Mbrojtja e Veselit nis deklaratën hyrëse
Në Gjykatën Speciale në Hagë ka rinisur seanca gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Tani radhën për deklaratën hyrëse e ka Ben Emmerson, avokati i Kadri Veselit.
Ai pritet të shfrytëzojë 45 minuta deri në 1 orë kohë për deklaratën e tij hyrëse.
Deklarimi i Thaçit para Gjykatës Speciale
Ish-udhëheqësi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të gjykimit ndaj tij dhe ndaj tre ish-eprorëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, tha se i vjen keq për të gjitha viktimat në luftë. Por, ai theksoi se ky gjykim ka dëshmuar se nuk ka pasur Shtëpi të Verdhë e as trafikim organesh, siç pretendohej në një raport të vitit 2011 të Këshillit të Evropës, që i hapi rrugë themelimit të Gjykatës Speciale.
Profil i Hashim Thaçit
Një profil për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, që po përballet me gjykim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit pranë Gjykatës Speciale në Hagë.
Seanca në pauzë
Për herë të dytë gjatë ditës së sotme, punimet e seancës gjyqësore në Gjykatën Speciale në Hagë janë ndërprerë për një pauzë. Pas pauzës, ekipet e mbrojtjes të të akuzuarve të tjerë do të vazhdojnë me deklarimet e tyre hyrëse.
Por, më poshtë ne ju sjellim disa prej pikave kyçe të ditës së dytë të gjykimit:
- Hashim Thaçi iu drejtua Dhomave të Specializuara përmes një fjale të shkurtër. Ai fillimisht kërkoi falje për të gjitha viktimat dhe shprehu sërish pafajësinë
- Thaçi tha se ky gjykim ka dëshmuar se ai, as UÇK-ja, as populli i Kosovës nuk kanë kryer trafikim organesh, akuza të bëra në një raport të Këshillit të Evropës, që i hapën rrugë themelimit të Gjykatës Speciale
- Sipas ish-presidentit të Kosovës, drejtësia për viktimat nuk mund të arrihet përmes ndjekjes së personave të pafajshëm. Ai shprehu bindjen se në fund të procesit do të dëshmohet se është i pafajshëm për të gjitha pikat e akuzës
- Thaçi tha se synimi i rezistencës paqësore dhe asaj të armatosur ishte i njëjtë, ai i lirisë së Kosovës
- Para fjalimit të Thaçit, ekipi i mbrojtjes së tij tha se UÇK-ja nuk ka pasur politikë për shënjestrimin e kundërshtarëve, ashtu siç pretendon Zyra e Prokurorit të Specializuar