Ndërlidhjet

Fotografi të rralla të Bekim Fehmiut në “Dokufest”


Kosovë: Fotografi të aktorit të famshëm shqiptar Bekim Fehmiu, të ekspozuara në Festivalin "Dokufest" në Prizren (12 gusht 2021).
Kosovë: Fotografi të aktorit të famshëm shqiptar Bekim Fehmiu, të ekspozuara në Festivalin "Dokufest" në Prizren (12 gusht 2021).

Bekim Fehmiu, aktori i mirënjohur kosovar që u rrit në Prizren, iu kthye këtij qyteti në një formë të veçantë në festivalin “Dokufest”.

Në një ekspozitë atje, u ekspozuan 32 fotografi që nuk ishin publikuar asnjëherë më parë. Në këto fotografi, dokumentohet vizita e Bekim Fehmiut në Shqipëri në vitin 1972.

Bekim Fehmiu, atëbotë në moshë të re, shihet i veshur me xhaketë lëkure, këpucë e veshje shumë të ndryshme nga çfarë ishte e zakonshme në Shqipërinë e kohës së komunizmit. Këto fotografi u gjetën në Arkivin Kombëtar të Filmit në Shqipëri.

Fotografi të Bekim Fehmiut, të shkrepura gjatë një vizite të tij në Shqipëri, në kohën e komunizmit.
Fotografi të Bekim Fehmiut, të shkrepura gjatë një vizite të tij në Shqipëri, në kohën e komunizmit.

Drejtoresha e këtij arkivi dhe regjisorja, Iris Elezi tregoi për Radion Evropa e Lirë, tha se një institut arkivor në Amerikë, e financoi në vitin 2019 inventarizimin e një sasie të madhe të materialeve arkivore. Sipas saj, këto fotografi janë gjetje shumë e çmueshme pasi vizita e rrallë e Fehmiut në Shqipëri, u bë edhe në një kohë kur shqiptarët atje nuk dinin shumë për botën jashtë.

“Çfarë ishte për popullin shqiptar ardhja e këtij aktori të famshëm, gjaku i tyre, por që fatkeqësisht ende nuk ia kishin parë filmat që e bënë atë të famshëm në botë, sepse ishim ende shumë të izoluar”, tha ajo.

Fotografitë e gjetura në shumicë ishin bërë nga Bardhyl Martiniani, i cili e kishte përcjellë Bekim Fehmiun nëpër Shqipëri. Bekim Fehmiu shihet së bashku me aktorë të famshëm nga Shqipëria dhe me shkrimtarin Ismail Kadare.

Aktori Bekim Fehmiu, i shoqëruar nga shkrimtari Ismail Kadare dhe disa artistë të tjerë.
Aktori Bekim Fehmiu, i shoqëruar nga shkrimtari Ismail Kadare dhe disa artistë të tjerë.

Sipas regjisores Elezi, shpreson që publiku shqiptar nga Shqipëria dhe Kosova do të mësojnë më shumë për Shqipërinë e kohës së komunizmit, si dhe personaliteteve të shquara të artit që në atë kohë ishin të rinj.

Përveç ekspozitës për Bekim Fehmiun, kineastja Iris Elezi, së bashku me Thomas Logorecin, sollën programin special me pamje të rralla të gjetura në arkivin e filmit në Shqipëri.

Imazhi i rinisë së Bekim Fehmiut i kthehet Prizrenit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:03:00 0:00

Arkivat sipas Elezit janë shumë të rëndësishme që një popull ta njohë vetveten.

“Ndoshta thuhet më mirë se të shikosh kulturën e një vendi është të shikosh gjendjen e arkivave. Mendoj dhe shpresoj se në vitet që do të vijnë do të ketë akoma më shumë vëmendje si ndaj arkivit qendror shtetëror të filmit si ndaj arkivave edhe këtu, Kosovafilmi në Kosovë”, thotë ajo.

Fotografi të Bekim Fehmiut, gjatë një vizite të tij në Shqipëri në kohën e komunizmit.
Fotografi të Bekim Fehmiut, gjatë një vizite të tij në Shqipëri në kohën e komunizmit.

“Dokufest”-i shënoi përvjetorin jubilar

Festivali i filmit të shkurtër dhe dokumentarit “Dokufest”, këtë vit e ka shënuar përvjetorin e 20-të të tij.

Ky festival mbahet tradicionalisht në Prizren. Në vitin 2020 ky festival u mbajt online për shkak të masave kufizuese të pandemisë.

Sivjet, festivali i u kthye tradicionales, ku janë paraqitur 230 filma dhe dokumentarë nga shumë vende të botës.

Veton Nurkollari, drejtor artistik i Dokufestit, për Radion Evropa e Lirë ka thënë se janë befasuar për të mirë me mbarëvajtjen e këtij edicioni.

“Gjithsesi ka pasur një mbarëvajtje më të mirë nga ajo çfarë kemi pritur. Sepse nuk kemi pritur kaq shumë mysafirë qoftë nga Kosova, rajoni dhe bota. Befasi e vogël por e këndshme për një edicion ose rikthim të festivalit, në formatin çfarë ka qenë gjithmonë”, tha ai.

Logoja e festivalit "Dokufest" në Prizren.
Logoja e festivalit "Dokufest" në Prizren.

Në garën e Dokufestit sivjet ishin 230 filma, prej atyre 106 janë në tetë kategori garuese dhe të tjerët në 11 kategori të tjera, që janë jashtë konkurrencës.

Çmimet në këto kategori pritet të shpërndahen të shtunën, në ditën e fundit të festivalit.

Përveç të tjerave, këtë vit në “Dokufest” u shfaq edhe filmi “Pa vend”, nga Saimir Karahoda që u prezentua edhe në Festivalin e Filmit në Kanë.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG