Ndërlidhjet

Ish-krerët e UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit,
Ish-krerët e UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit,

Përfundojnë deklaratat hyrëse në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

  • Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
  • Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.
  • Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.
  • Të katërtit, ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm.
10:38 3.4.2023

Prokuroria: Nuk po gjykohet UÇK-ja

Prokurori i Specializuar tha se rasti ndaj ish-katër krerëve të UÇK-së ka të bëjë me ta, e jo me gjithë UÇK-në.

“Kjo çështje gjyqësore nuk kërkon të procedojë UÇK-në dhe nuk akuzon të gjithë anëtarët e saj. Akuzat ngrihen kundër katër vetëve. Shumica e anëtarëve të UÇK-së nuk kishin të bënin fare me krimet për të cilat është ngritur aktakuza”, tha Alex Whiting.

Ai tha se një prej çështjeve më të ndjeshme të këtij rasti ka të bëjë me frikësimin e dëshmitarëve. Sipas tij, disa prej dëshmitarëve që do të paraqiten në seancë gjatë procesit gjyqësor do të kenë “frikë” që të tregojnë për ato që kanë përjetuar.

10:52 3.4.2023

Prokuroria: Të akuzuarit krijuan Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së


Prokuroria e Specializuar tha se përmes provave do të dëshmojë se UÇK-ja kishte hierarki dhe se të katër të akuzuarit kishin autoritet në Shtabin e Përgjitshëm.

Prokurori Alex Whiting, tha se Hashim Thaçi gjatë marrjes në pyetje në Hagë ka dëshmuar se Shtabi i Përgjithshëm ka qenë “jofunksional” dhe vetëm "në letër". Megjithatë, ai tha se këto pretendime do të hidhen poshtë gjatë gjykimit.

Ndërkaq, prokurori i specializuar Matthew Halling, dha një historik se si u krijua UÇK-ja. Ai tha se UÇK-ja buroi nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) që “besonte se liria për shqiptarët mund të fitohej vetëm përmes forcës” dhe ishte në kundërshtim me politikën që ndiqte LDK-ja, që ishte rezistencë paqësore.

Ai po ashtu përmendi disa prej deklaratave të bëra nga të pandehurit më herët në media, lidhur me Shtabin e Përgjithshëm dhe vetë UÇK-në, duke prezantuar edhe intervista të dhëna për gazeta të ndryshme.

Thaçi, Veseli dhe Selimi, sipas prokurorisë, themeluan “Shtabin e Përgjithshëm dhe e nisën këtë ndërmarrje të përbashkët kriminale” dhe Krasniqi ishte anëtar i drejtorisë politike.

Mbrojtja e të pandehurve më herët ka thënë se UÇK-ja nuk kishte organizim.

10:57 3.4.2023

Vetëm 3 kilometra larg ndërtesës ku po mbahet gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë shqiptarë nga Kosova dhe diaspora po protestojnë në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

11:19 3.4.2023

ZPS: Selimi konfirmoi detyrat që kishin të katër të pandehurit

Prokurori Matthew Halling vazhdoi me deklaratën hyrëse, duke thënë se gjatë intervistimit në Hagë nga prokurorët e specializuar, Rexhep Selimi, ka konfirmuar postet që katër të akuzuarit kanë pasur gjatë luftës në Kosovë.

Më pas ai lëshoi një pjesë të intervistë në Hagë, ku Selimi flet se kush i shkruante komunikatat e UÇK-së dhe kush ishte përgjegjës për mesazhin që duhej nxjerrë në publik.

Sipas Halling, Thaçi në fundin e vitit 1998 kishte marrë drejtimin e drejtorisë politike të UÇK-së, Veseli kishte qenë përgjegjës për drejtorinë e zbulimit, Selimi ishte inspektor i përgjithshëm i UÇK-së dhe Krasniqi ishte zëdhënës, pra “i ngarkuar për t’iu dhënë zë” politikave të këtij organizimi.

Po ashtu, prokurori i specializuar përmendi një libër të shkruar nga Krasniqi, që tha se flet për hierarkinë që kishte UÇK-ja dhe se ajo "duhej respektuar".

*Shikoni seancën e Gjykatës Speciale:

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG