Shkumbin Lushaj, banor i fshatit Shaptej në komunën e Deçanit, është në mesin e më shumë se 1,500 personave që dyshohet se u helmuan nga uji i pijes në muajin korrik të këtij viti.
Ai është përballur me probleme shëndetësore për disa ditë rresht.
Që nga ajo kohë, Shkumbini thotë se nuk e di se cila ishte arsyeja e vërtetë që bëri që ai të kërkojë trajtim mjekësor.
Shpjegimet që i kanë dhënë institucionet duke përfshirë Komunën e Deçanit, Institutin e Kosovës për Shëndetësi Publike si dhe Ministrinë e Shëndetësisë, nuk janë bindëse dhe të mjaftueshme për të.
“Hera e fundit kur kemi qenë të informuar ka qenë prej IKSHPK-së, kur ka thënë se shkaktar i helmimit kanë qenë bakteret e ‘Escherichia Colit’, edhe më rreth kësaj çështjeje, nuk dimë asgjë”, thotë Lushaj.
Lushaj thotë se kjo baktere ishte gjetur vetëm në njërin nga fshatrat e komunës së Deçanit edhe pse sipas tij, helmime të qytetarëve ka pasur më shumë në fshatrat e tjera.
Nga frika se ngjarja mund të përsëritet sërish, Lushaj thotë se shumë banorë nuk e konsumojnë ujin që vjen nga ujësjellësi.
“Ujin nga muaji korrik nuk e konsumojmë, sepse ka qenë vendim i Komunës së Deçanit dhe KRU-Hidrodrinit dhe tash obligohemi ose të mbushim ujin nëpër vende tjera, ku është uji më i pastër, ose ta blejmë”, thotë Lushaj.
Menjëherë pas shtimit të numrit të personave që kërkonin ndihmë mjekësore si pasojë e helmimit, Komuna e Deçanit, kishte marrë vendim që uji i ujësjellësit në këtë komunë, të mos përdorej për pije.
Pak ditë më vonë, pas disa analizave të mostrave të ujit, ishte konstatuar se uji është i pijshëm.
Megjithatë, uji në ujëmbledhësin e fshatit Dranoc në këtë komunë, kishte rezultuar se ka prezencë të bakteries së E.Colit dhe ishte shpallur i papijshëm nga Instituti i Kosovës për Shëndetësi Publike.
Dy prokurorë po hetojnë rastin
Pas rritjes së numrit të personave që kërkonin trajtim në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan, ishin ngritur dyshime për helmim të qëllimshëm të ujit.
Këto pretendime filloi t’i hetonte menjëherë Prokuroria Themelore e Pejës.
Por që nga ajo kohë, hetimet nuk është se kanë prodhuar ndonjë rezultat.
Të pyetur për hetimet, Prokuroria Themelore në Pejë, ka thënë në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, se për këtë rast vazhdojnë të jenë të angazhuar dy prokurorë, që po merren me hetimin e rastit.
“Deri më tani janë ndërmarrë shumë veprime hetimore me autorizimin e prokurorit të shtetit. Po ashtu, ju njoftojmë se priten të ndërmerren edhe veprime të tjera hetimore për ndriçimin e plotë të këtij rasti, andaj duhet të jemi të rezervuar në dhënien e informatave, deri në përfundimin e veprimeve hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë Themelore të Pejës.
Më 16 korrik të këtij viti, me urdhër të Prokurorisë Themelore të Pejës, ishte arrestuar një person që punonte për Agjencinë Kosovare të Pyjeve në Deçan.
Ai ishte arrestuar nën dyshimet se kishte ndaluar kamerat e sigurisë qysh në muajin maj.
Por pas 48 orësh të mbajtjes, ishte liruar në procedurë të rregullt.
Për dyshimet për helmim, prokuroria ka intervistuar edhe persona të tjerë.
Improvizime në vend të sigurisë
Veton Mujaj që drejton organizatën joqeveritare "Syri i Vizionit", thotë se institucionet kanë dështuar që të japin një përgjigje të qartë, se çfarë kishte ndodhur me rastin e helmimit të qytetarëve në Deçan.
Mujaj thotë se qytetarët kanë të drejtë që të ndihen të rrezikuar se e njëjta gjë mund të ndodhë sërish.
