Prokuroria: Krimet ishin të përhapura dhe sistematike
Në përmbyllje të deklaratës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurorja Clare Lawson, tha se asnjë gjykate nuk i është kërkuar më herët të shqyrtojë rolin dhe përgjegjësinë për pjesëtarët individualë kyçë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, siç i është kërkuar Gjykatës Speciale.
Ajo tha se gjatë gjykimit do të dëgjohen rrëfimet e disa prej viktimave të krimeve të pretenduara të ish-krerët e UÇK-së.
“ZPS-ja do të paraqesë prova të krimeve që ishin të përhapura dhe sistematike në mbi 40 qendra ndalimi të UÇK-së”, tha ajo.
“ZPS-ja ka marrë një mori provash, përfshirë edhe disa qindra faqe të sekuestruara nga shtëpitë e të akuzuarve. Qëllimi i përbashkët dëshmohet mjaftueshëm përmes këtyre dokumenteve”, shtoi Lawson.
Prokurorja tha se qëllimi i përbashkët i tyre ishte të shënjestronin ata që i konsideronin “kolaboracionistë” dhe kundërshtarë të tyre, sikurse pjesëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Lawson pretendoi se disa prej të akuzuarve e kanë pranuar vetë se ky ka qenë qëllimi i tyre. Ajo tha se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ishin “dirigjuesit e krimeve” të pretenduara.
“[Në gjykim] nuk do të dëgjoni se të akuzuarit kanë ndërmarrë veprime për të parandaluar krimet sepse krimet kanë qenë të synuara nga të akuzuarit dhe janë vënë në jetë nga vetë ata”, tha prokurorja e specializuar.
Ajo tha se të katër të pandehurit kanë udhëhequr një “luftë speciale” kundër personave që i konsideronin kolaboracionistë.
Mbrojtësi i viktimave: Për viktimat, nisja e gjykimit ishte e paimagjinueshme
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se për shumicën e viktimave, nisja e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte diçka “e paimagjinueshme”.
“Ata [të akuzuarit] ishin persona të fortë. Në qoftë se ata kanë qenë duke i bërë këto krime, me siguri nuk kanë imagjinuar që do të vinte një ditë si kjo e sotmja”, tha ai.
Mbrojtësi i viktimave tha se ata ishin komuniteti shqiptar, serb dhe rom, dhe se ishin myslimanë, katolikë dhe ortodoksë.
"Edhe pse të gjithë janë të klasifikuar në një grup, ata janë 140 individë", tha ai.
Laws tha se pavarësisht dallimeve që kanë viktimat, “ata janë të bashkuar në dëmin që kanë pësuar”.
“Pikëllimi, dhimbja, humbja dhe padrejtësia nuk njihini dallime”, tha ai.
“Ata kanë një gjë të përbashkët. Ata ishin viktima të krimeve që nuk kishin pikë justifikimi. Për secilin prej tyre, një ditë ndryshoi jetët e tyre përgjithmonë”, theksoi ai.
Mbrojtësi i viktimave tha po ashtu se viktimat janë etiketuar si “tradhtarë” dhe kanë kërkuar që për secilin prej tyre, përmes fakteve, të dëshmohet e kundërta para kësaj gjykate.
“Ata e shohin veten se janë etiketuar si tradhtarë. Viktimat që ne përfaqësojmë i kundërshtojnë këto etiketime”, tha Laws.
“Por, etiketimet të vrasin. Disa prej tyre janë të frikësuar për hakmarrje”, theksoi ai.
Mbrojtësi i viktimave: Viktimat duan të zbulohet e vërteta
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se procesi gjyqësor, duhet të përqendrohet në atë që të zbulohet e vërteta dhe po ashtu është e rëndësishme “që të pranohet faji”.
“Ata kanë të drejtën që të zbulohet e vërteta, të dëgjohen dëshmi dhe të pranohen vuajtjet që kanë kaluar dhe përvojat që kanë kaluar”, tha ai.
Sipas tij, për viktimat shqiptare janë bërë përpjekje “që të turpëroheshin dhe të mos flisnin”, por sipas tij kjo nuk ka funksionuar.
Ndërkaq, viktimat serbe të këtij rasti, sipas Laws, nuk ishin subjekt “i të njëjtës trysni. Çmimi që u desh të paguanin ishte jeta në mërgim”, tha ai.
Mbrojtësi i viktimave po ashtu kërkoi që gjykimi të përqendrohet në pranimin “e dëmit” që u është shkaktuar viktimave.
Përfundon dita e parë e gjykimit
Me deklaratën e mbrojtësit të viktimave, ka përfunduar dita e parë e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të nisin deklaratat e tyre hapëse, në rastin që ka të bëjë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.