Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se presionet e Beogradit ndaj pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, janë të pakuptimta dhe krim ndaj qytetarëve të Kosovës. Sipas tij, Kosova ka ndërmarrë veprimet e nevojshme në lidhje me këto presione, që po i detyrojnë pjesëtarët serbë që të braktisin FSK-në.
Këto komente Haradinaj i bëri pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Kombëtar për Siguri.
“Ky presion është i pakuptimtë, është i dalur kohe sepse këto metoda kanë ndodhur diku para dhjetë vjetësh dhe jemi të habitur nga kjo qasje. Është shumë e padrejtë sepse dikush po ushtron krim ndaj këtyre qytetarëve të Kosovës, nga këtyre të rinjve dhe të rejave, ndaj familjeve të tyre. Është kundër konventave, është kundër të drejtave të njeriut, është kundër sigurisë së këtyre qytetarëve, e ne si Kosovë kemi vepruar me kohë, kemi ndërmarrë veprime, si në planin e jashtëm ashtu dhe të brendshëm që të sqarohet ky veprim i papranueshëm”, tha Haradinaj.
Ai tha se pas presioneve direkte të Beogradit zyrtar, së fundmi, disa pjesëtarë serbë të FSK-së, kanë paraqitur kërkesat për t’u tërhequr nga kjo forcë.
“Së fundmi ka rezultuar me kërkesën për lirim nga FSK të një numri të pjesëtarëve serbë të Kosovës, nga një rajon i Kosovës që nuk është veriu në këtë rast. Shumica e tyre në deklarimet për lirim paraqesin presionin e ushtruar direket nga autoritetet e Beogradit zyrtar”, tha Haradinaj.
Sipas Haradinaj, krejt kjo gjendje nuk mund të konsiderohet se ka prishur sigurinë kombëtare të vendit.
Megjithatë, ai tha se institucionet e Kosovës po shqyrtojnë këtë çështje për të ndërmarrë veprimet e nevojshme për situatën e krijuar.
Tetë pjesëtarë serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës nga rajoni i Gjilanit kanë parashtruar kërkesat për dalje nga kjo forcë, për shkak të kërcënimeve dhe presionit gjithnjë e më të madh të Serbisë ndaj tyre, ndërkohë që lidhur me këto kërkesa, Ministria e Forcave të Sigurisë së Kosovës do të vendosë në gjashtë muajt e ardhshëm.
Presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë shpeshtuar në muajt e fundit, fillimisht me paraburgimet në vendkalimet kufitare me Serbinë, e më pas edhe me deklaratat e autoriteteve serbe se atyre iu kërcënohet dënimi deri me 10 vjet, për shkak të pjesëmarrjes në formacionet e huaja të armatosura.
Po ashtu, janë shënuar edhe disa raste të sulmeve me koktej molotovi ndaj pronës së këtyre pjesëtarëve.
Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë 103 pjesëtarë nga komuniteti serbë.
Institucionet e Kosovës mëtojnë që ta transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, por për këtë gjë nevojiten ndryshime kushtetuese, përkatësisht mbështetja e deputetëve serbë në Kuvendit të Kosovës, të cilët tash për tash janë kundër formimit të kësaj ushtrie.