Lënia e punës në zyrë për ta punuar tokën, kthimi i qytetarëve nga diaspora për të jetuar në Kosovë, luftimi i shpyllëzimit duke përdorur dronët, mposhtja e paragjykimeve gjinore dhe etnike, si dhe kthimi i buzëqeshjes pas vitesh të përballur me dhunë.
Këto janë disa prej historive pozitive për të cilat raportuan gazetarët e Radios Evropa e Lirë gjatë vitit 2024, e të cilat i kemi përmbledhur në këtë artikull.
La punën në zyrë për t’i punuar tokat në Sharban
Kaltrina Rexhepi-Hasani, e cila punonte si ekonomiste në një kompani private në Prishtinë, vendosi ta linte këtë punë dhe të merrej me bujqësi.
Më 2021, ajo nisi kultivimin e bimës së livandës në fshatin Sharban, në periferi të Prishtinës.
Fillimisht e mbolli vetëm si ushqim për bletët, por tani edhe e shet në treg.
“Bletët shumë e duan livandën, non-stop e kullosin. Mjalti i livandës konsiderohet mjaltë mbretëror, dhe këtë e kemi mbjellë edhe për bletë dhe për ta shitur në treg”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.
Punët në fushë, Kaltrina zakonisht i kryen me bashkëshortin e saj, por gjatë verës i angazhon edhe anëtarët e tjerë të familjes.
Këtë vit, për herë të parë, produktet që ka kultivuar ka arritur t’i shesë tri herë në javë, në tregun mobil të Prishtinës.
“Produktin e marr direkt prej fushës, dhe e çoj atje [në treg] të freskët. Krejt produktet vilen një ditë më herët”, tha ajo.
Sot, Kaltrina ka mbi 150 koshere bletë, ka të mbjellë 40 arë me livandë, 80 arë me shalqi e pjepër, si dhe një sipërfaqe tjetër me speca, tranguj, domate, misër dhe fasule.
Përderisa Kaltrina synon të rrisë sipërfaqen e mbjellë, në Kosovë nuk është shumë i lartë numri i grave që merren me bujqësi.
Megjithatë, institucionet, përmes granteve të ndryshme dhe mbështetjes, janë përpjekur që të rrisin numrin e grave fermere.
“Shtëpi, e ëmbla shtëpi”
Së voni, Kosova është prekur nga ikja e të rinjve drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Por, tri vajza kanë vendosur që ta ndjekin lumturinë që ndienin në pushimet e fëmijërisë, dhe janë shpërngulur në Kosovë.
“Kur na pyesin pse jemi kthyer, ne themi që shkaku i energjisë këtu. Njerëzit nuk vijnë këtu për të gjetur pasuri”, tha njëra nga banoret e reja të Kosovës, Ariana Krasniqi.
Ajo ka lindur në Danimarkë. Kur mbushi shtatë vjet, vizitoi për herë të parë Kosovën dhe u takua me familjarët e saj në Prishtinë, dhe tha se vizita në Kosovë është “kujtimi më i rëndësishëm i fëmijërisë”.
Më 5 janar 2024, ajo vendosi të kthehej në Kosovë për të jetuar.
“Sa njerëzit e kërkojnë këtë lumturi edhe kur unë e dija se ku e kam këtë lumturi, pse të mos vija?! Ndoshta rroga është ndryshe, ama lumturia nuk krahasohet me asgjë”, tha ajo, duke shtuar se kur ishte në Danimarkë, kishte dëgjuar shpesh t’i thoshin se nuk ishte daneze, për shkak të prejardhjes së prindërve të saj.
“Në fund, e mora vesh që njëmend nuk jam dhe erdha këtu”, tha ajo.
Diellza Gjikolli, e lindur në Norvegji, po ashtu ka vendosur që pas përfundimit të gjimnazit të kthehej në Kosovë për të studiuar për psikologji.
