Ndërlidhjet

Beteja ligjore e Vetëvendosjes - manovër politike apo sfidë ligjore


Gjykata Kushtetuese e Kosovës
Gjykata Kushtetuese e Kosovës

Njohësit e çështjeve juridike dhe kushtetuese në Kosovë e komentojnë ndryshe-ndryshe veprimin e Lëvizjes Vetëvendosje për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese kundër vendimit të Gjykatës Supreme, në lidhje me votat me postë.

Kjo parti njoftoi më 27 mars se i ka kërkuar Kushtetueses ta vlerësojë kushtetutshmërinë e vendimit të Supremes, e cila, një ditë më herët, e rrëzoi ankesën e saj ndaj një vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP), i cili po ashtu e rrëzoi ankesën e partisë për votimin me postë.

Çka do të thotë kërkesa e Vetëvendosjes për Kushtetuesen?

Ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, thotë se asnjë parti politike në Kosovë - përfshirë Lëvizjen Vetëvendosje - nuk është palë e autorizuar me ligj për të bërë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese.

“Nuk ka mundësi që si grupacion, si parti, të bëjë ndonjë kërkesë për shqyrtimin e ndonjë vendimi [nga Gjykata Kushtetuese]”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje do vetëm që të blejë kohë, sepse, “në aspektin juridik-kushtetues, veprimi i saj është zero”.

Ligji për Gjykatën Kushtetuese saktëson se kërkesë në këtë gjykatë mund të parashtrojë një e katërta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, presidenti i Republikës së Kosovës, Qeveria ose Avokati i Popullit.

Por, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, thotë se Lëvizja Vetëvendosje i ka shfrytëzuar mjetet paraprake ligjore të përcaktuara me ligj - si ankesa në PZAP dhe në Gjykatën Supreme të Kosovës - dhe kjo i hap rrugë ankesës në Kushtetuese.

“Kanë të drejtë të ankohen [në Gjykatën Kushtetuese]”, thotë Miftaraj.

Edhe ai është i mendimit se Lëvizja Vetëvendosje përpiqet të përfitojë kohë, në përpjekje për të arritur deri te votat e domosdoshme në Kuvend, për të formuar qeverinë e re.

Në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, asnjë parti nuk fitoi mjaftueshëm vota për të qeverisur e vetme, e as Vetëvendosje e cila fitoi rreth 42 për qind.

“Në radhë të parë, duhet kuptuar se Gjykata Kushtetuese edhe në të kaluarën ka trajtuar raste të njëjta, jo më larg se në vitin 2021, kur një parti e komunitetit joshumicë parashtroi ankesë. Por, përkundër kësaj, Lëvizja Vetëvendosje, atë vit, nuk e priti fare vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nisi formimin e institucioneve, konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e kryetarit, nënkryetarëve të Kuvendit, si dhe formimin e qeverisë”, thotë Miftaraj.

A mund të ndikojë kërkesa e Lëvizjes Vetëvendosje në finalizimin e procesit zgjedhor?

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e certifikoi rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, më 27 mars.

Të dy njohësit e çështjeve juridike dhe kushtetuese thonë se pritja e një vendimi nga Gjykata Kushtetuese, e cila mund të vonojë për shumë muaj, nuk mund të jetë pengesë për krijimin e institucioneve të reja.

Por, çfarë ndikimi mund të ketë “masa e përkohshme” ndaj një vendimi të caktuar?

Lëvizja Vetëvendosje kërkoi, po ashtu, nga Gjykata Kushtetuese që të vendoset “masë e përkohshme” ndaj vendimit të Gjykatës Supreme.

“Për rastin konkret, [Gjykata Kushtetuese] nuk jep asnjë verdikt, sepse nuk ka të drejtë t’i trajtojë kërkesat nga palët e paautorizuara”, thotë Kryeziu.

Me të nuk pajtohet Miftaraj, i cili thotë se Kushtetuesja mund ta trajtojë këtë kërkesë të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në rast se Gjykata Kushtetuese vendos ‘masë të përkohshme’, atëherë, deri në vendimin [përfundimtar] të Gjykatës, nuk mund të konstituohet as Kuvendi i Kosovës dhe as të formohet qeveria e re”, thotë Miftaraj.

Por, sipas tij, praktikat e deritashme kanë treguar se Gjykata Kushtetuese nuk vendos “masë të përkohshme” në raste dhe rrethana të ngjashme sikurse aktualja.

Ai pret që Kushtetuesja ta peshojë rëndësinë e funksionimit demokratik të institucioneve në njërën anë dhe rezultatin potencial negativ nga mosfunksionimi i tyre në anën tjetër.

“Gjykata Kushtetuese merr kohë gjashtë muaj ose një vjet për një vendim. A mund të imagjinohet vendi një vjet pa Kuvend?”, përfundon Miftaraj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG