Ndërlidhjet

Fillon largimi i kodeve të huaja telefonike


Foto ilustruese
Foto ilustruese

Me vonesa të theksuara, në Kosovë ka filluar largimi i kodeve të huaja telefonike dhe përdorimi i kodit shtetëror +383. Telekomi i Kosovës “Vala”, nga 14 shkurti 2019, ka njoftuar se prefiksi i mëparshëm i Monakos, +377, i cili ishte përdorur, do të zëvendësohet me kodin e ri +383, me ç’rast thirrjet me prefiksin e vjetër, nuk do të jenë më të mundura.

Arsim Bilalli, zëdhënës në Telekomin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se me kohë kjo kompani ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme teknike, në mënyrë që implementimi i kodit të ri +383 të jetësohet, pavarësisht pengesave të shumta, sipas tij, me të cilat “Vala” është përballur deri më sot.

Në Kosovë ekzistojnë dy operatorë të telefonisë mobile, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare. Telefonia mobile "Vala" deri më 14 shkurt 2019, ka shfrytëzuar kodin e Monakos (+377), kurse operatori “Ipko”, sipas autoriteteve kompetente, vazhdon të përdorë kodin e vjetër, përkatësisht atë të Sllovenisë (+386).

Zyrtarë të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, (ARKEP) institucion ky që mbikëqyr zbatimin e Kodit shtetëror, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, se Telekomi i Kosovës “Vala”, ka ndërprerë funksionimin e kodit +377.

Kryetari i Bordit të ARKEP-it, Kreshnik Gashi, thotë se janë duke përcjell zbatimin e këtij procesi.

“Ne jemi duke përcjellë në vazhdimësi zbatimin e kodit dhe në numrin e madh të aplikacioneve qëpërdoren në internet, mund të paraqiten probleme të vogla. Por, jemi duke punuar së bashku edhe me operatorin që të arrihet sa më shumë që të kemi mundësi, në mënyrë që të arrihen të gjitha aplikacionet ashtu që ky proces të jetë sa më i lehtë. Kalimi në kodin +383 do të bëhet vetëm një herë dhe ky proces me përfundimin e tij do të sjell benefite për qytetarët dhe operatorët”, thotë Gashi.

*Video nga arkivi: Thirrja e parë me kodin e ri telefonik. 2 shkurt, 2017

Kosova realizon thirrjen e parë me kodin +383
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:41 0:00

Kodi shtetëror i është ndarë Kosovës në dhjetor të vitit 2016, nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU). Kurse, zbatimi i tij ishte paraparë të niste më 30 qershor të vitit 2018, por ky afat ishte shtyrë për 31 tetor, pas kërkesave të operatorëve të telefonisë mobile dhe fikse “Vala” dhe “Ipko”.

Një afat tjetër ishte 15 janari i këtij viti, si data e fundit kur të dy operatorët është dashur të fillojnë me zbatimin e kodit telefonik +383 dhe largimin në tërësi të kodeve ndërkombëtare.

*Hashtag: Pse në Kosovë po shfrytëzohen tri kode telefonike?

Pse në Kosovë po shfrytëzohen tri kode telefonike?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:42 0:00

Pasi operatorët nuk kanë arritur të zbatojnë kodin shtetëror deri më 15 janar, ARKEP-i për të dy operatorët ka shqiptuar masat sanksionuese ekonomike nga 10 mijë euro në muaj.

Kreshnik Gashi thotë se pas fillimit të zbatimit të kodit të ri shtetëror, për Telekomin e Kosovës “Vala”, nuk do të ketë masa sanksionuese.

“Për muajin janar ka marrë gjobën, mirëpo Telekomi i Kosovës nuk do të gjobitet, për shkak se ata e plotësojnë kushtin për largimin e kodeve të huaja në raport me largimin e kodeve të huaja në Republikën e Kosovës. Plani i migrimit, përkatësisht kalimi i plotë në +383 i ka edhe disa elemente tjera teknike, por ato përfundojnë në prapavijë dhe sa i përket qytetarëve, ata nuk do të afektohen nga ky ndryshim”, sqaron Gashi.

Kurse, operatori tjetër telefonik “Ipko”, thotë Gashi, ka filluar zbatimin e kodit shtetëror +383, por që nuk ka larguar tërësisht kodin e Sllovenisë +386, dhe për këtë arsye, thotë ai, gjoba do të vazhdojë.

“Dhe, nuk ka njoftuar me një datë të përcaktuar për largimin e kodit +386 dhe si rezultat për ta do të vazhdojë të vlejë gjoba . Vendimin i ARKEP-it për t’i gjobitur operatorët që nuk i kanë larguar kodet e huaja, bëhet me qëllim që ata të shtyhen që sa më parë ta përfundojnë këtë proces. Në një të ardhme të afërt, do ta rishikojmë këtë vendim dhe në qoftë se nuk ka ndryshime në raport me kalimin e plotë të të gjithë operatorëve në +383 atëherë kjo gjobë edhe mund të rritet”, bën të ditur Gashi.

Në anën tjetër, zyrtarë të telefonisë mobile “Ipko” thonë se kanë filluar përdorimin e kodit të ri qysh në vitin e kaluar, duke migruar tërësisht në +383. Si rezultat i këtij migrimi, të gjithë klientët e telefonisë mobile identifikohen vetëm me kodin e ri shtetëror +383.

Përderisa vetëm thirrjet ndërkombëtare në hyrje klientët mund t’i pranojnë në të dyja kodet paralelisht: 383 edhe në 386.

Edona Zogu, përgjegjëse për marrëdhënie me publikun në këtë kompani, për Radion Evropa e Lirë, thotë se “mbyllja e kodit +386 për thirrjet ndërkombëtare hyrëse në këtë moment do të nënkuptonte afektimin e disa prej klientëve që jetojnë jashtë vendit. Për ne, është e një rëndësie të veçantë që klientët tanë të mbeten të paprekur nga ky proces dhe të qëndrojnë të lidhur me botën” .

Zogu tregon se deri më tani kanë pranuar një gjobë nga autoritetet kompetente.

Ndryshe, në mungesë të kodit telefonik, vetëm Telekomi i Kosovës, që ka shfrytëzuar linjën +377, i ka paguar për shfrytëzim të kodit, 3 milionë euro Telekomit të Monakos, kurse për humbjet komerciale deri në 6 milionë euro. Kostoja e përgjithshme e shkaktuar nga mungesa e kodit telefonik, sipas të dhënave të Qeverisë së Kosovës, i kanë kushtuar humbje vendit deri në më shumë se 200 milionë euro.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG