Ndërlidhjet

Pamja fizike si "virtyt politik" i grave në Kosovë


Vjosa Osmani
Vjosa Osmani

Deklaratë mizogjiniste dhe shprehje e mosbesimit ndaj grave në politikë – kështu e ka vlerësuar Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, deklaratën e ministrit në detyrë të Punëve të Brendshme, Agim Veliu, në adresë të ushtrueses së detyrës së presidentit, Vjosa Osmani.

Ndaj një deklarate të Osmanit se në Lidhjen Demokratike të Kosovës do të kthehej nëse do të largohej kryesia aktuale e partisë, Veliu ka thënë për një media lokale në Kosovë se nuk e ka ditur që Osmani “është aq e madhe saqë i nevojitet hapësirë aq sa komplet një kryesi duhet të largohet që të vi ajo”.

Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar Veliun për të dhënë sqarime mbi këtë deklaratë, por ai tha se ka aluduar në “fuqinë politike” të Osmanit, dhe jo në dukjen e saj.

Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, në një reagim për REL, tha se deklarata të tilla, që aludojnë në dukjen e Osmanit, përbëjnë gjuhë urrejtjeje.

“Jeta në politikë shihet si jetë e dominuar nga burrat dhe do të ishte më mirë që Agim Veliu të përkrahte gratë që të hyjnë në politikë me një gjuhë më demokratike dhe jo me një gjuhë të tillë, sepse e shohim qartë se kanë frikë nga gratë e zonja dhe kanë frikë nga votat e grave”, thotë Demolli.

“Po ashtu, këto deklarata e ulin ambicien e grave, i demotivojnë gratë e reja që të kyçen në politikë”, tha ajo.

Edhe Egnesa Vitia, këshilltare e Osmanit ka thënë se “më e pakta që duhet të ndodhë tani është shkarkimi yt (Veliut) i menjëhershëm”.

“…të lakmosh protagonizmin politik duke aplikuar bullizëm, sekzisëm e mizogjini është tërësisht e pafalshme, e patolerushme, e papranueshme. Është e neveritshme!”, tha ajo përmes një postimi në Facebook.

Radio Evropa e Lirë ka kërkuar reagim edhe nga Grupi i Grave deputete. Në një përgjigje me shkrim, nga ky grup kanë thënë se deklarata e Veliut "është e papranueshme".

"Përdorimi i fjalorit pezhorativ që fyen gratë është i papranueshëm dhe si i tillë nuk duhet të përdoret nga askush, aq më pak nga politikanët", thuhet në reagim.

Në korrik të vitit 2020 Osmani u shkarkua nga postet udhëheqëse në LDK. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së mori këtë vendim pas propozimit të liderit të kësaj partie, Isa Mustafa, sipas te cilit, Osmani ka shkelur statusin e partisë, kur është shprehur kundër qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Ndonëse ishte kandidate e LDK-së për kryeministre në zgjedhjet e kaluara, Osmani e kundërshtoi prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje si dhe u deklarua kundër formimit të qeverisë së re të udhëhequr nga Avdullah Hoti, bashkëpartiak i saj.

Sulmet nga politikanët, por edhe përfaqësues mediash, ndaj Osmanit nuk janë të vetmet ndaj grave udhëheqëse që janë pjesë të politikës. Cak i ofendimeve që në radhë të parë kanë në shënjestër dukjen fizike apo stilin e veshjes së një gruaje politikane ka qenë edhe ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore thotë se fyerja për fat të keq është shndërruar në “mjet pune” dhe se ato janë shtuar edhe më shumë kohët e fundit, sa që me raste është e vështirë edhe të ndiqet secili rast veç e veç.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG