Ndërlidhjet

Ish-krerët e UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit,
Ish-krerët e UÇK-së të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit,

Përfundojnë deklaratat hyrëse në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

  • Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
  • Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.
  • Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.
  • Të katërtit, ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm.
16:04 3.4.2023

Mbrojtësi i viktimave: Për viktimat, nisja e gjykimit ishte e paimagjinueshme

Mbrojtësi i viktimave, Simon Laws, tha se për shumicën e viktimave, nisja e gjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishte diçka “e paimagjinueshme”.

“Ata [të akuzuarit] ishin persona të fortë. Në qoftë se ata kanë qenë duke i bërë këto krime, me siguri nuk kanë imagjinuar që do të vinte një ditë si kjo e sotmja”, tha ai.

Mbrojtësi i viktimave tha se ata ishin komuniteti shqiptar, serb dhe rom, dhe se ishin myslimanë, katolikë dhe ortodoksë.

"Edhe pse të gjithë janë të klasifikuar në një grup, ata janë 140 individë", tha ai.

Laws tha se pavarësisht dallimeve që kanë viktimat, “ata janë të bashkuar në dëmin që kanë pësuar”.

“Pikëllimi, dhimbja, humbja dhe padrejtësia nuk njihini dallime”, tha ai.

“Ata kanë një gjë të përbashkët. Ata ishin viktima të krimeve që nuk kishin pikë justifikimi. Për secilin prej tyre, një ditë ndryshoi jetët e tyre përgjithmonë”, theksoi ai.

Mbrojtësi i viktimave tha po ashtu se viktimat janë etiketuar si “tradhtarë” dhe kanë kërkuar që për secilin prej tyre, përmes fakteve, të dëshmohet e kundërta para kësaj gjykate.

“Ata e shohin veten se janë etiketuar si tradhtarë. Viktimat që ne përfaqësojmë i kundërshtojnë këto etiketime”, tha Laws.

“Por, etiketimet të vrasin. Disa prej tyre janë të frikësuar për hakmarrje”, theksoi ai.

15:56 3.4.2023

Prokuroria: Krimet ishin të përhapura dhe sistematike

Në përmbyllje të deklaratës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, prokurorja Clare Lawson, tha se asnjë gjykate nuk i është kërkuar më herët të shqyrtojë rolin dhe përgjegjësinë për pjesëtarët individualë kyçë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, siç i është kërkuar Gjykatës Speciale.

Ajo tha se gjatë gjykimit do të dëgjohen rrëfimet e disa prej viktimave të krimeve të pretenduara të ish-krerët e UÇK-së.

“ZPS-ja do të paraqesë prova të krimeve që ishin të përhapura dhe sistematike në mbi 40 qendra ndalimi të UÇK-së”, tha ajo.

“ZPS-ja ka marrë një mori provash, përfshirë edhe disa qindra faqe të sekuestruara nga shtëpitë e të akuzuarve. Qëllimi i përbashkët dëshmohet mjaftueshëm përmes këtyre dokumenteve”, shtoi Lawson.

Prokurorja tha se qëllimi i përbashkët i tyre ishte të shënjestronin ata që i konsideronin “kolaboracionistë” dhe kundërshtarë të tyre, sikurse pjesëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lawson pretendoi se disa prej të akuzuarve e kanë pranuar vetë se ky ka qenë qëllimi i tyre. Ajo tha se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ishin “dirigjuesit e krimeve” të pretenduara.

“[Në gjykim] nuk do të dëgjoni se të akuzuarit kanë ndërmarrë veprime për të parandaluar krimet sepse krimet kanë qenë të synuara nga të akuzuarit dhe janë vënë në jetë nga vetë ata”, tha prokurorja e specializuar.

Ajo tha se të katër të pandehurit kanë udhëhequr një “luftë speciale” kundër personave që i konsideronin kolaboracionistë.

15:36 3.4.2023

Prokuroria: Të ndaluarit u mbajtën në kushte të rënda

Prokurori i specializuar, James Pace, tha se të ndaluarit në mënyrë të paligjshme, ishin mbajtur në “kushte të rënda”.

“Kushtet e ndalimit në disa vende të ndalimit ishin aq të rënda saqë disa persona të caktuar të mbajtur aty mendonin që më mirë të kishin vdekur sesa të mbaheshin ashtu”, tha prokurori Pace.

Ai po ashtu tha se të ndaluarit në shumë qendra të pretenduara ndalimi në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë, u ishin nënshtruar rrahjeve me shufra hekuri, shkop bejsbolli e gjësendeve të tjera.

Në Llapushnik, sipas Pace, disa të ndaluarve ua shkulën thonjtë me darë.

“Në Llapushnik dyshemeja ishte prej betoni me fekale kafshësh të shpërndara përreth”, tregoi prokurori duke thënë se disa të ndaluar ishin të mbajtur të lidhur me zinxhirë dhe flinin në vendin e njëjtë ku kryenin nevojat fiziologjike.

Sipas tij, në një prej qendrave të ndalimit “disa të ndaluar u detyruan të hapnin varrin e vet”, e në vende të tjera panë të tjerët teksa rriheshin e merreshin në pyetje.

15:22 3.4.2023

Rinis seanca gjyqësore

Prokurori i Specializuar, James Pace, ka vazhduar deklaratën hyrës të prokurorisë në gjyqin kundër ish-krerëve të UÇK-së.

Ai foli për rastin e ndalimit të tre personave në një qendër ndalimi në Prizren, dhe ka inkriminuar drejtpërdrejt në zhdukjen e dy "kundërshtarëve" të UÇK-së nga një qendër e pretenduar e ndalimit në Drenoc.

"Padyshim do të vëmë re një praktikë që do të dalë në provat që do të paraqiten këtu, do të shikoni sesi të ndaluarit në këto qendra të ndalimit gjatë gjithë kohës janë marrë në pyetje. Marrja në pyetje paraqet qëllimin se pse ishin shënjestruar, pasi ata pretendoheshin se bashkëpunonin me forcat serbe apo se ishin të lidhur me të", tha ai.

Në Likoc, sipas tij, të ndaluarit u akuzuan se ishin "tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë", ngjashëm sikurse në Llapushnik dhe Jabllanicë, pretendoi Pace.

Sipas tij, Thaçi dhe Sabit Geci i cilësuan personat e ndaluar në Jabllanicë si "rugovistë" dhe kërkuar që ata të hiqnin dorë nga LDK-ja dhe Ibrahim Rugova. Prokurori i specializuar tha se të ndaluarit u vlerësuan se ishin "kolaboracionistë".

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG