Ndërlidhjet

Gërvalla: Kosova është partnere e qëndrueshme në luftën kundër terrorizmit


Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, Donika Gërvalla, në takimin e Koalicionit Global kundër grupit militant Shteti Islamik (IS).
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, Donika Gërvalla, në takimin e Koalicionit Global kundër grupit militant Shteti Islamik (IS).

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) në Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova është partnere e qëndrueshme në luftën kundër terrorizmit.

Ajo i ka bërë këto komente në takimin e Koalicionit Global kundër grupit militant Shteti Islamik (IS), që po zhvillohet të hënën në Romë.

Pjesë e takimit është edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Bliken.

Në një komunikatë për media të lëshuar nga MPJD, ministrja Gërvalla është cituar të ketë thënë se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm dhe të suksesshëm në luftim të terrorizmit të dhunshëm.

“Si një vend i vogël me vetëm 1.9 milion banorë, jemi krenarë që jemi një partner i qëndrueshëm në këtë koalicion global. Kosova është një vend me një popullsi kryesisht myslimane. Por harmonia dhe toleranca jonë ndërfetare janë pjesë e identitetit tonë që prej shekujsh. Të shohësh një kishë dhe një xhami, që ndajnë të njëjtin oborr, në Kosovë nuk është asgjë e jashtëzakonshme”, është cituar të ketë thënë ajo.

Përgjatë takimit, Gërvalla ka përmendur edhe kohën kur disa shtetas të Kosovës, i janë bashkuar IS-it për të luftuar në Siri dhe Irak, si dhe ka thënë se institucionet janë duke punuar në procesin e riintegrimit të këtyre personave në shoqëri.

“Jemi duke u përkujdesur posaçërisht për gratë dhe fëmijët e tyre. Ne duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i kthyer ata në një jetë normale, të shpresojmë, edhe një të ardhme të lumtur për ta. Ne jo vetëm që kemi arritur t’i kthejmë fëmijët në shkolla, por ofrojmë gjithashtu mbështetje edhe psikologjike për ta dhe për nënat e tyre. Për më tepër kemi krijuar programe për deradikalizim, në të cilat përfshihen madje edhe personat që ndodhen në arrest”, ka thënë ajo.

Shteti Islamik ka marrë kontrollin e pjesëve të mëdha të Irakut dhe Sirisë në vitin 2014.

Grupi është mundur ushtarakisht tre vjet më vonë nga një koalicion ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Që nga fillimi i konfliktit në Siri në vitin 2012, drejt Sirisë dhe Irakut janë nisur rreth 400 kosovarë duke përfshirë burra, gra dhe fëmijë.

Mbi 100 shtetas të Kosovës besohet se vazhdojnë të mbesin në Siri dhe ende nuk dihet se kur do të riatdhesohen.

Më shumë se 70 kosovarë vlerësohet se janë vrarë duke luftuar krah organizatave terroriste, përkatësisht, grupit militant Shteti Islamik (IS).

Personat që janë kthyer në Kosovë, janë përballur me procese gjyqësore, disa prej të cilëve janë duke vuajtur dënimet, ndërkohë që duke u hetuar janë edhe 32 gra, që autoritetet kosovare, i kanë kthyer në Kosovë, në prill të vitit 2019.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG