Ndërlidhjet

Haradinaj fajëson LDK-në për zvarritje të votimit të Demarkacionit


Ilustrim
Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka bërë fajtore Lidhjen Demokratike të Kosovës për zvarritje të qëllimshme të procesit të shqyrtimit dhe votimi të Marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, në Kuvendin e Kosovës.

Haradinaj ka kritikuar deputetët dhe sidomos Komisionin për Punë të Jashtme, ky aktualisht ndodhet në shqyrtim projektligji për demarkacion.

"Unë kam kritikuar. Dhe ende sot them, pse po vononi? - vendosni", ka deklaruar Haradinaj pas një takimi i që ka zhvilluar me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Por, në anën tjetër, Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës është ajo e cila e ka bllokuar procesin. Sipas saj, Qeveria nuk ka ofruar alternativa se si do të dilet nga kjo situatë.

"Problemi është që vet Qeveria nuk ka vullnet dhe as nuk ka ide, as idenë më të vogël, si të dilet nga situata të cilën e ka krijuar në mënyrë të dhunshme që nga koha kur (AAK) ka qenë në opozitë", tha Osmani.

Ajo ka sqaruar se Komisioni që e drejton nuk është duke bllokuar procesin dhe se me kohë do t’i kryejë të gjitha obligime që ka për projektligjin në fjalë.

Osmani tha se sikur Qeveria të kishte interesim dhe vullnet që marrëveshja të kalojë në Kuvend, një gjë e tillë ka qenë e mundur, madje edhe pa u dërguar fare projektligji në komisionin që ajo e drejton.

"Komisioni ynë ka respektuar procedurat. Është brenda afateve ligjore dhe mbi të gjitha unë kam respektuar kërkesën e shumicës së deputetëve në komision, përfshirë edhe ata që vijnë nga partitë në pushtet që kjo çështje përfundimisht të votohet më 15 janar. Pra, ne e përfundojmë këtë çështje me 15 janar, pastaj është në duart e seancës, pra të 120 deputetëve", tha Osmani.

Ndërkaq, nënkryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë se projektligji për demarkacionin është futur sërish në agjendën e komisionit dhe pritet të shqyrtohet së shpejti. Ngjashëm me kryeministrin, Haradinaj edhe deputetja Kadrijaj, mendon se komisioni e ka zvarritur procedimin e këtij projektligji.

"Kemi pasur mundësi që të mos e zvarrisim çështjen. Kryetarja ka mundur që ta thërras mbledhjen për shqyrtimin në parim të projektligjit në mënyrë që ai të procedohet më tutje dhe t’i nënshtrohet votimit, kundër ose për, dhe të mos mbetet në duart e komisionit. Pra, marrëveshja ka mundur të procedohet më herët nga komisioni", tha Kadrijaj.

Marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi është nënshkruar nga autoritetet e Prishtinës dhe Podgoricës, në fund të gushtit të vitit 2015, në Vjenë. E njëjta marrëveshje ishte ratifikuar nga Kuvendi i Malit të Zi, por jo edhe nga ai i Kosovës. Për ratifikimin e saj nevojiten 80 vota të deputetëve.

Komisioni Evropian në disa raste ua ka përsëritur, kryeministrit dhe Qeverisë së Kosovës, se pa ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, Kosova nuk mund të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave.

Por, kryeministri Ramush Haradinaj, vazhdon të besojnë se Bashkimi Evropian do të lëshojë pe në kushtet dhe kriteret e vëna për liberalizimin e vizave.

Ndryshe nga kryeministri Haradinaj, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje deputetëve që ta ratifikojnë demarkacionin me Malin e Zi dhe të ndihmojnë vendin të dalë nga izolimi i shkaktuar për shkak të lënies së Kosovës jashtë procesit të liberalizimit të vizave.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG