Pas dy orësh, seanca e parë e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së është në pauzë.
Më poshtë iu sjellim të përmbledhura pikat kyçe të kësaj seance:
- Në nisje të gjyqit, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u deklaruan të pafajshëm për aktakuzën për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit
- Prokuroria nisi deklaratën hyrëse, që pritet të jetë në kohëzgjatje prej maksimumi pesorësh, duke argumentuar se gjatë gjykimit do të paraqesë prova që dëshmojnë se katër ish-krerët e UÇK-së kanë “personalisht përgjegjësi për krimet” që janë paraqitur në aktakuzë
- Prokurori i Specializuar, Alex Whiting, tha se ky rast nuk është “gjykim i UÇK-së”, por vetëm ndaj katër të pandehurve
- Sipas Prokurorisë së Specializuar, të katër të akuzuarit ishin udhëheqës të një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale” dhe se qëllimi i kryerjes së krimeve ishte fitimi i pushtetit
- Sipas prokurorisë, shumica e viktimave ishin shqiptarë dhe katër të pandehurit kishin vënë në shënjestër persona që i konsideronin kundërshtarë të UÇK-së dhe bashkëpunëtorë të Serbisë
- Prokuroria tha se katër të akuzuarit ishin anëtarë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjithshëm
- Sipas Prokurorisë, gjatë luftës Thaçi kishte drejtuar drejtorinë politike, Veseli atë të zbulimit, Selimi kishte qenë inspektor i përgjithshëm i UÇK-së dhe Krasniqi kishte qenë zëdhënës
- Detyrat, sipas Prokurorisë, janë konfirmuar nga Selimi gjatë intervistës dhënë para prokurorëve të specializuar në Hagë, por edhe nga një libër i Krasniqit, ku përmendej hierarkia e UÇK-së
- Ish-krerët e UÇK-së akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme. Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave
Rinis seanca gjyqësore
Ka rinisur seanca e parë gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prokurori i specializuar, Matthew Halling, tha se Hashim Thaçi, përmes një komunikate në mars të vitit 1999 njoftoi për themelimin e Qeverisë së Përkohshme, në të cilën ishte kryeministër. Sipas organogramit të paraqitur nga Prokuroria, Veseli ishte drejtues i Shërbimit Informativ të Kosovës (SHIK), Selimi ministër i Rendit dhe Krasniqi zëdhënës.
Sipas Prokurorisë, Qeveria vazhdoi të njoftonte Shtabin e Përgjithshëm për veprimtaritë e kundërzbulimit dhe se SHIK kishte vazhduar punën kundër kolaboracionistëve.
Prokuroria po ashtu u ndal në marrëveshjen për çmilitarizim mes NATO-s dhe ish-Jugosllavisë, që mundësoi tërheqjen e trupave serbe nga Kosova. Halling tha se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, por edhe misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, kishin hetuar krimet e pretenduara të luftës, por edhe shkeljet e marrëveshjes së çmilitarizimit.