“Plani ka qenë gjithmonë të kthehemi. Unë jam si karakter më e vendosur. Dhe, e kam parë që ka shumë ardhmëri në Kosovë. Jemi duke u ngritur si shtet dhe nëse vijmë këtu, mund të bëhemi pjesë e ndryshimit”, tha Diellza.
Ajo pranoi se në fillim ishte e vështirë për të qëndronte larg familjes, por ngrohtësinë që e ndiente në Pejë, ku ka familjarë, tha se e ndien edhe në Prishtinë.
Marigona Selimi kishte jetuar në Holandë për 19 dhe më pas në Angli. Ajo në Podujevë kishte familje të madhe, dhe babai i kishte folur gjithmonë për ta.
Që nga maji i vitit të kaluar, ajo ka vendosur që të kthehet në Kosovë. Ajo tani jeton në Podujevë, afër familjarëve të saj, ndërkaq në Prishtinë ka hapur sallonin e bukurisë, “Marigona’s Studio”.
“Prishtina të jep shumë mundësi. Kosova është shtet që ka nevojë për njerëz të rinj që hapin biznese e gjëra të tilla”, tha ajo.
Me dronë e fara, Prishtina lufton shpyllëzimin
Kosova humb çdo ditë tokë sa tri fusha futbolli. Kështu thuhet në të dhënat e organizatës Sustainability Leadership Kosova (SLK).
Për shkak të trendit të shpyllëzimit dhe frikës se Kosova do të mbetet pa pyje të shëndetshme, SLK-ja ka mbledhur të rinj për ta luftuar këtë fenomen, përmes mbjelljes së farave në Prishtinë.
Mbjellja e farave bëhet me dronë. Fillimisht, disa lloje farash kombinohen dhe topthat më pas hidhen me dronë.
“Me hedhjen e këtyre topthave jemi duke krijuar histori dhe jemi duke lënë një histori për të ardhmen tonë, dhe kjo na motivon. Na motivon fakti që kjo gjenerata jonë e re do të jetë më përgjegjëse sasa kemi qenë ne”, tha Indira Kartazolli nga SLK.
Farat do të mbillen në dy hapësira, gjithsej pesë hektarëshe, dhe toka me bar pritet të mbushet me drunj.
“Nervat m’i qetësojnë” - Bariu i Strellcit që la Zvicrën për dhentë e tij
Enver Kapitaj, 48-vjeçar, përkujdeset për afro 140 delet e tij pranë bjeshkëve të Strellcit, në Deçan.
Rreth 20 vjet më parë, ai vendosi që ta lërë Zvicrën, dhe u kthye në vendlindjen e tij, që të ishte më pranë dhenve dhe për ta vazhduar traditën familjare si barinj.
Por, kur u kthye në Kosovë pas përfundimit të luftës, familjes nuk i kishte mbetur asnjë dele nga tufa e saj.
“Kur jam kthyer, unë i kam kërkuar të miat. Nja tri copa [krerë delesh] që m’i kanë zënë gjatë luftës, m’i kanë falur. Atëherë, kam shkuar t’i blej 16 të tjera. Pastaj, kam shkuar duke vazhduar... duke i ndalur qengjat, duke i shitur, duke i ndalur, duke i shitur... Tash i kam gati 140”, tha ai.
Enveri tha se nuk beson se fëmijët e tij do ta vazhdojnë këtë traditë familjare.
Mbretëresha e bletëve: Lufta e 11-vjeçares nga Prishtina për ta mbrojtur Tokën
Jeta e Rozi Ukajt, 11-vjeçare nga Prishtina, është e pushtuar nga bletët. Asaj i ka mbetur në mendje një fjali e shkencëtarit Albert Einstein, i cili thoshte se nëse bleta do të zhdukej nga faqja e tokës, njeriut do t’i mbeteshin vetëm katër vjet jetë.
Dhe, që kur ka parë këtë thënie, ajo i ka vënë një qëllim vetes: të parandalojë testimin e këtij parashikimi, duke luftuar për lulëzimin e bletëve në Tokë.
