Ndërlidhjet

Fshati i çuditshëm kufitar nga kaloi një ushtar amerikan në Korenë e Veriut


Një ushtar jug-korean bën roje pranë vijës ushtarake të demarkacionit dhe Godinës Panmun të Koresë së Veriut, në fshatin Panmunjom.
Një ushtar jug-korean bën roje pranë vijës ushtarake të demarkacionit dhe Godinës Panmun të Koresë së Veriut, në fshatin Panmunjom.

AP

Shtëpiza me kulme me ngjyrë të kaltër, një pllakë e ngritur betoni dhe zhavorr i vijëzuar - janë gjërat që i ndajnë dy shtetet rivale, Korenë e Veriut dhe atë të Jugut, në fshatin kufitar Panmunjom, një pikë e rrallë e kontaktit të afërt përgjatë kufirit të armatosur më së rëndi në botë.

Njerëzit kanë shkelur në atë vijë të hollë ndarëse, por vetëm nën rrethana shumë të veçanta, për të kaluar në dy vendet, të cilat teknikisht janë ende në luftë.

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, e bënë këtë. Ish-presidenti i Koresë së Jugut, Moon Jae-in, eci dorë për dorë me Kimin përgjatë kufirit. Në vitin 2017, një ushtar dezertor i Koresë së Veriut e kaloi kufirin nën breshëri zjarri, duke vrapuar si i marrë në kërkim të një strehe mbrojtëse.

Presidenti amerikan, Donald Trump, duke shtrënguar duart me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë takimit në zonën e çmilitarizuar, e cila ndan dy Koretë, në Panmunjom, Koreja e Jugut, 30 korrik, 2019.
Presidenti amerikan, Donald Trump, duke shtrënguar duart me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë takimit në zonën e çmilitarizuar, e cila ndan dy Koretë, në Panmunjom, Koreja e Jugut, 30 korrik, 2019.

Këtë javë, një ushtar amerikan që përballej me ndëshkime të mundshme disiplinore, e kaloi vijën kufitare, duke e shkaktuar një incident ndërkombëtar, i cili mund t’i përkeqësojë marrëdhëniet tashmë të këqija në Gadishullin Korean, ku Koreja e Veriut ka testuar dhjetëra raketa këtë vit, pasi po punon në përparimin e programit të saj bërthamor që ka për qëllim t’i vërë në shënjestër Shtetet e Bashkuara.

Pjesa më e madhe e zonës së çmilitarizuar prej rreth katër kilometrash gjerësi është shkretëtirë dhe ruhet nga minat, telat me gjemba, pengesat ndaj tankeve dhe trupat luftarake në të dyja anët.

Por, Panmunjom – dikur një fshat i panjohur bujqësor brenda zonës së çmilitarizuar që tani mban një “Zonë të përbashkët sigurie” – është krejtësisht ndryshe.

Është një zonë turistike, vetëm se njëra prej më të çuditshmeve në botë.

Imazhe satelitore shfaqin pamje nga lart të fshatit Panmunjom.
Imazhe satelitore shfaqin pamje nga lart të fshatit Panmunjom.

Shtatë dekada ndarjeje që prej përfundimit të luftës koreane janë bërë të qarta nga ushtarët e Koresë së Jugut, të cilët qëndrojnë roje duke vështruar mrrolshëm përgjatë kufirit. Edhe ushtarët e Koresë së Veriut, po ashtu, por ata janë më pak të dallueshëm shumicën e kohës.

Gadishulli Korean u nda në fund të Luftës së Dytë Botërore në një Veri të kontrolluar nga sovjetikët dhe një Jug të mbështetur nga SHBA-ja. Ishte Panmunjom vendi ku forcat e Koresë së Veriut dhe SHBA-së negociuan dhe përfundimisht e nënshkruan armëpushimin e vitit 1953, i cili i dha fund luftës koreane dhe çoi në krijimin e zonës së çmilitarizuar.

Kurrë nuk ka pasur traktat formal të paqes.

Ushtarët jug-koreanë duke vështruar anën veri-koreane në pikën e vështrimit "Dora", në zonën e çmilitarizuar, pranë fshatit kufitar Panmunjom.
Ushtarët jug-koreanë duke vështruar anën veri-koreane në pikën e vështrimit "Dora", në zonën e çmilitarizuar, pranë fshatit kufitar Panmunjom.

Atmosferë karnavalesh mund të mbizotërojë kohë pas kohe përreth Panmunjomit, me dyqane suveniri, restorante të ushqimeve të shpejta dhe turma të turistëve, megjithëse Koreja e Veriut është e mbyllur për turistët për shkak të pandemisë që nga fillimi i vitit 2020.

Në anën e Koresë së Jugut është një park argëtimi jo shumë larg fshatit, ndërsa dikur ishte edhe një restorant i ushqimit të shpejtë që shërbente pulë të fërguar “Popeyes”.