“Me të vërtetë kanë njëlloj përgjegjësie institucionet tona që të japin një qartësi rreth asaj se çfarë ka ndodhur me të vërtetë. Nuk është e rrallë ajo kur bisedojmë me njerëz dhe ngritet shqetësimi tek ata se si nuk u kthye më një përgjigje adekuate në atë drejtim”, thotë Mujaj.
Në muajin korrik, kur ndodhën helmimet, Kompania Rajonale Hidrodrini – (K.R.U Hidrodrini) si dhe organet komunale morën disa masa për të siguruar rrjetin e ujësjellësit në Deçan.
Si pjesë e rritjes së masave të sigurisë u mbyllën disa puseta dhe gypa të cilat ishin të hapura.
Në rritjen e nivelit të sigurisë së ujit sipas Mujajt, këto masa janë minimale.
“Kam vërejtur se në disa vende ku kanë qenë kapakët e hapur në ato zonat e ujit ka tentuar të reagojë Hidrodrini. Në njëfarë forme, ka shtuar njëlloj kujdesi të institucionit përgjegjës, në këtë rast, Hidrodrinit, për tu kujdesur për zonat ku janë të hapura këto puseta e ku mund të ndodhë ndërhyrja. Mirëpo, nuk është bërë një zhvillim shumë më i madh. Ajo që mbetet brengosëse, është ajo se pse nuk u tha asnjëherë njëlloj e vërtete se çfarë ndodhi”, thotë Mujaj.
Më 14 korrik të këtij viti, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte njoftuar se disa mostra do të dërgoheshin jashtë vendit për të kryer analiza shtesë.
“Sot janë përgatitur edhe një numër mostrash, të cilat shumë shpejt priten të dërgohen jashtë vendit për analiza më specifike, të cilat nuk mund të kryhen në Kosovë”, kishte thënë Vitia.
Radio Evropa e Lirë ka provuar këtë javë që të marrë një përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë se çfarë ka ndodhur me këto mostra dhe se nëse ky institucion ka pranuar përgjigje.
Përkundër interesimit të REL-it, zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë nuk janë përgjigjur.
Për ndërmarrjen e masave për rritjen e nivelit të sigurisë dhe cilësisë së ujit në Deçan, REL ka kontaktuar edhe kryetarin e kësaj komune, Bashkim Ramosaj, i cili në një përgjigje të shkurtër, ka thënë se analizat e dërguara jashtë vendit pritet që të publikohen shumë shpejt.
REL ka provuar të flas edhe me drejtuesit e K.R.U. Hidrodrini, mirëpo zyrtarët e këtij institucioni nuk janë përgjigjur në interesimin e REL-it.
Deçani ka iniciuar shkëputjen nga “K.R.U Hidrodrini”
Në ditët e para pas shfaqjes së problemeve shëndetësore të më shumë se 1,500 qytetarëve, Kuvendi Komunal i Deçanit, kishte iniciuar procedurën për themelimin e një ndërmarrjeje të re komunale.
Qëllimi ishte që ujësjellësi i Deçanit të shkëputej nga kompania regjionale K.R.U. Hidrodrini, pasi kjo kompani akuzohej për menaxhim të dobët dhe të papërgjegjshëm të rrjetit të ujësjellësit në këtë komunë.
“Ky vendim vjen si pasojë e keqmenaxhimit të rrjetit të ujësjellësit në Komunën e Deçanit nga "Hidrodrini" K.R.U., e që ka të bëjë me aspekte teknike ndërtimore që nga qasja në burim, mos-standardizimin e rezervuarëve të ujit, pusetave të ujit, rrjetit të ujësjellësit e deri te kyçjet ilegale e mospasjen e orëmatësve për regjistrimin e shpenzimit të ujit”, thuhet në vendimin e datës 19 korrik 2021, të Kuvendit Komunal të Deçanit.
Sipas këtij vendimi, të gjitha këto mangësi kishin sjellë rrjedhimisht për pasojë cenimin e cilësisë së ujit, gjë e cila ka krijuar situatën e infektimit dhe helmimit me ujë në Komunën e Deçanit, të mbi dymijë qytetarëve.
“Hidrodrini”, përveç Deçanit, furnizon me ujë edhe Pejën, Istogun, Klinën dhe Junikun.
Facebook Forum