Vitin e kaluar, Rozi dhe familja e saj shkuan në Krushë të Madhe të Rahovecit, dhe vizituan një bletari. Pas kësaj, ajo vazhdoi pareshtur që të hulumtojë për gjendjen e bletëve në Kosovë dhe botë.
“Sa më shumë që hulumtoja, e kuptoja më mirë rolin e rëndësishëm të bletëve. Po ashtu, kuptoja që bletët ishin në rrezik kudo në botë. Kjo, për shkak të ndryshimeve klimatike, përdorimit të pesticideve në bujqësi, ndërtimit të shpejtë dhe prishjes së habitateve të tyre”, rrëfeu Rozi.
Familja e Rozit ka vendosur që të investojë në disa koshere të bletëve në Krushë të Madhe, ndërsa në të ardhmen planifikon të investojë edhe në hapësira të tjera në Kosovë.
Edhe pse vetëm 11 vjeçe, Rozi tashmë e ka të qartë ëndrrën për të ardhmen: të bëhet arkitekte.
“Por, do të jem gjithmonë një aktiviste e bletëve”, tha Rozi, e cila e ka pasion edhe pianon, dhe ndjek klasën e pestë në shkollën e muzikës.
Pasioni për saldimin që thyen paragjykimet
Saldimi nuk është aspak punë e zakonshme për gratë në Kosovë. Por, Vatër Hyseni, nga Ferizaj, e ka zgjedhur pikërisht këtë profesion.
Ajo është inxhiniere e mekatronikës dhe gjatë studimeve u njoh edhe me procesin e saldimit, që iu shndërrua në pasion.
“Duhet të jemi të vëmendshëm ndaj gjërave që na pëlqejnë neve, dhe asaj se a është diçka që të përmbush ty si person. Për mua, saldimi është diçka shumë terapeutike, dhe është diçka që më përmbush jashtëzakonisht shumë”, tha Hyseni.
Familja e ka përkrahur këtë pasion të saj, por ajo është përballur me paragjykime. Madje, edhe vetë trajnuesit i kishin thënë se është punë burrash dhe jo për gra.
Për Vatër Hysenin, saldimi “është një art më vete”, pasi, sipas saj, nuk është vetëm punë e konstruksioneve për objekte të ndryshme.
Të luftosh diskriminimin përtej kujtimeve të fëmijërisë
Ergjan Mehmeti, nga Shtimja, është aktori i parë nga komuniteti ashkali që ka përfunduar studimet në Fakultetin e Arteve në Prishtinë.
Për shkak të përkatësisë etnike, ai në fëmijërinë e tij është përballur me mjaft paragjykime dhe sjellje bullizuese në shkollë.
“Pas luftës jemi përballur me shumë diskriminim nëpër shkolla, për shkak të përkatësisë sonë etnike, gjendjes tonë ekonomike të vështirë që e kemi pasur, dhe pak a shumë nëpër shkolla jemi ndarë dhe jemi bullizuar nga nxënësit”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Ergjani i është kthyer vendlindjes së tij, për të punuar projekte teatrore me fëmijët e komuniteteve të ndryshme, për të luftuar paragjykimet.
Ai tha se dëshiron të mbështesë aktorët e rinj dhe t’i ndihmojë ata të realizojnë ëndrrat e tyre. Në rrëfimin për Radion Evropa e Lirë, ai tha se në projektet e tij, nuk dëshiron që të diskriminojë fëmijët e asnjë komuniteti.
“Unë si njeri, por edhe shumë prej artistëve nuk bëjnë dallime. Kështu që, edhe unë, nuk bëj dallime. Pavarësisht diskriminimit që më është bërë mua, unë nuk e bëj. Në çdo projekt timin, e bëj një miks të fëmijëve shqiptarë dhe ashkali. Në këso forma, mundohem që të paktën t’i vetëdijesoj, pse jo edhe t’i angazhoj dhe motivoj të rinjtë e komunitetit tim që të vazhdojnë, të arsimohen dhe pse jo t’i ndjekin ëndrrat e tyre”, tha ai.
"Edhe ne jemi çikat e Kosovës" - Vajza rome nga Prizreni lufton paragjykimet
Gynesh Veshall, 23-vjeçare nga Prizreni, e cila i përket komunitetit rom, i ka vënë një qëllim vetes: do t’i promovojë gratë rome, kontributin e tyre dhe do të bëhet zë për to.
Gyneshi tha se është lodhur që gratë dhe vajzat rome të etiketohen vetëm me fenomene negative, sikurse martesat e hershme apo braktisja e shkollave.
Prizrenasja kishte filluar të punonte për realizmin e këtij qëllimi rreth gjashtë vjet më parë, me idenë e saj për t’i dokumentuar kontributet e grave rome në fushën e kulturës dhe artit.
Në nëntor të vitit 2023, ajo nisi intervistimin e grave rome që kishin kontribuar në fushën e kulturës e artit që nga viti 1970 në Kosovë. Ajo arriti t’i dokumente sukseset e gjithsej 48 grave, ndërsa u fokusua në jetën e dhjetë prej tyre.
“Mesazhi kryesor që kam dashur ta përçoj, është të tregoj që edhe gratë rome kanë dhënë kontribut në kulturën kosovare. Kam dashur ta jap mesazhin që edhe ne bëjmë gjëra të mira, që edhe ne kemi vlerat tona dhe jemi histori suksesi”, tha ajo.
“E lindur për së dyti” - Gratë luftojnë dhunën në familje me pavarësim financiar
Që nga korriku i vitit 2023, Vjollca – emër i vendosur nga redaksia – është transformuar dhe asaj i është kthyer buzëqeshja.
“Prej dhunës në qetësi shpirtërore. Më është dukur që kam lindur për së dyti. Të largohesha prej një ambienti toksik e të vija në një ambient të qetë… Nuk e kam besuar që mund të ndodhë”, tha ajo.
Ajo kishte përjetuar dhunë fizike dhe psikike për më shumë se 15 vjet nga ish-bashkëshorti dhe familjarët e tij. Edhe pse kishte raportuar dhunën, ajo ishte detyruar të kthehej në shtëpinë e ish-bashkëshortit për shkak se nuk kishte e pavarur financiarisht.
“Kam duruar e kam jetuar atje [në shtëpinë e ish-bashkëshortit] qysh kam mundur. Trashëgimi prej babait nuk kam, s’e kam menduar largimin as si opsion, se s’kam pasur ku të shkoj”, rrëfeu Vjollca.
Më 2023, ajo mori vesh se mund të aplikonte për ndihmë financiare në Komunën e Prishtinës, me të cilën mund ta paguante qiranë e një banese dhe t’i përballonte disa shpenzime përderisa kërkonte punë.
Ajo mbushi aplikimin dhe fitoi këtë ndihmë financiare.
Edhe me dy punët që mban, si shitëse në dyqan dhe pastruese shtëpish, Vjollca nuk arrin t'i përballojë shpenzimet për të katër fëmijët e saj. Për këtë arsye ajo jeton vetëm me vajzën e saj të vogël, ndërsa fëmijët e tjerë i mban babai i tyre.
Bashkë me Vjollcën, gjatë vitit të kaluar, edhe 22 gra të tjera përfituan nga ndihmat financiare të Komunës së Prishtinës për të mbijetuarit e dhunës në familje.
Ndihmat deri në 500 euro në muaj - nga 250 euro për qira, 150 euro si ndihmë financiare dhe deri në 100 euro për fëmijë - janë të kufizuara vetëm për banorët e Prishtinës, të cilët e raportojnë dhunën në familje dhe aplikojnë për urdhër mbrojtjeje nga dhunuesi.
Nga varësia prej drogës në shërim - një udhëtim shprese dhe transformimi
Lumi – emër i vendosur nga redaksia – me sukses është shëruar nga varësia nga drogat.
Gjatë rrëfimit për Radion Evropa e Lirë, 20-vjeçari tregoi se gjithçka nisi kur ishte 16 vjet e gjysmë, kur nisi të përdorte marihuanën.
