UÇK-ja “nuk kishte strukturë komande”
Mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, tha se për shkak të ofensivave serbe në Kosovë, më 1999, shumica e anëtarëve të Shtabit të Përgjitshëm, kishin ikur nga Kosova.
“Ofensiva serbe e dyta, po flasim për fushatën masive të vitit 1999, pengoi çdo mundësi që UÇK-ja të vepronte apo funksiononte si një njësi e bashkuar”, tha avokati Gregory Kehoe.
“Nuk kishte strukturë komande të UÇK-së dhe me siguri nuk kishte strukturë efikase”, shtoi ai.
Thaçi dhe tre të akuzuarit e tjerë akuzohen se kanë themeluar Shtabin e Përgjithshëm dhe se ky trup ka shënjestruar “kundërshtarët” e perceptuar të UÇK-së.
Kehoe: Aktet e lokalizuara të dhunës u kryen edhe nga njerëz që prezantoheshin si UÇK
Avokati mbrojtës i Hashim Thaçit, duke folur për periudhën pas çlirimit të Kosovës dhe nisjes së administrimit të Kosovës nga UNMIK-u, tha se krime mund të kenë ndodhur në nivel lokale me motive hakmarrjeje.
“Aktet e lokalizuara të dhunës individuale të nxitura nga zemërimi, urrejtja, mungesa e llogaridhënies ishin të pashmangshme”, tha Kehoe duke thënë se njerëzit që ishin kthyer nga dëbimi i gjetën pronat e tyre të djegura dhe të dëmtuara.
“[Aktet e dhunës] shpesh shkaktoheshin nga kriminelët, elementët keqbërës të UÇK-së, njerëz që prezantoheshin si UÇK, mbanin uniforma të blera në rrugët e Prishtinës e gjetkë”, tha tutje avokati.
Ai prezantoi edhe një pjesë të intervistës dhënë në korrik të vitit 1999 të ish-gjeneralit të NATO-s, Wesley Clark lidhur me krimet hakmarrëse ndaj serbëve lokalë.
“Ka qindra e mijëra njerëz që po kthehen mbrapsht. Kanë ndodhur gjëra të tmerrshme, por ka edhe serbë që mendojnë se do të jenë fajtorë për shkak të etnicitetit të tyre. Ka përpjekje legjitime që pronat t’i kthehen pronarëve. Është periudhë që po merret hak, po lahen hesape”, është cituar të ketë thënë Clark.
Mbrojtja: Thaçi nuk kishte përgjegjësi komande për strukturat në terren
Mbrojtja e Thaçit tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u formua nga grup vullnetarësh dhe ishte një forcë guerile.
Avokati Gregory Kehoe tha se fillimisht u krijuan njësi në nivelin vendor, por gjatë ofensivës serbe së verës së vitit 1998 këto njësi u shkatërruan dhe UÇK-ja më pas në nëntor të po këtij viti u riorganizua.
“Pas ofensivës, në nëntor 1998, UÇK konfirmon sërish Azem Sylën si komandant i përgjithshëm, jo Thaçin”, tha avokati.
Ai shtoi se Thaçi ishe një prej drejtorëve të nëntë drejtorive që kishte UÇK-ja.
“[Thaçi] Nuk kishte asnjë përgjegjësi komande për strukturat në terren”, theksoi Kehoe.
Mbrojtja insiston në pafuqinë komanduese të Thaçit në UÇK-në
Në vazhdimin e fjalës hyrëse, mbrojtja e Hashim Thaçit ka folur për rolin e saktë të tij brenda UÇK-së, si udhëheqës i drejtorisë politike.
Ndër tjera, sipas tyre, Thaçi kishte për detyrë të mbante raporte me mediat për të mundësuar intervista me udhëheqës të tjerë të UÇK-së, të sigurojë material dhe armë nga Shqipëria dhe të bashkëpunojë me diplomatë në terren.
Si një dëshmi për pafuqinë e Thaçit, mbrojtja ka paraqitur faktin se 10 korrik 1998, komanda e nën-zonës së Drenicës brenda UÇK-së, kishte lëshuar një fletëarrestim për Thaçin.
“Pra, këtij personi që mendohet që kishte këtë pushtet të jashtëzakonshëm brenda UÇK-së, i lëshohet fletëarrest”, tha avokati.
Kehoe po ashtu tha se ZPS-ja nuk përmendi fare Adem Demaçin që ishte një ndër personat kryesorë politikë të UÇK-së.
Ai tha se Demaçi kishte kundërshtuar praninë e UÇK-së në Rambuje dhe ai miratonte çdo marrëveshje.
“Ky ishte personi që duhej të miratonte marrëveshjen. Por, ZPS nuk tha asnjë fjalë për të, për autoritetin e tij apo për veprimet që ka marrë”, tha avokati i Thaçit.