Besohet se rreth 100 mijë turistë në vit e vizitonin Korenë e Jugut para pandemisë - para se ajo të vendoste masa kufizuese ndaj tubimeve për ta parandaluar përhapjen e COVID-19. Që nga viti i kaluar lejohen plotësisht vizitat turistike.

Një ushtar amerikan i prin një grupi turistësh në fshatin e armëpushimit, Panmunjom, në zonën e çmilitarizuar, e cila ndan Korenë e Jugut me atë të Veriut.
Një ushtar amerikan i prin një grupi turistësh në fshatin e armëpushimit, Panmunjom, në zonën e çmilitarizuar, e cila ndan Korenë e Jugut me atë të Veriut.

Kjo zonë, po ashtu, ta kujton Luftën e Ftohtë, një kohë e armiqësive të ashpra mes rivalëve të armatosur me armë bërthamore. Ka pasur vrasje, fluturime kalimthi të bombarduesve amerikanë dhe dezertime përgjatë kufirit. Presidentët dhe zyrtarët e lartë amerikanë rregullisht udhëtojnë në pjesën jugore të zonës së çmilitarizuar për fotografi.

Kjo zonë turistike është afër Seulit, të cilin e kapin shumë lehtë rrezet e artilerisë së përafërsisht 1.2 milion trupave të Koresë së Veriut të vendosur përgjatë kufirit.

Me raste ka shkëmbime verbale mes ushtarëve amerikanë dhe atyre të Koresë së Veriut në Vijën e Demarkacionit në fshat.

Mbase për turistët është ngazëllyes, por për ushtarët është e rrezikshme të bëjnë roje, shpesh vetëm pak metra larg njëri-tjetrit.

Shpesh kalojnë muaj e vite pa ndonjë incident, por kur diçka ndodh, mund të jetë e dhunshme.

Në vitin 1976, ushtarët koreano-veriorë i mbytën me sëpatë dy oficerë të ushtrisë amerikane, dhe Shtetet e Bashkuara u përgjigjën duke i dërguar bombarduesit me kapacitete bërthamore B-52 në drejtim të zonës së çmilitarizimit, në përpjekje për ta frikësuar Korenë e Veriut.

Në vitin 1984, ushtarët e Koresë së Veriut dhe ata të Komandës së OKB-së shkëmbyen zjarr kur një qytetar sovjetik dezertoi duke vrapuar nga sytë këmbët në pjesën jugore. Tre ushtarë të Koresë së Veriut dhe një ushtar i Koresë së Jugut u vranë.

Më 2017, kur një ushtar i Koresë së Veriut u përplas me veturën e tij duke ikur dhe pastaj vrapoi për ta kaluar kufirin, ushtarët e Koresë së Veriut e gjuajtën me revole dhe pushkë, para se ushtarët e Koresë së Jugut ta shpëtonin ushtarin e plagosur duke e tërhequr. Ushtarët e Koresë së Jugut nuk shkëmbyen zjarr.

Kjo është një fotografi e marrë nga një video e publikuar nga Komanda e Kombeve të Bashkuara më 22 nëntor 2017, që shfaq dezertorin e Koresë së Veriut duke ikur nga vetura në Zonën e Përbashkët të sigurisë në Zonën e Çmilitarizuar.
Kjo është një fotografi e marrë nga një video e publikuar nga Komanda e Kombeve të Bashkuara më 22 nëntor 2017, që shfaq dezertorin e Koresë së Veriut duke ikur nga vetura në Zonën e Përbashkët të sigurisë në Zonën e Çmilitarizuar.

Koreano-veriorët që ikin në jug – përafërsisht 30 mijë që nga përfundimi i luftës koreane – e kanë përdorur kryesisht kufirin më lehtë të kalueshëm mes Koresë së Veriut dhe Kinës.

Më 2019, gjatë një periudhe të një diplomacie të paparë mes Koresë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara e Koresë së Jugut, Trumpi dhe Kimi i shtrënguan duart në vijën kufitare.

Trumpi e kaloi pllakën e betonit, duke u bërë presidenti i parë amerikan që shkel në territorin e Koresë së Veriut.

Të martën, ushtari Travis King, 23 vjeç, u bë amerikani i parë i arrestuar në Korenë e Veriut në gati pesë vjetët e fundit, pasi e kaloi kufirin në Panmunjom.

King, i cili i kishte kryer gati dy muaj burgim në Korenë e Jugut, po mbahej nën akuzat për sulm dhe po dërgohej në Fort Bliss, Teksas, të hënën, ku ka mundur të përballej me masa shtesë disiplinore ushtarake dhe të përjashtohej nga shërbimi ushtarak.

Zyrtarët thonë se në vend se të hipte në aeroplan, ai u largua nga aeroporti dhe më vonë iu bashkua një turi turistësh të Panmunjom.

Përgatiti: Ekrem Idrizi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG