Ndërlidhjet

Pjesëtarët e grupit Lev Tahor zhvendosen në Shkup


Një pjesëtar i grupit, Lev Tahor në Guatemalë. Fotografi nga arkivi.
Një pjesëtar i grupit, Lev Tahor në Guatemalë. Fotografi nga arkivi.

Pjesëtarët e sektit fetar hebre, Lev Tahor, janë zhvendosur nga Kumanova në Shkup, për shkak të rrezikut për jetën e tyre nga ndonjë incident i mundshëm, ka bërë të ditur të martën Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut.

Ky sekt fetar prej 30 personash, në Maqedoninë e Veriut kishte hyrë më 5 shkurt përmes Aeroportit të Shkupit.

“Zhvendosja e tyre nga Kumanova në Shkup ka ardhur për shkak të rritjes së gjuhës së urrejtjes dhe kërcënimeve në rrjetet sociale ndaj këtyre personave, e sidomos pasi u zbulua shtëpia ku ata po qëndronin, e cila u qëllua me vezë dhe gurë, gjë që rrezikonte sigurinë e jetës së tyre”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas policisë, zhvendosja e tyre nga Kumanova në Shkup është bërë me autobusë, ndërsa të njëjtit janë vendosur në një hotel rreth orës 03:00 të ditës së martë.

Sipas disa xhirimeve që ishin publikuara në rrjete sociale, duket se ata ishin strehuar në një shtëpi private, në pjesën maqedonase të Kumanovës.

MPB-ja bëri të ditur se këta persona kanë leje qëndrim të përkohshëm dhe mund të qëndrojnë 90 ditë, dhe se nuk paraqesin asnjë rrezik për qytetarët e Maqedonisë së Veriut.

“Rikujtojmë se këta persona respektojnë ligjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Qëndrimi këtu është plotësisht i ligjshëm. Ata kanë qëndrim të përkohshëm në vendin tonë. Grupi i përmendur nuk paraqet asnjë rrezik dhe apelojmë për tolerancë dhe solidaritet ndaj tyre”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Nga MPB-ja nuk komentuan njoftimet në opinion se grupi mund të largohet nga Maqedonia e Veriut në drejtim të Shqipërisë.

Më herët, Ministria e Punëve të Brendshme kishte njoftuar se “bëhet fjalë për një grup fetar hebre që është vazhdimisht në lëvizje pasi është detyruar të largohet nga shumë vende si Izraeli, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika”.

Sipas Policisë, grupi përfshin shtetas amerikanë, kanadezë, belgë dhe amerikano-jugorë.

Detaje mbi arsyet e largimit të tyre nga këto vende nuk janë bërë të ditura.

Radio Evropa e Lirë ka raportuar më herët se anëtarët e grupit Lev Tahor janë parë edhe në Komunën e Illixhës në Sarajevë gjatë muajit janar.

Ata janë larguar nga Bosnje e Hercevogina më 3 shkurt, duke marrë rrugë për Mal të Zi.

Grupi Lev Tahor është akuzuar në të kaluarën për krime kundër fëmijëve, duke përfshirë kidnapime dhe martesa të tyre.

Rreth 200-300 anëtarët e këtij grupi kanë kërkuar me dekada një shtet që do të ishte nikoqir i interpretimit të tyre ultra-ortodoks të Torës.

Ata kanë qëndruar edhe në vende tjera për katër dekada prej themelimit të grupit në Izrael, në fund të viteve 1980.

Më 2018, udhëheqësia e grupit Lev Tahor ka kërkuar azil në Iran, ndonëse plani besohet se ka rënë në ujë, pas dëbimit nga ana e autoriteteve irakiane për në Turqi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG