Ndërlidhjet

Gjuha shqipe drejt zyrtarizimit para zgjedhjeve lokale në Maqedoni


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Debatet e ashpra rreth çështjeve etnike dhe gjuhëve në Maqedoni, sipas njohësve të çështjeve politike, po shihen si përpjekje për përfitime politike në prag të zgjedhjeve lokale në këtë vend.

Një debat më i ashpër rreth Ligjit për përdorimin e gjuhëve, i cili parasheh përdorim zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoni në nivel qendror dhe atë lokal, ishte zhvilluar mes deputetëve të opozitës maqedonase, VMRO DPMNE dhe kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili vjen nga radhët e partisë shqiptare në pushtet Bashkimit Demokratik për Integrim.

Nisur nga ndjeshmëria e temës, kryetari Xhaferi u kishte kërkuar deputetëve që debati në Kuvend të mos shndërrohet në fushatë parazgjedhore.

Sefer Tahiri, ligjërues i Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, tha për Radion Evropa e Lirë se partitë politike maqedonase varësisht nga ajo se janë në pushtet ose opozitë kanë qasje të ndryshme ndaj kërkesave të shqiptarëve dhe të drejtave të tyre kolektive, ku bën pjesë dhe zyrtarizimi i gjuhës shqipe.

Tahiri kujton se ligji që i mundëson një shtrirje më të gjerë përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe, mund të miratohet me procedurë të shpejtuar për shkak të presionit nga ana e partive maqedonase.

Përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe, mendoj që po tentohet të përdoret nga forcat e caktuara politike në momentin kur duhet të fillojë fushata zgjedhore. Shoqëria maqedonase nuk është e përgatitur deri në fund që të ballafaqohet me kërkesat e shqiptarëve, prandaj tentohet që ligji të miratohet me këtë procedurë të përshpejtuar duke pas para vetes flamurin evropian”, tha Tahiri.

Sipas tij, pala maqedonase duhet të ketë një qasje tjetër në raport me kërkesat kolektive të shqiptarëve.

Të drejtat kolektive të shqiptarëve të konsiderohen si diçka normale dhe jo si diçka e jashtëzakonshme, si diçka jo e natyrshme për shoqërinë dhe sidomos për shtetin e Maqedonisë sepse shqiptarët këto të drejta i kanë artikuluar qartë dhe nuk heqin dorë nga to”, theksoi Sefer Tahiri.

Një nga kërkesat kryesore të partive shqiptare në kohën e formimit dhe pjesëmarrjes në Qeverinë e re të Maqedonisë ishte pikërisht Ligji i gjuhëve, përkatësisht zgjerimi i përdorimit zyrtar duke u bërë dhe një nga pesë pikat kryesore të platformës së partive politike shqiptare.

Njohësit e çështjeve politike thonë se insistimi i partive politike shqiptare në pushtet, që Ligji për gjuhët të kalojë para zgjedhjeve ka të bëjë me atë që ky ligj menjëherë pas miratimit të shfrytëzohet si monedhë fitimprurëse para elektoratit shqiptar në këmbim të votës së tyre.

Njësoj si VMRO - DPMNE-ja, ashtu edhe partitë shqiptare që janë pjesë e Qeverisë së Zoran Zaevit, këmbëngulin që të miratohet Ligji për përdorimin e gjuhëve para zgjedhjeve vendore, me qëllim që të njëjëtin ta përdorin për qëllime politike zgjedhore” thotë Tahiri.

Nga ana tjetër Mitko Gaxhovski ligjërues i shkencave politike, tha për Radion Evropa e Lirë se përderisa gjithçka shihet nën prizmin e interesave partiake, kjo, sipas tij, flet për nivelin e ulët të demokracisë.

Pse bëhet politikë rreth Ligjit për gjuhët? -Duke pas parasysh se ne si demokraci funksionojmë një afat të shkurtër kohorë, përkatësisht 26 apo 27 vite, kultura politike është në nivel shumë të ulët dhe nga këtu do të thosha burojnë të gjitha problemet me funksionimin e institucionit ligjdhënës, probleme këto që në asnjë mënyrë nuk përkojnë me funksionimin e shteteve të zhvilluara demokratike që janë pjesë e familjes evropiane, kah synon të ecë Maqedonia si shtet” tha Gaxhovski.

Strategjia që përdoret për miratimin e këtij Ligji ka të bëjë me nevojën që ai të marrë vizë nga Kuvendi pa iu nënshtruar bllokimeve si rrjedhojë e debateve të stërzgjatura”, thekson Gaxhovski.

Ndryshe në Kuvendin e Maqedonisë zhvillohet debati mbi leximin e parë të Ligjit për përdorimin e gjuhëve duke e definuar shqipen si gjuhë që e falsin mbi 20 për qind e popullatës, andaj parashihet një shtrirje më e gjerë e përkormit zyrtarë të gjuhës shqipe në të gjitha nivelet.

I njëjëti ligj besohet se do të miratohet para mbajtjes së zgjedhjeve vendore që janë caktuar të mbahen më 15 tetor.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG