Ndërlidhjet

Fotografitë që shpërfaqën lidhjet e të dyshuarit të rastit Noviçok me zyrtarë të sigurisë


Në dy fotografi të bashkuara shihen, Anatoly Chepiga, një nga të dyshuarit e helmimit të Sergei Skripalit dhe gjenerali rus, Andrei Averyanov në dasmën e vajzës së tij.
Në dy fotografi të bashkuara shihen, Anatoly Chepiga, një nga të dyshuarit e helmimit të Sergei Skripalit dhe gjenerali rus, Andrei Averyanov në dasmën e vajzës së tij.

Babai i nuses ka buzëqeshur teksa ka përcjellë vajzën e tij në altar.

Më 27 korrik të vitit 2017, dasma është realizuar në brigjet e Liqenit Senezh, rreth 50 kilometra në veri të Moskës. Dhjetëra mysafirë kanë duartrokitur nusen teksa babai i saj e ka nisur drejt kryerjes së zotimeve. Pas darkës dhe vallëzimit, fishekzjarret janë parë në qiell.

Në mesin e mysafirëve ka qenë edhe një burrë me kravatë, me mjekër e mustaqe, flokët në njërën anë, një orë të shtrenjtë në dorën e majtë dhe një pije duke mbajtur me dorën e djathtë.

Në më pak se një vit më vonë, ai njeri është identifikuar nga policia britanike si një prej dy zyrtarëve të inteligjencës ushtarake të Rusisë, që ka vepruar me identitet tjetër për të helmuar me agjent nervor Noviçok, një agjent të dyfishtë rus në shtëpinë e tij në Sallsbëri të Anglisë.

Shënjestrat, Sergei Skripal dhe vajza e tij, Yulia kanë shpëtuar nga helmimi. Mirëpo, një grua britanike, e cila nuk ka pasur lidhje me Rusinë, ka vdekur aksidentalisht, pasi ka pasur kontakt me agjentin nervor teksa ka kaluar në zonën ku janë helmuar Skripalët.

Prezenca e të dyshuarit që ka marrë pjesë në helmim, Anatoly Chepiga në dasmë, ka shtuar të dhënat e lidhjes mes tij dhe inteligjencës ushtarake të Rusisë, që njihet si GRU.

Ky fakt po ashtu shton dyshimet për pretendimet e tij se ai është vetëm një shitës i shtesave ushqimore me emër, Ruslan Boshirov, i cili ka vizituar Sallsbërin në mars të vitit 2018, meqë i pëlqen arkitektura e këtij vendi.

Tri fotografi të Anatoly Chepigas. E para majtas, në Aeroportin Gatwick, e dyta në dasmën e vajzës së zyrtarit ushtarak dhe e treta ku e quan veten Ruslan Boshirov në një intervistë televizive.
Tri fotografi të Anatoly Chepigas. E para majtas, në Aeroportin Gatwick, e dyta në dasmën e vajzës së zyrtarit ushtarak dhe e treta ku e quan veten Ruslan Boshirov në një intervistë televizive.

Njeriu që ka dërguar vajzën e tij në altar është Gjenerali, Andrei Averyanov, komandati sekret i njësisë ushtarake ruse, për të cilën zyrtarë të inteligjencës Perëndimore kanë thënë se është e lidhur me një varg krimesh në Evropë.

Për më shumë, grupi kërkimor, Bellingcat dhe Radio Evropa e Lirë kanë gjetur në një hulumtim të përbashkët se Chepiga dhe familja e tij nuk kanë qenë mysafirë të zakonshëm.

Mysafirë specialë

Pjesëmarrja e Chepigas në dasmë është raportuar fillimisht më 8 tetor në të përditshmen amerikane, The New York Times. Në raport janë cituar zyrtarë të paidentifikuar evropianë të kenë thënë se njësia e Averyanovit, 29155, është përfshirë në një seri të incidenteve të profilit të lartë në gjithë kontitentin, duke përfshirë helmimet e Skripalëve, tentim-vrasjen e një kontranduesi bullgar të armëve më 2015 dhe në tentimet e dështuara për puç në Malin e Zi më 2016.