Fillimisht, ai tha se ishte një eksperiencë e rastësishme, e nxitur nga kurioziteti. Megjithatë, brenda vitit, ai nisi të përdorte kokainë, lloj më i rëndë i drogës.
Pa kuptuar pasojat në shëndet, Lumi tha se gradualisht arriti në një pikë që nuk funksiononte më pa drogë.
“Kishte periudha kur merrja gjashtë doza kokainë brenda ditës”, tregoi Lumi, i cili vjen nga një familje me kushte të mira materiale.
Pika e kthesës për të ishte më herët gjatë vitit 2024, kur shoku i tij i ngushtë vdiq nga mbidoza e drogës.
“Kjo ishte pikë kthese për mua, një goditje e rëndë që më bëri të kuptoj se duhet të ndryshoj”, tha ai.
Fillimisht, tha se nisi ta zvogëlonte dozën e kokainës dhe të përpiqej ta mundte varësinë me marihuanë. Pastaj, vendosi t’u tregonte prindërve për problemin dhe të kërkonte ndihmë profesionale.
Pa dashur të flasë shumë për rehabilitimin, ai tha nuk ishte aspak i lehtë, zgjati mbi tre muaj, por se çdo fazë e tij “ishte e vlefshme për jetën”.
Nga lufta në Sunny Hill: Si po e ndryshon Dua Lipa reputacionin e Kosovës
Mijëra të rinj nga Kosova, rajoni dhe bota ndoqën festivalin Sunny HIll në Prishtinë, të mbajtur më herët gjatë këtij viti.
I organizuar nga Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, festivali tërhoqi shumë të huaj drejt Kosovës. Pjesëmarrës thanë se, përmes festivalit, Dua Lipa po e shndërron Kosovën në një atraksion kulturor.
Ky ishte edicioni i katërt i këtij festivali.
“Mendoj se ajo [Dua Lipa] po e rrit vetëdijesimin [për Kosovën]”, tha Hayley Knight nga Londra, e cila shtoi se me festivalin që organizohet nga ylli i muzikës botërore po kthehet vëmendja nga Kosova.
Riga Sylejmani, po ashtu nga Londra, tha se me këtë festival, Dua Lipa, fituese e çmimeve Grammy, “e ka ndryshuar plotësisht stereotipin rreth Kosovës, si shtet plotësisht i shkatërruar nga lufta”.
Zbulimet arkeologjike në Kosovë - “kthim në qytetin e lashtë romak”
Në Parkun Arkeologjik Ulpiana – që gjendet në komunën e Graçanicës – mes tjerash është gjetur një bazilikë me vlerë, që është ndërtuar nga perandori Justinian dhe gruaja e tij, perandoresha Teodora, në 535-545 të erës së re.
Ulpiana ishte ndër qytetet më të rëndësishme romake në Ballkan. Atje janë gjetur mbetje të ndërtesave të ndryshme romake dhe bizantine, përfshirë tempuj, bazilika, banja dhe mure të qytetit, të njohur edhe si “Justiniana Secunda”.
Bazuar në informacionet që kanë, arkeologët besojnë se perandori Justinian e rindërtoi Ulpianën pas një tërmeti shkatërrues dhe përmbytjeve më 518.
Në Ulpianë, një ekip arkeologësh ndërkombëtar dhe vendas ka tre vjet që po punon në gërmimin e një bazilike të periudhës së hershme të krishterë.
Ekipi udhëhiqet nga profesori Christophe Goddard nga Universiteti “Ecole Normale Superieure” në Paris dhe profesori Arben Hajdari nga Universiteti i Prishtinës.
Mozaiku i katit të parë në këtë lokacion u gjet në gusht të vitit 2023 dhe përmban edhe një kushtim të perandorit Justinian.
Dorëshkrimi i tij u mundësoi arkeologëve të përcaktonin saktësisht se kur u ndërtuan bazilika dhe qyteti.
