Mbrojtja e Selimit: Trashëgimia e UÇK-së, nën sulm të ZPS-së
Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, nisi fjalën hyrëse pas fjalimit disa minutësh që mbajti klienti i tij.
Ai, duke ju referuar fjalimit të Selimit, tha se është “e kuptueshme pse Selimi dhe të tjerët e ndiejnë njëfarë detyrimi për të mbrojtur trashëgiminë e UÇK-së, kur kjo e fundit ishte qartazi në sulmin e kësaj prokurorie”.
“Dëgjuam dje ZPS-në të thotë që kjo çështje nuk përbën procesim penal ndaj UÇK-së. Megjithatë përtej fjalëve të zgjedhura me kujdes, të rëndësishme janë veprimet e ZPS-së”, tha Roberts.
Avokati i Selimit tha se prokuroria ka dështuar të përmend krizën ekzistenciale në të cilën gjendeshin shqiptarët e Kosovës që vendosin të nisnin luftë për liri.
Ai po ashtu tha se gjatë deklaratë hyrëse të ZPS-së, ky institucion iu referua masakrave në Kosovë, sikurse ajo në Prekaz të Skenderajt “si ngjarje” dhe sipas tij, ky mohim i krimit të serbëve ndaj shqiptarëve “nuk është asgjë tjetër veçse manipulim i ZPS-së”.
Mbrojtja e Veselit: UÇK s’ka pasur strukturë e as hierarki
Avokati mbrojtës i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, tha se pretendimet Zyrës së Prokurorit të Specializuar se UÇK-ja ishte një ushtri e mirëorganizuar dhe me strukturë funksionale, nuk qëndrojnë.
Ai tha se në rastin më të mirë, ka pasur “aspiratë të individëve për të qenë të organizuar" që sipas tij, nuk përkonin me "realitetin e situatës në terren”.
“Nuk ka pasur strukturë për grupet e formuara, e as hierarki që prokuroria supozon. Nuk ka pasur pasoja për individët që largoheshin nga fushëbeteja, e ktheheshin pas një jave apo më vonë”, tha ai duke shtuar se ka pasur grupime të vogla personash që mbronin vendbanimet e tyre nga forcat serbe.
“Ky është konteksti real që ZPS-ja nuk dëshiron t’ua bëjë me dije”, tha ai.
Mbrojtja e Veselit thotë se ndaj tij nuk ka prova për krimet e pretenduara
Përderisa ekipet mbrojtëse po vazhdojnë deklaratat e tyre hyrëse, ne po ju sjellim një pjesë të deklaratës hyrëse të Ben Emmerson, avokatit të të pandehurit, Kadri Veseli.
Ai tha se ndaj klientit të tij nuk ka prova për krimet që Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngarkuar ndaj Veselit.
Mbrojtja: Në aktakuzë s’ka aludime se Selimi ka urdhëruar ndonjë krim
Geoffrey Roberts, avokati i Rexhep Selimit, tha se në aktakuzën ndaj klientit të tij nuk ka asnjë aludim se ai ka urdhëruar ndonjë prej krimeve të pretenduara.
Gjatë deklaratës hyrëse, ai tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar po mundohet ta bëjë Selimin pjesë të “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”.
“Në aktakuzë nuk ka aludime që Selimi ka urdhëruar ndonjë krim”, tha Roberts.
“Provat nuk dëshmojnë se Selimi ka kontribuar në emër të një plani të përbashkët kriminal”, shtoi ai.