Ndërlidhjet

Ish-krerët e UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit,
Ish-krerët e UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit,

Përfundojnë deklaratat hyrëse në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

  • Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
  • Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.
  • Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.
  • Të katërtit, ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm.
10:33 5.4.2023

Krasniqi: Asnjëherë s’kam qenë i përfshirë në vrasje e burgosje

Ish-zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, në fjalën e tij para trupit gjykues, tha se ai “urren dhunën, vrasjen e torturat”, jo sepse ai ka qenë subjekt i dhunës, por sepse “i konsideroj të ulëta”.

“Kushdo që më njeh do t’iu thotë, se unë Jakup Krasniqi, asnjëherë nuk kam qenë i përfshirë në asnjë vrasje, burgosje në asnjë formë të presionit ndaj kujtdo qoftë”, tha ai.

Ai po ashtu tha se nuk e kupton logjikën e aktakuzës së ngritur ndaj tij, duke shtuar se "ndaj popullit tonë është ushtruar dhunë sistematike".

10:21 5.4.2023

Mbrojtja e Krasniqit: NATO nuk do ta mbështeste një ndërmarrje kriminale

Venkateswari Alagendra, avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, tha se fakti që prokuroria insiston se në UÇK ka pasur një ndërmarrje të përbashkët kriminale, dhe pretendimi për qëllim të përbashkët kriminal “ishte i njohur dhe publik”, nuk qëndrojnë.

“Kjo i bie që NATO mbështeti një ndërmarrje kriminale të njohur”, tha ajo duke iu referuar bombardimeve të NATO-s që çuan në fundin e luftës në Kosovë.

Ajo tha se ZPS-ja nuk ka asnjë “provë të besueshme që e lidh Krasniqin me asnjë krim, nuk ka prova për qëllime të përbashkëta kriminale”.

10:14 5.4.2023

Avokatja e Krasniqit: Ai nuk kishte pushtet të kontrollonte ushtarët

Në vazhdimin e fjalës hyrëse të mbrojtjes së Jakup Krasniqit, avokatja Venkateswari Alagendra, tha se prokuroria e ka keqinterpretuar rolin e Krasniqit në UÇK dhe gjithë organizimin e kësaj ushtrie.

“Ai nuk ka qenë në një marrëdhënie hierarkike me autorët fizikë të krimeve. Ai nuk kishte aftësi për të kontrolluar në mënyrë efektive ndonjë ushtar”, tha Alagendra.

Sipas saj, prokuroria ka dështuar ta bëjë lidhjen e krimeve të pretenduara me vendndodhjen fizike të Krasniqit nëpër periudha të ndryshme kohore gjatë vitit 1999.

Alagendra deklaroi se “prokuroria duket sikur është bërë pjesë e propagandës kundër UÇK-së”.

“Provat do të tregojnë se organizimi i UÇK-së ishte i ndryshëm në vende të ndryshme dhe kohë të ndryshme”, tha ajo dhe shtoi se UÇK-ja asnjëherë nuk ka pasur një hierarki vertikale të komandës.

Shikojeni ditën e tretë të gjykimit:

10:05 5.4.2023

Mbrojtja: Provat e ZPS-së nuk e lidhin Krasniqin me krimet e pretenduara

Në ditën e tretë të gjykimit, avokatja mbrojtëse e Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagendra, ka nisur deklaratën e saj hyrëse.

Alagendra tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka prova që e lidhin klientin e saj me krimet e pretenduara.

“Provat e prokurorisë do të tregojnë rolin e vërtetë të Krasniqit. Ai nuk kishte kompetenca dhe përgjegjësi që kërkon t’i ngarkojë ZPS-ja dhe as aktivitetet e tij nuk mund të lidhen me asnjë krim që pretendohen nga prokuroria”, tha ajo.

Avokatja tha se Krasniqi ishte emëruar zëdhënës i UÇK-së në qershor të vitit 1998 dhe të gjithë aktivitetin e tij e ka pasur publik.

“Zëdhënësit nuk përfshihen në çështje operacionale”, tha ajo.

Alagendra tha se Krasniqi ishte emëruar një prej dy zëvendëskomandantëve të UÇK-së për një periudhë të shkurtër kohore, por ai kishte qenë zëvendëskomandant për mbështetje dhe nuk kishte të bënte me çështje operacionale.

Sa i përket disa dokumenteve që ZPS-ja ka gjetur në shtëpinë e Krasniqit, pas arrestimit të tij, mbrojtja tha se ZPS-ja duhet të vërtetojë autorësinë e tyre.

“Gjetja e këtyre dokumenteve në shtëpinë e tij nuk i bën autentike”, tha Alagendra.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG