Prokuroria “s’ka prova se Thaçi ka dhënë urdhra për kryerjen e krimeve”
Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka paraqitur prova se klienti i tij u ka dhënë urdhra ushtarëve të UÇK-së për “kryerjen e krimeve”.
Mishetiq tha se ZPS nuk ka asnjë provë se ka pasur linja të raportimit mes Thaçit dhe njësive të UÇK-së.
“Prokuroria nuk paraqet prova që Thaçi u ka dhënë urdhra ushtarëve të UÇK”, tha ai.
Ai po ashtu tha se gjatë Qeverisë së Përkohshme, Thaçi, pavarësisht se ishte kryeministër, ashtu siç u parapa me marrëveshjen në Rambuje, ai nuk kishte “pushtet ligjor dhe politik”, pasi ky pushtet ishte në duart të UNMIK-ut.
“Nuk kishte pushtet real dhe asnjëherë nuk kishte kontroll efektiv”, tha Mishetiq.
Mishetiq citoi një raport të grupit të krizës nga nëntori i vitit 1999, që sipas tij, dëshmon që Hashim Thaçi nuk ka qenë i kënaqur me krimet që po kryheshin pas luftës.
“Udhëheqësit e UÇK-së vazhdimisht u kanë bërë thirrje serbëve që të qëndrojnë në Kosovë”, tha avokati mbrojtës.
Mbrojtja publikoi edhe një deklaratë të vjetër të Thaçit ku dëgjohet duke thënë se ata nuk kanë luftuar për ta spastruar Kosovën etnikisht dhe se ai beson që “popullata serbe nuk i ka kryer krimet ndaj shqiptarëve në Kosovë”.
“Ne duhet të kuptojmë që edhe serbët duhet të jetojnë në Mitrovicë, ata që nuk kanë bërë krime ata që nuk kanë vrarë njerëz. Kosova është e kosovarëve”, dëgjohet duke thënë Thaçi në një incizim të 26 qershorit 1999.
Mbrojtja thotë se Thaçi nuk e kontrollonte UÇK-në
Më poshtë mund të shikoni një pjesë të fjalimit të avokatit të Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, që flet lidhur me fuqinë e Thaçit brenda UÇK-së.
Seanca në pauzë
Pas dy orësh të deklaratave hyrëse të mbrojtjes së Hashim Thaçit, punimet në Gjykatën Speciale kanë shkuar në një pauzë të shkurtër. Pas pauzës, pritet që edhe Thaçi të mbajë një fjalim të shkurtër
Më poshtë, ju sjellim të përmbledhur disa nga pikat kyçe të ditës së dytë të gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së:
- Mbrojtja e Hashim Thaçit tha se ai nuk kishte pasur fuqi komande në Ushtrinë Çlimitare të Kosovës gjatë periudhës që flet aktakuza
- "Thaçi nuk e kontrolluar UÇK-në", ashtu siç pretendon prokuroria, tha avokati mbrojtës, Gregory Kehoe
- Mbrojtja e Thaçit tha se pushteti gjatë luftës ishte në duart e komandantëve të zonës e jo te Shtabi i Përgjithshëm, pjesë e së cilës ishte Thaçi
- Mbrojtja tha se Thaçi disa herë pas luftës ka bërë thirrje që të ndalet dhuna ndaj serbëve lokalë dhe që ata të mos largohen nga Kosova
- Sipas mbrojtjes, Thaçi nuk kishte fuqi reale as gjatë kohës kur ishte kryeministër i Qeverisë së Përkohshme
- Avokatët e Thaçit argumentuan se UÇK-ja nuk kishte strukurë funksionale komanduese
Mbrojtja: ZPS-ja duhet të provojë se konflikti i armatosur përfundoi në shtator
Avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq, tha se Tribunali Ndërkombëtar në Hagë kishte thënë se konflikti i armatosur në Kosovë kishte përfunduar në mes të qershorit të vitit 1999.
Ai tha se këto pohim, e kishte bërë edhe Clint Williamson, prokurori amerikan i angazhuar për të hetuar nëse UÇK-ja ka kryer krime.
Por, aktakuza e ZPS-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së heton krimet deri në shtator të vitit 1999.
“Prokuroria e Specializuar duhet të provojë se kishte konflikt të armatosur deri në shtator”, tha Mishetiq.
“ZPS-ja thotë UÇK është përfshirë në sulme të zgjeruara dhe sistematike ndaj popullatës civile dhe ekzistonte konflikt i armatosur deri në shtator të vitit 1999”, theksoi ai.