Kanë kaluar mbi 16 muaj që kur ndodhi një varg sulmesh ndaj gazetarëve në komunat veriore të Kosovës - të banuara me shumicë serbe - por as ata dhe as organizata që i përfaqëson, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), nuk kanë ndonjë informacion zyrtar nëse organet e rendit dhe ato të drejtësisë kanë ndërmarrë veprime ligjore ndaj autorëve.
Nga AGK-ja thonë se Dita ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve, e cila shënohet më 2 nëntor, i gjen gazetarët në Kosovë të dekurajuar për raportimin e sulmeve ndaj tyre, për shkak të ndëshkimeve të buta ose fare, si dhe mungesës së informatave zyrtare nga institucionet e rendit dhe ligjit, lidhur me trajtimin e rasteve të tyre.
Për numrin e sulmeve të raportuara dhe trajtuara ndaj gazetarëve, Radio Evropa e Lirë kontaktoi Policinë e Kosovës, Prokurorinë e Shtetit dhe Këshillin Gjyqësor, por prej asnjërit institucion nuk mori përgjigje.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) kritikojnë gjyqësorin për, siç thonë, politikë joadekuate ndëshkuese për veprat penale ndaj gazetarëve.
“Asnjë njoftim për rastet”
Më 16 qershor të vitit të kaluar, gazetarja e Radio Televizionit të Kosovës, Venera Xhoxhaj-Adili dhe kameramani që e shoqëronte, u gjendën nën breshërinë e gurëve dhe sulmit të drejtpërdrejtë fizik nga një grup personash të maskuar në Leposaviq.
Atë ditë, ky grup dyshohet se sulmoi gazetarë të mediave të ndryshme, të cilët po përcillnin vizitën e ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, te kryetari i Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.
Xhoxhaj-Adili thotë se po atë ditë ka dhënë deklaratën e saj në stacionin policor në Leposaviq.
Disa javë më pas, ajo kujton se e kanë telefonuar sërish nga Policia e Kosovës.
“Më kanë thirrur pas disa javësh dhe më kanë thënë se do të kemi edhe një takim tjetër dhe do të marrim informacione shtesë. Por, unë nuk kam pranuar ndonjë thirrje telefonike më dhe as ftesë për t’u paraqitur në ndonjë stacion policor”, thotë Xhoxhaj-Adili për Radion Evropa e Lirë.
Ajo shton se nuk ka asnjë informacion zyrtar nëse autoritetet e rendit dhe ligjit kanë ngritur hetime ose padi ndaj ndonjë personi lidhur me sulmin.
Në situatë të ngjashme u gjend edhe gazetari Fatlum Jashari. Vetura, në të cilën gjendej ai dhe ekipi i ATV-së, u sulmua në Zveçan më 13 qershor të vitit të kaluar nga, siç thotë, një grup serbësh që ua kishte zënë pritën me një automjet.
Siç rrëfen Jashari për Radion Evropa e Lirë, sulmuesit tentuan t’i nxirrnin me dhunë nga makina, e cila u godit me gurë dhe shufra metalike.
Të tre punonjësit e ATV-së në makinë pësuan lëndime fizike, por arritën ta shmangnin më të keqen, me ndihmën e pjesëtarëve të misionit paqeruajtës, KFOR, të cilët i përcollën në drejtim të Mitrovicës së Jugut.
Jashari thotë se për këtë rast ka dhënë deklaratë në Policinë e Kosovës.
“...por, që atëherë, përpos deklaratave që dhamë dhe ekzaminimit mjekësor - për shkak se kishim marrë edhe lëndime nga goditjet me gurë - nuk kemi pasur asnjë telefonatë dhe asnjë njoftim tjetër se çfarë ka ndodhur me rastin tonë”, thotë Jashari.
Ai tregon se ka provuar të marrë informacione edhe në prokurori, nëse rasti është iniciuar, por pa sukses.
“Pastaj, kemi hequr dorë edhe ne, për shkak se e kemi parë që nuk është duke lëvizur diçka drejt zgjidhjes së rastit”, thotë Jashari.
Sulme të shumta ndaj gazetarëve ndodhën në maj dhe qershor të vitit të kaluar në veri të Kosovës, ku banorët serbë kundërshtuan me ditë të tëra vendosjen e kryetarëve shqiptarë në objektet komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
“Dënime më të larta” për sulmuesit e gazetarëve
Nga 74 raste të sulmeve, kërcënimeve, presioneve dhe të tjera ndaj gazetarëve, të cilat i regjistroi AGK-ja vitin e kaluar, më shumë se gjysma e tyre ndodhën në veri të vendit, thotë Naile Dema-Selmani, nënkryetare e Bordit të këtij asociacioni.
Sipas saj, viti i kaluar ka qenë më i rëndi në kontekstin e dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve.
Ndërkaq, që nga fillimi i këtij viti e deri më tash, ky asociacion regjistroi 45 raste të sulmeve ndaj gazetarëve.
“Ka sulme prej më të ndryshmeve, duke nisur që nga zyrtarët institucionalë e deri te grupet e ndryshme të interesit, qofshin ato të biznesit, fetare dhe të tjera. Sulmojnë kur shohin që një gazetar është duke hulumtuar diçka që eventualisht mund të mos iu konvenojë që të publikohet”, thotë Dema-Selmani për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thekson se AGK-ja nuk është e kënaqur me ndjekjen dhe vënien para drejtësisë të autorëve të sulmeve ndaj gazetarëve.
“Natyrisht që do të donim të trajtoheshin me prioritet [nga organet e drejtësisë] dhe dënimet të ishin më të larta. Në AGK e kemi diskutuar dhe në bazë të të dhënave që i kemi, në bazë të diskutimeve me gazetarët që kanë qenë cak i sulmeve... dekurajimi i tyre për t’i raportuar rastet dhe për t’i ndjekur procedurat më pas në gjykata, qëndron kryesisht te fakti se dënimet janë të ulëta”, thotë Dema-Selmani.
Ajo shton se AGK-ja nuk ka të dhëna të sakta dhe zyrtare se sa raste të sulmeve ndaj gazetarëve janë proceduar nga prokuroria dhe gjykata.
Sigurimi i të dhënave të tilla paraqet problem për AGK-në, për shkak se rastet trajtohen si sulm ndaj secilit person dhe nuk saktësohen si sulm ndaj gazetarit.
Nisur nga ky fakt, siç thotë Dema-Selmani, AGK-ja është duke u përpjekur që bashkë me Policinë e Kosovës, Këshillin Prokurorial dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, të gjejnë një modalitet që rastet e trajtuara të sulmeve të gazetarëve, të saktësohen si të tilla, në mënyrë që të evidentohen të dhënat e sakta.
IKD: Politikë ndëshkuese joadekuate nga gjykatat
Nga Instituti i Kosovës për Drejtësi konsiderojnë se një nga çështjet më problematike në trajtimin e rasteve të veprave penale, është politika ndëshkimore.
Gëzim Shala nga ky institut thekson se gjykatat vazhdojnë të mos kenë politikë ndëshkimore adekuate që synon arritjen e qëllimit, e që, sipas tij, është parandalimi i veprës penale të sulmit ndaj gazetarëve.
“Nuk themi që dënimet duhet të jenë vazhdimisht drakoniane. Mirëpo, të jenë të përshtatura dhe të individualizuara në kuptim të rrethanave specifike të secilit rast”, thotë Shala.
Ai shpjegon se dënimet e buta ose të rënda nga gjykatat, varen nga rrethanat lehtësuese apo rënduese në të cilat kryhet një vepër penale.
Kur bëhet fjalë për sulme ndaj gazetarëve, sipas Shalës, gjykatat nuk duhet t'i përdorin “shabllonet” për zbatimin e politikës ndëshkuese.
“Secila rrethanë lehtësuese të mos jetë një lloj shablloni i aplikimit, por të jetë realisht me peshë në dënimin e një personi”, thotë ai.
Sipas Kodit Penal të Kosovës, kushdo që kanos personin tjetër, sanksionohet me burg nga gjashtë muaj deri në 5 vjet, varësisht nga mënyra e kanosjes.
Po sipas Kodit Penal, ngacmimi i një personi tjetër sanksionohet me gjobë, si dhe me burgim nga 3 deri në 5 vjet.
Nevoja për “protokollin e sigurisë” së gazetarëve
Dita ndërkombëtare për t’i dhënë fund mosndëshkueshmërisë së krimeve ndaj gazetarëve e gjen Kosovën me shumë raste të pazgjidhura të sulmeve ndaj gazetarëve, me sulme linçuese nga ana e njerëzve në pushtet, si dhe me nivel të lartë të mosdëshkueshmërisë dhe mosveprimit të pushtetit lidhur me sigurinë e gazetarëve, thotë Flutura Kusari, juriste e medias.
...nuk kemi asnjë përpjekje serioze që të adresohet mosdëshkueshmëria - pra, të gjithë ata që i kërcënojnë gazetarët e i sulmojnë, të sillen para drejtësisë".
“Ne në Kosovë nuk kemi asnjë politikë, e cila i mbron gazetarët nga kërcënimet fizike apo verbale dhe nuk kemi asnjë përpjekje serioze që të adresohet mosdëshkueshmëria - pra, të gjithë ata që i kërcënojnë gazetarët e i sulmojnë, të sillen para drejtësisë”, thekson Kusari.
Sipas saj, në Kosovë ka mundësi që të përmirësohet siguria e gazetarëve, por në këtë drejtim thotë se duhet të veprojë shteti.
“Këtë e them me kompetencë, për shkak se aspekti pozitiv është që sulmet fizike ndaj gazetarëve nuk janë me urdhër politik. Prandaj, duke e ditur që shteti nuk është organizator i drejtpërdrejtë i sulmeve ndaj gazetarëve, mund ta bëjë një protokoll për sigurinë e tyre. Për shembull, policia, prokuroria mund të merren me këto raste në mënyrë më efektive”, thotë Kusari për Radion Evropa e Lirë.
Në Planin strategjik për përmirësimin e qasjes në drejtësi 2022-2025 përmendet “trajtimi me prioritet të lartë i rasteve penale, ku viktima janë personat e ndjeshëm, përkatësisht gazetarët”.
Se sa është duke u zbatuar ai, nuk është e qartë, sepse institucionet e shtetit nuk iu përgjigjen kërkesave të REL-it për komente në këtë temë.
Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch, në raportin e vitit të kaluar për të drejtat e njeriut në botë, ka potencuar se gazetarët në Kosovë janë përballur “me sulme, ngacmime dhe kërcënime”, ndaj të cilave ka pasur “reagim të dobët të organeve të shtetit”.