Specialja në pauzë
Punimet e seancës gjyqësore janë ndërprerë për shkak të pauzës së drekës. Në pjesën e dytë të seancës, prokurorët e specializuar, Ward Ferdinandusse, Alan Tieger dhe James Pace, paraqitën aspekte të ndryshme të rastit ndaj katër të pandehurve, të cilat po ua risjellim të përmbledhura:
- Prokuroria tha se UÇK-ja, përmes komunikatave dhe vendimeve të tjera, shënjestroi ata që i konsideronte kundërshtarë
- Prokuroria tha se të akuzuarit kanë themeluar dhe udhëhequr “ndërmarrjen e përbashkët kriminale” që ka shënjestruar “kolaboracionistët” dhe tradhtarët, terma, që sipas prokurorëve të specializuar “janë ngatërruar” nga UÇK-ja
- Sipas Prokurorisë, UÇK-ja ka ndaluar paligjshëm mbi 400 persona dhe të paktën 102 prej tyre kanë vdekur
- Qendrat e ndalimit ishin në mbarë Kosovën dhe në veri të Shqipërisë dhe shpesh, sipas prokurorëve, ato ishin në selitë rajonale të UÇK-së
- Prokurorët thanë se kanë gjetur te shtëpitë e disa prej të akuzuarve edhe blloqe shënimesh me emrat e “kolaboracionistëve” apo të personave “të ndaluar në mënyrë të paligjshme”
- Në aktakuzë, tha Prokuroria, katër të akuzuarit dyshohet se kanë marrë pjesë në “vrasjen e tre personave” në një qendër ndalimi në Jabllanicë
- Jakup Krasniqi, sipas prokurorit Alan Tieger, kishte pranuar publikisht se UÇK-ja ka “paralajmëruar se do t’i vriste kolaboracionistët”
- Prokuroria pretendoi se ka prova që dëshmojnë se vendimet e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” po zbatoheshin
ZPS: Mbi 400 të ndaluar nga UÇK-ja, të paktën 102 të vrarë
Në vazhdim të fjalës hyrëse të Prokurorisë së Specializuar në Hagë u përmendën rastet e ndalimit të individëve nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Anëtarët e UÇK-së u hoqën lirinë qindra individëve pa proces të rregullt gjyqësor. Ka të paktën 440 incidente sa i takon ndalimit të personave”, tha prokurori James Pace.
Sipas tij, viktimat përfshinin persona që punonin në pylltari, bujqësi, gazetarë, mësues e të tjera.
“Shumë ishin mbështetës të LDK-së ose thjesht nuk mbështesnin UÇK-në”, tha ai.
Sipas Prokurorisë pati shumë keqtrajtime të të ndaluarve dhe në rastet më të rënda, vrasje.
“Të paktën 102 viktima nuk mbijetuan, por vdiqën mizorisht sepse konsideroheshin kundërshtarë”, tha ai, duke shtuar se krerët e UÇK-së akuzohen se janë përgjegjës për këto vrasje.
Sipas tij, të paktën 20 persona janë ende të zhdukur.
“Provat do të tregojnë se të akuzuarit janë përgjegjës për këto krime”, tha ai.
Shumica e vendndalimeve ishin, sipas Prokurorisë, selitë rajonale të zonave të UÇK-së.
Pace tha se në Jabllanicë, të akuzuarit se "kanë vrarë të paktën tre persona" dhe një person ende konsiderohet i zhdukur.
Ai tregoi edhe hartën e qendrave të dyshuara të ndalimit, të cilën mund ta gjeni KËTU
Tieger: UÇK paralajmëronte “kolaboracionistët” se do t’i vriste
Prokurori i specializuar, Alan Tieger, tha se përmes komunikatave të lëshuara, UÇK-ja synonte të paralajmëronte “kolaboracionistët” se do të vriteshin.
Ai këtë e mbështeti edhe te një intervistë që Krasniqi kishte dhënë për Spiegel, ku kishte deklaruar se “kolaboracionistët janë paralajmëruar se do të vriten” nëse nuk ndryshojnë qëndrim.
Sipas tij, Shtabi i Përgjithshëm kishte dhënë urdhër që të merreshin masa ndaj kujtdo që punonte kundër UÇK-së.
Në këtë kuadër, ai përmendi disa qendra të pretenduara të ndalimit në Likoc e Drenoc. Sipas Tieger, emrat e disa personave që ishin ndaluar më 1998 në Drenoc dhe Likoc ishin shkruar “në bllok shënimesh.
Ai tha se provat e Prokurorisë do të dëshmojnë se vendimet e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” po zbatoheshin.