Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mbajti fjalimin e saj vjetor "Gjendja e Bashkimit Evropian", më 14 shtator, para deputetëve të Parlamentit Evropian - Radio Evropa e Lirë hedh një vështrim mbi gjashtë pikat kryesore nga fjalimi që do t'i japë formë vjeshtës politike në Bashkimin Evropian.
Aktualisht, nuk ka sanksione të reja ndaj Rusisë.
Presidentja e Komisionit Evropian u dërgoi një mesazh të fortë atyre që ndoshta mendonin se ishte koha për të hequr disa prej sanksioneve të BE-së të vendosura ndaj Rusisë përballë rritjes së inflacionit, çmimeve të larta të energjisë dhe pakënaqësisë në rritje në mesin votuesve:
“Dua ta bëj shumë të qartë, sanksionet janë këtu për të qëndruar. Kjo është koha që ne të tregojmë vendosmëri, jo luhatje”.
Megjithatë, në fjalimin e presidentes Von der Leyen ishte e qartë mospërmendja e masave të reja kundër Kremlinit.
Pas shtatë paketave të sanksioneve të BE-së, për të cilat u ra dakord me gjithë përplasjet mes shteteve anëtare të BE-së që nga shpërthimi i luftës në shkurt, nuk ka mbetur më shumë dëshirë dhe unitet në kampin e Brukselit në prag të atij, që shumë presin të jetë një dimër i gjatë politik.
Sanksionet mbi flukset e mbetura të naftës dhe gazit rus drejt unionit, si dhe shënjestrimi i industrisë bërthamore të Rusisë, do të duhet të presin për një moment të dytë, për të mos thënë që nuk do të vendosen aspak.
Më shumë ndihma dhe roaming falas për Ukrainën?
Le të jemi të qartë, Ukraina ishte në qendër të fjalimit të presidentes së Komisionit Evropian. Zonja e parë ukrainase, Olena Zelenska, ishte e ftuara e nderit në Strasburg dhe Von der Leyen, e veshur me ngjyrat kombëtare ukrainase, blu dhe të verdhë, njoftoi se do të udhëtonte më vonë gjatë ditës në Kiev për t’u takuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Por, po të shohim me vëmendje nuk kishte shumë risi lidhur me atë që BE-ja dëshiron të bëjë me fqinjin e saj të madh lindor. BE-ja dhe vendet e saj anëtare kanë siguruar deri më tani 19 miliardë euro ndihmë financiare për Kievin, rrjeti elektrik i Ukrainës u lidh me atë të unionit në mars dhe vendi tashmë ka marrë statusin e kandidatit për në BE.
Gjatë fjalimit, Von der Leyen premtoi mbështetje prej 100 milionë eurosh për të rikonstruktuar shkollat e dëmtuara ukrainase dhe u zotua se Komisioni do të punojë me Ukrainën për t’i siguruar qasje të vazhdueshme në tregun e vetëm të Bashkimit Evropian - një vendim që tashmë është në proces, por për ç’gjë gjithashtu do të duhet kohë.
Ndoshta premtimi më interesant ishte përfshirja e përhershme e Ukrainës në zonën e roaming-ut të lirë evropian. Kompanitë e telekomit të BE-së dhe të Ukrainës bënë të mundur në fillim të luftës që përdoruesit ukrainas të telefonave celularë të mund të përdorin falas ose me kosto të reduktuar shërbimet në vendet e Bashkimit Evropian. Sipas disa zyrtarëve të BE-së, me të cilët kam diskutuar, rregullimi i përhershëm i kësaj marrëveshjeje do të ishte "si një liberalizim digjital i vizave".
Premtimi për zgjerim
Ishte një kohë kur presidentët e Komisionit Evropian shmangnin diskutimet për zgjerimin e ardhshëm të unionit në mënyrë që të mos i mërzisnin disa vende anëtare të BE-së, veçanërisht ato në pjesën perëndimore, të cilat dëshironin të dëgjonin më tepër për reformat dhe "thellimin" e unionit. Por, jo më.
“Rruga drejt demokracive të forta dhe rruga drejt Bashkimit Evropian janë një dhe të njëjta. Kështu që unë dua që njerëzit e Ballkanit Perëndimor, të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë të dinë që: Ju jeni pjesë e familjes sonë, e ardhmja juaj është në Bashkësinë tonë dhe Unioni ynë nuk është i plotë pa ju”, tha Von der Leyen mes brohoritjesh të shumta nga deputetët e Parlamentit Evropian – institucioni më i zëshëm evropian lidhur me idenë e një BE-je të zgjeruar.
Natyrisht, disa vende janë ende mjaft skeptike dhe rruga është ende e gjatë – Von der Leyen nuk përmendi asnjë afat kohor dhe për një arsye të mirë. Mjafton të shihni Ballkanin Perëndimor. Kjo ishte fjalia e vetme, në të cilën përmendej rajoni gjatë fjalimit të saj 60-minutësh.
Vendet e këtij rajoni e nisën rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE më shumë se një dekadë më parë dhe këtu u trajtuan njësoj me vendet e shpallura kandidate disa muaj më parë, Ukrainën dhe Moldavinë. Ndoshta ky nuk është grupimi në të cilin vendet e Ballkanit Perëndimor dëshirojnë të jenë, por ky është realiteti pas vitesh kur dera e BE-së nuk është mbajtur vërtet e hapur për ta.
“Mea Culpa” për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore
Për vite me radhë shumë prej vendeve në pjesët qendrore dhe lindore të kontinentit evropian kanë paralajmëruar homologët e tyre perëndimorë për Rusinë e Putinit, ndërsa shpeshherë ata janë kritikuar si histerikë dhe rusofobë.
Ndoshta fjalia më e veçantë në të gjithë fjalimin e Von der Leyenit ishte kur ajo pranoi se ata kishin pasur të drejtë gjatë gjithë kohës. Presidentja e Komisionit Evropian dhe ish-ministrja gjermane e Mbrojtjes ishte mjaft e drejtpërdrejtë në fjalën e saj:
“Një mësim që nxjerrim nga kjo luftë është që ne duhej t’i kishim dëgjuar ata që e njohin Putinin. Për Anna Politkovskayan dhe të gjithë gazetarët rusë që i publikuan krimet dhe e paguan çmimin në kurrizin e tyre. Miqve tanë në Ukrainë, Moldavi, Gjeorgji dhe opozitës në Bjellorusi. Ne duhej t’i kishim dëgjuar zërat brenda unionit tonë – në Poloni, në Baltik dhe në të gjithë Evropën Qendrore dhe atë Lindore. Ata na kanë thënë prej vitesh se Putini nuk do të ndalet. Dhe, ata vepruan në përputhje me rrethanat”.
Edhe pse mund të jetë rasti i "pak më vonë sesa që duhej", ky ishte një nga pohimet më të sinqerta nga një politikan perëndimor për dështimin që nga koha kur shpërtheu lufta.
Kufizime apo jo ndaj gazit rus?
Ndoshta pika më e nxehtë e bisedimeve gjatë javëve të fundit ka qenë nëse BE-ja do të vendosë apo jo një limit për gazin rus (ose mbi të gjithë gazin) që vjen në Bashkimin Evropian. Shtetet anëtare të BE-së mbeten të ndara për këtë çështje.
Ndërsa Von der Leyen bëri të ditura masat e tjera për të ulur çmimet e energjisë në muajt e ardhshëm, nga objektivat e detyrueshëm për të reduktuar konsumin e energjisë, te vendosja e taksave të papritura ndaj prodhuesve të energjisë elektrike që nuk përdorin gazin natyror për të prodhuar energji si ato bërthamore dhe të rinovueshme, ajo ishte disi e rezervuar për gazin rus:
“Ne duhet të sigurojmë vazhdimësinë tonë të furnizimit dhe, në të njëjtën kohë, të sigurojmë konkurrencën tonë globale. Kështu që, me shtetet anëtare ne do të zhvillojmë një sërë masash që marrin parasysh natyrën specifike të marrëdhënieve tona me furnizuesit– duke filluar nga furnizuesit jo të besueshëm si Rusia, deri te miqtë e besueshëm si Norvegjia”.
Është e drejtë të thuhet se debati për këtë çështje do të vazhdojë deri në vjeshtë.
Një akt i detyrueshëm Magnitsky?
BE-ja përdori për herë të parë regjimin e saj të sanksioneve mbi shkeljen e të drejtave të njeriut në vitin 2021, kur vendosi të ngrijë asetet dhe ndaloi vizat për një numër njerëzish nga Kina, Eritrea, Libia, Koreja e Veriut, Sudani i Jugut dhe Rusia.
Por, ajo që i ka munguar gjithmonë këtij regjimi sanksionesh dhe si rrjedhim e ka bërë atë të ndryshëm nga “ligjet Magnitsky” të vendeve të tjera është se, sipas tij, korrupsioni nuk ka qenë kurrë një shkelje e dënueshme.
Tashmë, Komisioni Evropian do ta propozojë atë. Pyetja është nëse do të kalojë. Ndryshimi i aktit ligjor do të kërkojë njëzëshmëri dhe aktualisht ka dilema nëse ekziston pajtimi mes 27 vendeve anëtare të BE-së. Me siguri Hungaria do ta kundërshtojë atë, pasi është shprehur më parë me rezerva ndaj këtij regjimi sanksionesh dhe disa prej pikave të tij.