Ish-krerët e UÇK-së deklarohen të pafajshëm
Gjykatësi ka kërkuar nga të pandehurit që të deklarohen sërish për aktakuzën e plotësuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Hashim Thaçi tha se "jam plotësisht i pafajshëm".
Veseli u deklarua "tërësisht i pafajshëm".
Selimi u shpreh se "jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës".
Ndërkaq, Krasniqi tha se nuk ka "asnjë lidhje me pikat e aktakuzës".
"Nuk mbaj asnjë përgjegjësi për të cilën flet aktakuza", theksoi ai.
Protestë në Hagë në mbështetje të ish-eprorëve të UÇK-së
Qindra qytetarë nga Kosova dhe diaspora janë mbledhur më sheshin Laan van Reagan en Gorbatsjov në Hagë, në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Sheshi ndodhet rreth 3 kilometra larg Gjykatës Speciale të Kosovës ku më 3 prill ka nisur gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në mesin e protestuesve ka edhe pjesëtarë të diasporës nga Gjermania, Kroacia e Zvicra.
Prokuroria thotë se shumica e viktimave ishin shqiptarë
Prokurori i specializuar, Alex Whiting, ka nisur deklarimin e tij. Ai tha se katër të akuzuarit kanë qenë themelues të UÇK-së dhe të Shtabit të Përgjitshëm.
Sipas tij, gjatë kohës që e mbulon aktakuza, ata kanë "mbështetur dhe zbatuar një politikë që vinte në shënjestër personat që shiheshin si bashkëpunëtorë, kolaboracionistë me Serbinë", por edhe persona që shiheshin se kundërshtonin UÇK-në apo përkrahnin Lidhjen Demokratike të Kosovës.
"Shumica e viktimave ishin shqiptarë të Kosovës, njësojë si ata", theksoi Whiting.
"Kjo politikë e promovuar nga të akuzuarit, synonte burgosjen, keqtrajtimin, ndonjëherë vdekjen e të ndaluarve", shtoi ai.
Whiting: Fitimi i pushtetit, motivi i kryerjes së krimeve
Whiting po vazhdon të paraqesë rastin e Prokurorisë. Ai tha se motivi i kryerjes së këtyre krimeve të pretenduara në aktakuzë ishte “arsyeja ishte për të fituar pushtet në luftë, në Kosovë ndaj personave që perceptoheshin si kundërshtarë të UÇK-së”.
“Mund t’i kenë kryer nga frika se kauza e tyre do të minohej, nga ata që perceptoheshin si kundërshtarë. Mund të jenë kryer nga hakmarrja. Do të shihni prova për këto të dyja”, tha ai.
“Qëllimi kriminal i përbashkët për të vënë në shënjestër kundërshtarët nuk ishte aspak i fshehtë”, tha Whiting.