“Ajo datë e saktë është midis vitit 535 dhe 545, sepse kushtimi përmend disa detaje që na mundësojnë ta ngushtojmë kronologjinë, jo vetëm për ndërtimin e kësaj bazilike, por edhe kur bëhet fjalë për themelimin e këtij qyteti të ri”, tha për Radion Evropa e Lirë profesori Goddard.
Në lokacionin arkeologjik të Ulpianës kërkimet e para filluan në vitet 1950.
Fillimi i vitit shkollor në Kosovë, një kapitull i ri për Nazarin larg Ukrainës
Jeta e Nazar Chabanit, 10 vjeç, dhe miliona fëmijëve të tjerë ukrainas ndryshoi përgjithmonë në shkurt të vitit 2022 kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës. Ai dhe nëna e tij u larguan nga Kremençuku, një nga zonat më të goditura nga lufta.
Që një vit, ai së bashku me të ëmën, Tetianën, janë strehuar në Kosovë. Tetiana, me profesion gazetare, po qëndron në Kosovë si pjesë e një programi për strehimin e gazetarëve ukrainas.
Nazari këtë vit nisi vitin e ri shkollor mijëra kilometra larg nga vendlindja.
Nëna e tij nuk e kishte menduar kurrë se do të duhej ta shkollonte djalin e saj larg Ukrainës.
“Ne e duam shumë Ukrainën dhe gjithmonë kam menduar se fëmija im do të kryejë shkollimin në Ukrainë, por kur filloi lufta, ne u shpërngulëm në Kosovë”, tha Tetiana, teksa 2 shtatorin, ditën e parë të shkollës të Nazarit në një shkollë private në Prishtinë, e priti me emocione të forta.
Ndërkaq, Nazari tha se flet me shokët e tij në Prishtinë për luftën në vendlindjen e tij, teksa shtoi se ëndërron që lufta të përfundojë dhe ai të kthehet në Ukrainë.
Me vrap drejt historisë
I sfiduar nga një fatkeqësi që i ndodhi në moshën 11-vjeçare, Grevist Bytyqi gjeti forcën që të bëhej një atlet i suksesshëm dhe bëri historinë, duke u bërë paraatleti i parë i Kosovës që mori pjesë në Lojërat Paralimpike që u zhvilluan nga 28 gushti deri më 8 shtator, në Paris.
“Qysh fëmijë kam qenë shumë luftarak dhe kam qejf t’i sfidoj gjërat dhe ajo më ka sjellë këtu ku jam sot. Dhe, t’iu tregoj të gjithëve se njeriu nuk duhet të dorëzohet kurrë, pavarësisht jetës [çka të sjell dhe asaj] që ndodh, një sfidë... duhet të ndihesh veç më i fortë, asgjë tjetër”, tha ai për Radion Evropa e Lirë, para se të nisej nga Malisheva drejt Parisit, për të marrë pjesë në Olimpiadën Paralimpike.
Nga NASA në Shtime: Një fshat i vogël në Kosovë mbledh ekspertët e astronomisë
Në fshatin Rashincë të Shtimes është hapur Observatori dhe Planetariumi i parë Kombëtar i Kosovës, që bëri që shumë ekspertë të huaj të astronomisë ta kenë atë destinacion.
Në mesin e tyre ishte edhe Terry Watson, pjesë e ekipit Apollo të Adminstratës Kombëtare Aeronautike dhe Hapësinore amerikane (NASA), i cili shënoi zbarkimin e parë të njerëzve në Hënë më 1969.
“Gjëja më e mirë për këtë qendër është që njerëzit kanë qasje këtu. Ti nuk mund të shkosh ta prekësh apo ta ndiesh një satelit në hapësirë. Por, mund të shkosh dhe ta shikosh në teleskop dhe t’i vëzhgosh planetët dhe hënën”, tha ai.
Qendra është hapur nga klubi Astronomy Outreach of Kosovo, me ndihmën e shtetit të Kosovës. Kompani të ndryshme amerikane kanë dhuruar pajisje për këtë qendër dhe klubi shpreson që të ketë rritje të interesimit për astronomi në Kosovë.