Ndërlidhjet

Gratë në Kosovë mbahen larg vendimmarrjes


Prishtinë - foto nga arkivi.
Prishtinë - foto nga arkivi.

Kosova nuk mund të mburret me përfaqësimin e grave në vendimmarrje, thonë përfaqësuese të organizatave të grave.

Në bazë të ligjeve, gratë gëzojnë të drejta të barabarta me burrat sikurse edhe në vendet tjera të Bashkimit Evropian. Megjithatë, përfaqësimi i gruas në institucionet e Kosovë e posaçërisht vendimmarrje, vlerësohet se nuk është në nivelin e duhur.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive e Qendrës për rehabilitimin e viktimave të torturës, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kosova ka shumë gra të shquara, të cilat kanë sjellë ndryshime në shoqëri, por, siç thotë ajo, fatkeqësisht shumica nga to, nuk janë në pozita udhëheqëse apo në vendimmarrje.

"Në studime të ndryshme është parë që gratë në udhëheqje janë shumë më të suksesshme, lënë ndryshime shoqërore në komunikim, janë më të mira në transparencë e llogaridhënie, që është shumë më rëndësishme. Po ashtu janë shumë më shumë të hapura dhe transparente”.

“Mendoj që Kosova mund të ecë përpara nëse gratë kanë lidership, gratë të cilat mund të jenë pjesë e vendimeve të rëndësishme. Për shembull, fakti që komplet Ekipi negociator [në dialogun politik Kosovë- Serbi] përbëhet nga burrat, flet që gruaja në Kosovë nuk dëgjohet", thotë Rushiti.

Vitin e kaluar Departamenti Amerikan i Shtetit i kishte ndarë Rushitit Çmimin Ndërkombëtar për Grua të Guximshme. Ajo thekson se pavarësisht që janë bërë disa lëvizje pozitive në Kosovë, në kuptimin e kuotës dhe pjesëmarrjes në Parlament, megjithatë, gratë, sipas saj, ende nuk e kanë vendin adekuat.

"Fatkeqësisht, politikanët vetëm statuse sociale prodhojnë kur krenohen me gratë edhe me të arriturat e grave në botë. Ndërsa, prania e grave në vendimmarrje është shumë larg. Kështu që në këtë perspektivë po mendoj që po të ishin gratë në pozita udhëheqëse, kyçe, situata në Kosovë do të duhej të ishte dukshëm më e mirë", thekson ajo.

Rushiti thotë se në Kosovë shoqëria është ende patriarkale ku mendohet se burri duhet të dominojë e të marrë vendime.

"Fatkeqësisht një vend i sapodalë nga lufta me probleme sociale..., narracioni është i atillë që burri duhet të dominojë çdo kund. Por, fakti është se aty ku kanë udhëhequr gratë, kanë treguar ndryshime shoqërore dhe është arritur që të shihen rezultate konkrete", shton Rushiti.

Në Qeverinë e Kosovës në mandatin aktual nga pesë poste të zëvendëskryeministrave dhe njëzet ministri, vetëm në dy ministri udhëheqin femrat.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Philip Kosnett, ka thënë se fundmi se mungesa e grave në udhëheqësinë e partive politike, po e kthen prapa Kosovën.

"Si mundet që një parti/shtet të ketë sukses pa kapitalizuar talentet e grave? Duhet që partitë të përfshijnë më shumë gra në role udhëheqëse. Kosova do të ketë sukses kur gratë do të udhëheqin”, ka deklaruar Kosnett.

Po ashtu, Ambasada Amerikane në Prishtinë pas një takimi të nivelit të lartë të sundimit të rendit dhe ligjit, ku ka marrë pjesë ambasadori Kosnett ka publikuar disa fotografi në të cilat shihen zyrtarë dhe udhëheqës të Kosovës. Pas publikimit të këtyre fotografive ata pyesin se kush mungon aty.

“Kush po mungon në këto fotografi?”, ka pyetur Ambasada, duke shtuar se “Kosova ka sukses kur gratë udhëheqin”.

Ish- aktivistja Valdete Idrizi, e cila në vitin 2008 ka fituar Çmimit Ndërkombëtar për Gra të Guximshme, çmim ky i cili ndahet nga Sekretari amerikan i Shtetit, thotë se Kosova ka gra të arritshme dhe që mund të udhëheqin edhe institucione dhe procese të ndryshme.

Mungesa e përfaqësimit të grave në pozita vendimmarrëses për zonjën Idrizi, e cila tani është anëtare e Partisë Demokratike të Kosovës, është shqetësuese për faktin se gratë kanë kualifikim edhe superior.

"Shohim që ka gra shumë të zonja profesioniste në lëmi të ndryshme që pa asnjë hezitim e them se shumë lehtë do t'i votoja apo do t'ju besoja pozitat më të larta vendimmarrëse. Kështu që, absolutisht që gjysma e popullatë të jetë sa më mirë e përfaqësuar dhe ta kemi edhe një qeverisje edhe më të mirë dhe të kemi shërbime më të mira, thjesht ta kemi një pasqyrë më të mirë të shtetit tonë", thotë Idrizi.

Ajo shton se për të ndryshuar gjendjen aktuale në drejtim të përmirësimit, duhet të punojnë bashkë të gjitha institucionet dhe në veçanti partitë politike.

"Kemi shumë gra të profileve të ndryshme që krenohemi me to, si shoqëria, edhe burrat, edhe gratë, e në të njëjtën anë kemi pasur edhe gra lidere në profile të ndryshme që kanë dëshmuar që janë profesioniste të mira, sepse është një deklaratë goxha e rrezikshme të themi se gratë janë më të mira se burrat po them 'e rrezikshme', sepse nuk mund t'i përgjithësojmë, mirëpo aty ku u është dhënë besimi, besoj se kanë dëshmuar që dinë të punojnë më se miri", shprehet Idrizi.

Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje në Kosovë është diskutuar shpesh, por nuk ka ndryshuar shumë gjendjen praktike.

Pozita më e lartë e mbajtur ndonjëherë nga ndonjë grua në Kosovë është ajo e presidentes nga Atifete Jahjaga, nga viti 2011 deri në vitin 2016.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG