë romë, 15 mijë ashkali, 11 mijë egjiptianë dhe 10 mijë goranë.