Ndonëse gazeta ka përfshirë në raportin e saj një fotografi të prerë të Averyanovit, kur ka ai qenë në dasmën e vajzës së tij më 2017, gazeta nuk ka publikuar fotografi të Chepigas në këtë ngjarje.

Një hetim në trungun familjar të Averyanovit, ka vazhduar me disa kërkime në rrjetet sociale dhe burime tjera, prej të cilave, Radio Evropa e Lirë dhe Bellingcat kanë gjetur kohën dhe vendin e dasmës në Liqenin Senezh.

Në disa pamje të publikuara në rrjetin social, Instagram, mysafirët kanë përfshirë edhe Chepigan nëpër fotografi, në të cilat ai duket në mesin e personave tjerë, teksa Averyanov shoqëron vajzën në altar.

Chepiga shihet edhe në një tjetër video të publikuar në YouTube, nga një person, emri i të cilit përshtatet me atë të dhëndrrit të Averyanovit.

Mirëpo prezenca e tij shihet më së shumti në disa fotografi të publikuara nga kompanitë që kanë organizuar dasmën. Njërit prej djemve të Chepigas i është dhënë çmimi i nderit për pjesëmarrje në ceremoninë e martesës.

Mbiemri i Chepigas po ashtu shihet në një fotografi ku shihet ulësja e ndarë për të, ndonëse jo bashkë me emrin e tij.

Emri dhe mbiemri i tij i plotë shihen në listen e të ftuarve, ashtu sikurse emri, Aleksei Chepiga, që mund të jetë pseudonim.

Anatoly Chepiga
Anatoly Chepiga

Arritje të Veçanta

Akoma nuk ka shumë informacione rreth aktiviteteve të njësisë 29155, ndonëse në një hetim të vitit 2018 të realizuar nga Radio Evropa e Lirë janë gjetur urdhrat e Ministrisë ruse të Mbrojtjes nga viti 2012, e cila ka nderuar me çmime speciale anëtarët e tij të një njësie për “arritje speciale gjatë shërbimit”.

Në të dhënat publike, Averyanov renditet si udhëheqës i njësisë 29155, e cila kontrollohet në tërsi nga ministria ruse e Mbrojtjes.

Por sikur edhe shumë zyrtarë rusë të inteligjencës, aktivitetet e tij publike nuk janë të dokumentuara mirë. Në të dhëna shihet se ai ka diplomuar më 1988 nga Akademia Ushtarake në Tashkent, e njohur me shkurtesën, TVOKU, në kohën kur Uzbekistani ka qenë pjesë e Bashkimit Sovjetik.

Ai besohet të ketë luftuar në dy luftërat çeçene më 1990 dhe 2000, dhe më pas është nderuar më çmimin, Hero i Rusisë në janar të vitit 2015, ka thënë New York Times në raportin e tij, pa identifikuar burimin e këtyre të dhënave.

Në një video në YouTube, për të shënuar 100-vjetorin e TVOKU-s, në korrik të vitit 2018, shihet një bord që prezanton biografi dhe fotografi të të diplomuarve.

Në njërën prej tyre, shkronja e parë dhe e fundit e emrit, si dhe inicialet e emrit dhe mbiemrit, përshtaten me informacionin për Averyanovin.

Në vendin e fotografisë, shihet vetëm një siluetë e zezë. Aty thuhet se personi në fjalë ka fituar çmimin, Hero i Rusisë. Në dokument po ashtu thuhet se njerëzit e nderuar nuk janë më gjallë.

Gjenerali, Andrey Averyanov.
Gjenerali, Andrey Averyanov.

Nëse është bërë fjalë për Averyanovin, është e paqartë nëse përfshirja e tij në këtë listë ka ndodhur gabimisht apo ka qenë veprim i menduar.

Averyanov vazhdon të jetë në listë si udhëheqës i njësisë, 29155, bazuar në të dhënat zyrtare.

Si Chepiga ashtu edhe kolegu i tij, Aleksandr Mishkin, duket se janë nderuar me çmimin, Hero i Rusisë më 2014, bazuar në hulumtimet që ka kryer, Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë, Bellingat dhe e gazeta ruse, The Insider.

Ndërkohë Kremlini ka hedhur poshtë raportin e Times-it për lidhjen e dyshuar të njësisë 29155 për helmimin e Skripalëve si dhe incidentet tjera që kanë ndodhur në Evropë.

Përveç fotografive të dasmës së vajzës së Averyanovit, shumë pak fotografi tjera të gjeneralit rus janë të qasshme në internet.

Radio Evropa e Lirë dhe Bellingcat kanë arritur të sigurojnë një fotografi të tij, të publikuar më 2012 në rrjetin social, rus, OK.ru.

Turistë të dyshuar

Rusia ka mohuar ashpër çfarëdo lidhje me helmimin e Skripalëve në mars të vitit 2018.

Sergei Skripal është një ish-zyrtar i GRU-së, që është arrestuar në Moskë nga zyrtarë të agjencisë së brendshme të inteligjencës të Rusisë (FSB) më 2014.

Ai është akuzuar për ofrim të informacioneve sekrete te inteligjenca britanike, andaj është dënuar për tradhti dhe është burgosur më 2006.

Katër vjet më vonë, ai është liruar nga burgu rus dhe është dërguar në perëndim, në kuadër të një shkëmbimi të 10 agjentëve rusë, të cilët janë zbuluar dhe janë arrestuar në Shtetet e Bashkuara.

Helmimi i Skripalëve, që kanë mbijetuar, kanë zemëruar Britaninë, e cila bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe aletë tjerë, kanë dëbuar dhjetëra diplomatë rusë.

Zyrtarë britanikë për zbatim të ligjit më vonë kanë publikuar fotografi dhe video, të cilat kanë treguar në detaje të dhëna për përfshirje të rusëve me veprimet e tyre me emrat e rinj: Ruslan Boshirov dhe Aleksandr Petrov.

Për të dy, zyrtarët britanikë besojnë se janë pjesëtarë të GRU-së.

Bellingcat më vonë ka publikuar të dhëna, duke identifikuar këta burra me emrat e tyre të vërtetë.

Në njoftimet e mëvonshme në mediat ruse dhe ato ndërkombëtare, këta persona të akuzuar janë njohur si Chepiga dhe Mishkin.

Në muajin shtator të vitit 2018, prokurorët britanikë kanë ngritur padi penale kundër të dyve.

Britania akuzon Kremlinin për Rastin Skripal
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:07 0:00

Prej kohës së helmimeve, dy të dyshuarit janë intervistuar nga Russia Today, rrjet televiziv rus që financohet nga shteti.

Gjatë intervistës, në të cilën sipas shumë vëzhguesve ata nuk kanë bërë asgjë për të kundërshtuar akuzat britanike, Chepiga dhe Mishkin kanë treguar emrat me të cilët kanë udhëtuar drejt Britanisë.

Ata kanë thënë se janë turistë të pafajshëm, të cilët vetëm kanë dëshiruar të vizitojnë katedralen e “famshme” të Sallsbërit dhe spiralen e saj 123-metërshe.

Në ulësen e ndarë në dasmën e vajzës së Averyanovit, është parë po ashtu emri Aleksandr Petrov, pseudonym i Mishkinit, të cilin e ka përdorur kur ka udhëtuar në Sallsbëri, në kohën kur janë helmuar Skripalët.

Bellingcat dhe Radio Evropa e Lirë nuk kanë vërtetuar nëse Mishkin ka qenë pjesë e dasmës. Në fotografi dhe video nuk shihet ndonjë person që i ngjan Mishkinit.

Radio Evropa e Lirë i ka kërkuar ministrisë ruse të Mbrojtjes të komentojë rreth Averyanovit përfshirë edhe pyetjet nëse mund ta identifikojë atë në fotografitë e vajzës së tij, dhe të konfirmojë ose ta mohojë nëse ai është nderuar me çmimin, Hero i Rusisë.

Radio Evropa e Lirë po ashtu i ka kërkuar ministrisë të ofrojë detaje për aktivitetet e Njësisë 29155 dhe të tregojë nëse Chepiga shërben apo ka shërbyer në këtë njësi.

Ministria nuk ka dhënë përgjigje në kohën që është bërë publik ky shkrim.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG