Ndërlidhjet

Krijimi i mediave të reja rrit keqinformimin 


Gazetarët në Prishtinë gjatë Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Medias. Fotografi ilustruese.
Gazetarët në Prishtinë gjatë Ditës Ndërkombëtare për Lirinë e Medias. Fotografi ilustruese.

Keqinformimi dhe gjuha e urrejtjes janë mjaft të pranishme në mediat e Kosovës. Kjo tendencë, sipas Bordit Ndërkombëtar të Kërkimit dhe Shkëmbimeve (IREX), është veçanërisht e pranishme në mediat në internet që prodhojnë lajme me një burim të vetëm.

Jeton Mehmeti, autor i raport të IREX-it, në pjesën ku flitet për Kosovën, ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë, se përkundër rritjes së numrit të mediave në Kosovë, kualiteti i lajmeve është në rënie e sipër.

Ai thotë se në raport përmenden fakte se dezinformatat dhe gjuha e urrejtjes, janë mjaft prezentë në media, sidomos në vitet elektorale.

"Gjuha e urrejtjes në media është shpeshtuar. Një prej burimeve të mesazheve urrejtëse dhe dezinformatave janë edhe deputetët, të cilët duke u fshehur prapa imunitetit lëshojnë deklarata të paverifikuara gjatë diskutimeve parlamentare, e të cilat pastaj publikohen edhe nga disa media. Edhe sondazhet me qytetarët e Kosovës tregojnë se përhapja e dezinformatave, propagandës dhe gjuhës së urrejtjes, janë prej arsyeve kryesore që qytetarët nuk u besojë disa mediave", thotë Mehmeti.

Faktorët të cilët nxisin urrejtjen kanë ardhur si pasojë e mungesës së burimeve të mjaftueshme, me ç'rast, sipas Mehmetit, një numër i madh i përmbajtjes që publikohet nga mediat ka mungesë të burimeve të shumëfishta të besueshme.

"Shumë raportime janë të bazuara në opinione apo deklarata të vetme të politikanëve apo individëve. Kjo praktikë ka bërë që shumë shkrime të kenë mungesë të kontekstit dhe elaborimit", thotë Mehmeti për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, në raport e organizatës thuhet se mediat kosovare ofrojnë informacion cilësor për një shumëllojshmëri temash dhe se mediat kryesore prodhojnë informacion bazuar në fakte.

raportin e IREX-it thuhet mes tjerash se kualiteti i informimit dhe konsumi dhe ndërveprimi me informacionin kanë pranuar pikët më të ulëta, duke theksuar se mediat dhe sektorët e informimit nuk kanë arritur që të plotësojnë në tërësi standardet ndërkombëtare për kualitetin e informimit.

Aty thuhet se mediat online janë rritur shpejt, duke nxitur shumëllojshmëri në kanalet e informimit. Kjo rrjedhje e informacioneve, megjithatë, nuk do të thotë që qytetarët e Kosovës kanë aftësinë dhe veglat e duhura të edukimit medial. Panelistët e përpilimit të raportit kanë theksuar se këto mangësi i lënë konsumatorët të ndjeshëm ndaj lajmeve të rreme. Megjithatë, panelistët gjithashtu shprehën besimin se keqinformimi dhe gjuha e urrejtjes janë mjaft prezentë në media.

Pikët më të ulëta nga 20 indikatorët iu dhanë indikatorit Barometri i Informimit të Pastër (VIBE) në burimet për prodhimin e përmbajtjes, duke lënë të kuptohet se mediat prodhojnë një sasi të madhe të lajmeve pa burime të mjaftueshme. Ky trend është veçanërisht prezent në mediat online, që po rriten në numër dhe që prodhojnë lajme një-burimore.

Krijimi i mediave të reja dhe nxitja e gjuhës së urrejtjes

Edhe Zekirja Shabani, njohës i mediave në Kosovës, njëherësh ish-kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se gjuha e urrejtjes dhe keqinformimi në Kosovë, çdo ditë e më shumë po rriten.

"Krijimi i mediave të reja përveç anës pozitive që ka me rritjen e pluralizmit medial, po ndikon edhe në rritjen e pakënaqësive ose nxitjen e gjuhës së urrejtjes. Mediat online, kryesisht ato që nuk kanë as adresë, as gazetar e as redaktor, po shfrytëzohen nga grupet e caktuara të interesit si mjete propagande në çështje politike apo lëmi të tjera", thekson Shabani.

Drejtoresha ekzekutive e Asociacionit të mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës, Ardita Zejnullahu, thotë për Radion Evropa e Lirë, se të gjitha gjetjet e raportit të IREX-it, sa i takon Kosovës, qëndrojnë.

Ajo thotë se për dallim nga mediat audio-vizuale, ku gjuha e urrejtjes është më pak e pranishme, në mediat online, ajo është shumë prezent.

"Në mediat online kjo dukuri është shumë prezent, pasi ato vet janë subjekt i vetrregullimit, po mendoj nuk ka ndonjë mjet sanksionues për keqinformim ose dezinformim ose për gjuhën e urrejtjes", shprehet Zejnullahu.

Shabani thotë se Kosova ka ligje të mjaftueshme të cilat do të mund ta rregullonin mirë funksionimin e mediave në përgjithësi.

"Ka nevojë për zbatimin e rregullativës ekzistuese ligjore e cila pastaj do t'i mbronte jo vetëm gazetarët e mediat prej tendencave politike ose grupeve të interesit, por edhe palët e tjera që janë cak i mediave. Zbatimi i regullativave ligjore do t'i mbronte edhe qytetarët nga propaganda, shantazhi, e sulmet e tjera nga grupet e interesit përmes të ashtuquajturave media", thekson ai.

Mediat e pakonsoliduar rrisin agresivitetin

Nga ana tjetër, profesori universitar dhe sociologu, Fadil Maloku, konsideron se gjuha e urrejtjes në mediat e Kosovës pa përjashtim është e tepruar. Ai mendon se ajo që është duke ndodhur ka qëllimin e përfitimeve të audiencës dhe klikimeve, gjë që sipas tij, ndikon keq në opinionin e gjerë.

"Mediat e pakonsoliduar e rrisin dozën e agresivitet me qëllim që të tregojnë se janë diku. Por, ideja dhe qëllimi është protagonizmi. Janë parë këto debate agresive, pa shije, pa kompetencë, por ky është produkt i një lloj mercenarizmi mediatik, i cili është duke u angazhuar. Tash së voni, në zgjedhjet e përgjithshme, për herë të parë në tregun medial në Kosovë kanë hyrë analistët me pagesë për të agjituar, për të mbrojtur ide dhe koncepte nga më të ndryshmet", thotë profesori Maloku.

Me qëllim të promovimit të një shoqërie tolerante, respektimit të standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si dhe të lirisë së shprehjes dhe për parandalimin e gjuhës së shpifjes dhe fyerjes, Kosova ka të miratuar Ligjin kundër shpifjes dhe fyerjes.

Barometri i Informacionit Aktiv nga IREX-i është një studim vjetor që shqyrton mënyrën se si prodhohet, përhapet, konsumohet dhe përdoret informacioni. Organizata jofitimprurëse IREX, me financim të Agjencisë amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) është e specializuar për çështje të arsimimin dhe zhvillimin global.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG