Çfarë ndodhi në ditën e parë të gjyqit ndaj ish-krerëve të UÇK-së?
Pas më shumë se dy vjetësh që nga konfirmimi i aktakuzës, në Hagë më 3 prill nisi gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Në vendlindjen e Thaçit ndjekin gjykimin në Hagë
Në dyqane e lokale të ndryshme, qytetarë nga Skenderaj dhe banorë të fshatit Burojë, që është vendlindja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, të hënën kanë përcjellë fillimin e gjykimit ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ata e konsiderojnë të padrejtë gjykimin që po u bëhet nga Gjykata Speciale në Hagë.
Përfundon dita e parë e gjykimit
Me deklaratën e mbrojtësit të viktimave, ka përfunduar dita e parë e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 4 prill, ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, do të nisin deklaratat e tyre hapëse, në rastin që ka të bëjë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Mbrojtësi i viktimave: Viktimat duan të zbulohet e vërteta
Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se procesi gjyqësor, duhet të përqendrohet në atë që të zbulohet e vërteta dhe po ashtu është e rëndësishme “që të pranohet faji”.
“Ata kanë të drejtën që të zbulohet e vërteta, të dëgjohen dëshmi dhe të pranohen vuajtjet që kanë kaluar dhe përvojat që kanë kaluar”, tha ai.
Sipas tij, për viktimat shqiptare janë bërë përpjekje “që të turpëroheshin dhe të mos flisnin”, por sipas tij kjo nuk ka funksionuar.
Ndërkaq, viktimat serbe të këtij rasti, sipas Laws, nuk ishin subjekt “i të njëjtës trysni. Çmimi që u desh të paguanin ishte jeta në mërgim”, tha ai.
Mbrojtësi i viktimave po ashtu kërkoi që gjykimi të përqendrohet në pranimin “e dëmit” që u është shkaktuar viktimave.