Ndërlidhjet

Fushatë pa maska e distancë


Votimet në zgjedhjet e Podujevës, që u mbajtën nëntorin e vitit 2019.
Votimet në zgjedhjet e Podujevës, që u mbajtën nëntorin e vitit 2019.

Pavarësisht se ende nuk janë shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, disa parti politike tashmë kanë nisur fushatën parazgjedhore. Ato janë parë duke organizuar tubime publike në ambiente të mbyllura, pa distancë e në raste edhe pa maska, që është në kundërshtim me masat kundër COVID- 19, të cilat janë ende në fuqi.

Në disa fotografi të postuara në rrjetin social Facebook të ish-deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku, shihen strukturat e kësaj partie të mbledhur në një takim, ku nuk respektohen masat mbrojtëse.

Takimet e tilla janë mbajtur në Skenderaj.

Policia e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së Radios Evropa e Lirë lidhur me masat që ky mekanizëm mund të ketë marrë për tubime të tilla të partive politike, të cilat po mbahen.

Por, në raportet 24-orëshe të Policisë së Kosovës raportohet për qindra gjoba të shqiptuara për qytetarët të cilët nuk respektojnë Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Vetëm në katër ditët e fundit, Policia e Kosovës ka shqiptuar gjoba ndaj mbi 3 mijë qytetarëve, por që nuk specifikohen shkeljet që i janë bërë ligjit. Gjobat për mosrespektim të këtij ligji fillojnë nga 35 deri në 2,000 euro, varësisht nga shkeljet.

Në një nga masat kundër COVID-19 të miratuara nga Qeveria e Kosovës më 22 dhjetor, ndalohen të gjitha tubimet publike në hapësira publike të të gjitha formave. Po ashtu ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se katër personave në sheshe publike, parqe, vende publike dhe të ngjashme.

Cakolli: Fushatat të mbahen në formë elektronike

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizatë që monitoron proceset zgjedhore në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë se subjekte politike, sidomos ato të mëdha, tanimë kanë filluar takimet me aktivistët dhe përkrahësit e tyre.

Këto aktivitete, shton Cakolli, janë duke u zhvilluar çdo ditë dhe në veçanti në zonat rurale, ku nuk po respektohen as në nivelin minimal masat kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi i ri.

“Kjo tregon për një qasje të gabuar që janë duke aplikuar partitë politike. Në radhë të parë është duke u rrezikuar shëndeti i qytetarëve, por në anën tjetër po krijojnë një garë të pabarabartë në mes të partive politike, pasi që subjektet e mëdha politike do të kenë më shumë fonde në dispozicion, përkatësisht më shumë mundësi që të organizojnë takime të këtij lloji”, thotë ai.

Cakolli shton se subjekte politike në Kosovë për të qenë më afër votuesit duhet të ndërrojnë formën e fushatës nga ajo fizike që kanë praktikuar në të kaluarën, në atë elektronike.

Tolaj: Personat mbi 65 vjeç t’i shmangin aktivitete parazgjedhore

Në anën tjetër, Ilir Tolaj infektolog në Kosovë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë se rrjedha e deritashme e pandemisë, e cila ka qenë më pak agresive në Kosovë, e bën më të lehtë edhe organizmin e fushatës parazgjedhore.

Ai thotë se numri i rasteve të të infektuarve në Kosovë është shumëfish më i madh sesa që është numri zyrtar, pasi sipas tij, këto raste kanë qenë ose pa simptoma ose me pak simptome, të cilat me numrin e kufizuar të testimeve as që kanë mundur të zbulohen.

“KQZ-ja mund ta kufizojë fushatën parazgjedhore në një javë sepse edhe ashtu nuk është se partitë politike kanë çfarë të thonë më shumë sesa që i kemi dëgjuar deri tash. Tubimet e hapura mjaftojnë të organizohen duke e respektuar masën e mbajtjes së maskës, pa kufizim në numër. Ndërsa ato në ambientet e mbyllura, përveç mbajtjes së maskës nga ana e pjesëmarrësve, do të duhej të jenë të kufizuara në numër dhe duke e shmangur qëndrimin e gjatë të njerëzve në këto ambiente të mbyllura”, thotë Tolaj.

Personat mbi 65 vjeç, që nuk e kanë kaluar COVID-19, sipas Tolajt, duhet që t’i shmangin aktivitete parazgjedhore.

“Ata që e kanë kaluar COVID-19 janë të lirë që të marrin pjesë në këto tubime, por rrezikojnë që të infektohen nga gripi sezonal nëse deri tash nuk janë vaksinuar kundër tij. Do të ketë edhe shumë organizime parazgjedhore nëpër shtëpia, e në këto raste do të varet krejt nga pjesëmarrësit se a do ta respektojnë ndonjë masë mbrojtëse”, thotë Tolaj.

Zgjedhjet në Podujevë dhe Mitrovicë të Veriut në pandemi

Në kohën e pandemisë, Kosova ka organizuar zgjedhje më 29 nëntor 2020 në dy komuna, atë të Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi i ka thënë Radios Evropa e Lirë se KQZ-ja, nga procesi zgjedhor që kishte në dy komuna në fund të nëntorit, ka krijuar procedura të veçanta për t’iu përshtatur kërkesave dhe nevojave që dalin nga kjo kohë pandemie.

Ai shton se në kohën kur shpallen zgjedhjet, do të shohin nëse procedurat e miratuara për zgjedhjet e mbajtura në Podujevë dhe Mitrovicën e Veriut ka nevojë që të përditësohen.

KQZ pati përgatitur procedura të veçanta për mbajtjen e zgjedhjeve në këto komuna. Për regjistrimin dhe votimin e personave që ishin të infektuar me koronavirusin e ri, iu ishte mundësuar votimi përmes ekipeve mobile.

Qytetarët në Mitrovicë të Veriut duke votuar në zgjedhjet për kryetar komune.
Qytetarët në Mitrovicë të Veriut duke votuar në zgjedhjet për kryetar komune.

Ndërkaq, sipas udhëzimit të miratuar për masat mbrojtëse që duhej të zbatoheshin më 29 nëntor, votuesit u udhëzuan të mbanin distancë prej dy metrash gjatë qëndrimit në qendrat e votimit apo në vendvotime.

Gjithashtu, ata duhej të mbanin maska mbrojtëse gjatë gjithë kohës, me përjashtim kur duhej të identifikoheshin nga anëtarët e këshillit të vendvotimit.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë vijnë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, pasi që vota e Etem Arifit, me rastin e votimit të Qeverisë së Avdullah Hotit, më 3 qershor, ishte e pavlefshme, pasi ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim.

Në bazë të konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të shpallë zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG