Diskriminimet në bazë të përkatësisë etnike dhe politike kanë qenë më të theksuara gjatë vitit të kaluar, bazuar në raportin vjetor të Komitetit të Helsinkit të Maqedonisë.
Sipas të dhënave, më së shumti qytetarët janë të diskriminuar në marrëdhëniet e punës, shëndetësisë, arsimit, e deri te shërbimet e institucioneve. Raporti ka për bazë të dhënat e grumbulluara nga shoqatat qytetare dhe institucionet në fushat e diskriminimit për vitin e kaluar.
“Në ngritjen e vetëdijes për ekzistimin e diskriminimit më të zëshme janë shoqatat qytetare. Vlerësojmë se është e nevojshme që të ketë aktivitete në rritje nga institucionet në pjesën e parandalimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi”, thuhet ndër të tjera në raportin e Komitetit të Helsinkit.
Se prania e diskriminimit ka qenë evidente, flet edhe Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.
“Diskriminimin më të madh politik ne e kemi gjatë fushatave zgjedhore. Gjatë kësaj periudhe bëhen diskriminime të ndryshme, si etiketime, fyerje, kërcënime e deri në largime nga puna apo forma tjera të presionit. E gjithë kjo bëhet për fitimin e pikëve politike, por besoj se kësaj forme të dhunës i ka ardhur fundi pasi me nxitje të ndryshme, qoftë etnike apo politike nuk arrihen pikët politike”, thotë Dimovski sipas të cilit që të arrihen rezultate të dukshme duhet ndryshuar, siç thotë, mentaliteti i strukturave të caktuara.
“Vlerësoj se duhet të punohet shumë më tepër në ndryshimin e mentalitetit të atyre që bëjnë diskriminime, qofshin ata politikanë apo strukturat udhëheqëse nga të cilët edhe bëhen më shumë diskriminime, qofshin ato politike apo etnike. Këtu do të veçoja edhe diskriminimin e theksuar në arsim, i cili vlerësoj se mund të pengohet vetëm nëse zvogëlohen kompetencat kryetarëve të komunave dhe drejtorëve të shkollave, pasi pikërisht nga ata vijnë më shumë diskriminime”, thotë Vllado Dimovski nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike.
Shpëtim Pollozhani nga shoqata e ish të burgosurve politikë shqiptarë thotë se diskriminimi nuk i vazhdueshëm dhe jo vetëm nga viti i kaluar. Ai kujton rastin me shoqatën që i takon ku anëtarët e saj asnjëherë nuk janë trajtuar për dëmet që kanë pësuar nga ish regjimi komunist.
“Ishte miratuar një ligj në vitin 2002, me të cilin një herë i është pranuar statusi dhe pastaj janë zhdëmtuar të gjithë ish të burgosurit politik maqedon dhe ata që janë gjallë akoma i shfrytëzojnë benificionet e atij ligji. Ne nuk na përfshinë ai ligj, pasi na thanë se është vetëm për maqedonasit”, thotë Pollozhani.
Ai beson se në Maqedoni përfundimisht do të ketë ndryshim në qasjen e klasës politike. Ky, thotë ai, ndoshta është shansi i fundit që vendi të ecë një rruge të re pa diskriminime të shoqërisë, pasi sipas tij, alternativë tjetër nuk ka.
“Unë mendoj se ka sinjale se duhet të fryjnë era të reja. Shpresoj se kjo garniturë e re politike e maqedonasve e ka kuptuar se me metoda të vjetra bizantine komuniste nuk ecet përpara dhe nuk shkohet në Evropë. Shpresoj të fillohet më zgjidhjen e problemit të ish të burgosurve politikë, me zgjidhjen e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, pasi edhe ai ka mbetur pezul, me çështjen e gjuhës e kështu me radhë, shpresojmë”, thotë Shpëtim Pollozhani nga shoqata e ish të burgosurve politikë shqiptarë.