Ndërlidhjet

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë më 14 shkurt


Fotografi nga arkivi.
Fotografi nga arkivi.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani ka shpallur zgjedhjet e reja parlamentare të cilat do të mbahen më 14 shkurt dhe ka shpërndarë parlamentin.

Ky vendim i Osmanit erdhi pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës, të martën publikoi aktgjykimin e plotë prej 65 faqesh lidhur me zgjedhjen jokushtetuese të Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti.

Çështja lidhur me kushtetushmërinë e votimit të Qeverisë Hoti u dërgua në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, për shkak se për këtë qeveri më 3 qershor kishte votuar Etem Arifi, i dënuar me vendim të formës së prerë prej më shumë se një vit burgim për veprën penale "mashtrim me subvencione". Vota e tij ishte vendimtare për formimin e Qeverisë të drejtuar nga Avdullah Hoti i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në aktgjykim thuhet se një person i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të ketë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Kosovës. Sipas vendimit, procedura për të zgjedhur Qeverinë nuk është zhvilluar në përputhje me Kushtetutën, sepse Qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

"Gjykata konsideron të rëndësishme të vë në dukje se kandidimi në zgjedhje parlamentare i Etem Arifit, zgjedhja e tij si deputet dhe ushtrimi i mandatit të deputetit – të gjitha këto pasi që ai ishte dënuar me një vit e tre muaj burgim, me vendim gjyqësor të formës së prerë – shpërfaqin ekzistimin e paqartësisë normative dhe të metave serioze në mekanizmat institucionalë të Republikës së Kosovës, që janë kompetent për të garantuar ligjshmërinë dhe integritetin kushtetues të proceseve zgjedhore dhe veprimtarisë parlamentare. Kjo paqartësi është e dukshme edhe në përgjigjet që janë dhënë nga trupat përkatës të Kuvendit dhe nga KQZ-ja", thuhet në përmbledhjen e aktgjykimit të Gjykatës.

Gjykata Kushtetuese thotë se për të shmangur në të ardhmen situata të tilla, duhet koordinim institucional kur bëhet fjalë për kandidimin në zgjedhje parlamentare dhe ushtrimin e mandatit të deputetit, nga ana e personave të dënuar për vepra penale.

"Kjo është e domosdoshme për të shmangur situatat paradoksale, nga këndvështrimi kushtetues, ku një person, pasi është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë sikurse parashihet me nenet përkatëse të Kushtetutës dhe ligjeve, i lejohet të kandidojë në zgjedhje parlamentare, të zgjidhet deputet, t’i verifikohet mandati, si dhe të vazhdojë të ushtrojë funksionin e deputetit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, madje edhe gjatë vuajtjes së dënimit me burgim. Ndërkohë që Kushtetuta dhe ligjet përkatëse vënë barriera të qarta normative për të mos lejuar personat e dënuar me burgim për kryerjen e veprave penale, që të zgjedhën deputet dhe të ushtrojnë mandatin e deputetit", thotë Kushtetuesja.

Gjykata Kushtetuese sqaron se për shkak që vota e Arifit ishte e pavlefshme, Qeveria Hoti nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve, përkatësisht 61 vota.

Andaj, Kushtetuesja thotë se presidenti i Republikës duhet të shpallë zgjedhjet e reja.

Hasani: Kurti nuk mund të kandidojë për deputet

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani tha se aktgjykimi i Kushtetueses është i qartë, kur thotë se personat e dënuar në formë të prerë, në tre vjetët e fundit, nuk mund të kandidojnë për deputet, përfshirë këtu edhe Albin Kurtin, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk ka të drejtë, është e qartë ajo që e ka thënë Gjykata Kushtetuese”, tha Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Megjithatë, ai shtoi se Kurti mund të nominohet për postin e kryeministrit, nëse partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje i fiton zgjedhjet.

“Ajo nuk ka lidhje (me kandidimin për deputet). Mundet, gjykata nuk e ka ndaluar këtë (nominimin për kryeministër”, tha Hasani.

Më 3 janar 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi ishin dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e kuvendit. Në shtator të po atij viti, Gjykata e Apelit vërtetoi dënimet e shqiptuara nga gjykata e shkallës së parë.

Meqenëse qeveria zgjidhet me votat e deputetëve në kuvend, Hasani thotë se në bazë të konstatimit të Gjykatës Kushtetuese, zgjedhja eventuale e Kurtit për kryeministër po ashtu mund të kontestohet.

Sipas Hasanit, Gjykata Kushtetuese në këtë rast nuk e ka trajtuar çështjen e zgjedhjes së kryeministrit, por të mandatit të deputetit.

21 dhjetor, 2020, Kushtetuesja kishte konstatuar se qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës sepse qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Palët në këtë rast ishin Qeveria tashmë në detyrë e Kosovës dhe partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani tashmë ka mbajtur takimet e para me përfaqësuesit e partive politike për konsultime rreth datës për zgjedhjet e reja, por sipas saj, vendimi do të merret pasi palët të marrin aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese për Qeverinë e Kosovës.

Përfaqësuesit e partive politike pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani kanë përmendur fundin e muajit janar dhe fillimin e shkurtit të vitit 2021, si periudha të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të 21 dhjetorit, që tha se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Avdullah Hoti, u zgjodh në mënyrë jokushtetuese.

Qeveria Hoti u votua më 3 qershor, 2020 me 61 vota, pas rrëzimit të qeverisë paraprake të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG