Pas ndërprerjes së të gjitha shërbimeve të operatorëve të telefonisë mobile serbe “Telenor” dhe “VIP mobile” të cilët që nga pas lufta kanë vepruar, siç është vlerësuar, në mënyrë të pa autorizuar në territorin Kosovës, qytetarët serbë do të mund të shfrytëzojnë një operator serb të licencuar, sipas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel.
Por, autoritetet e telefonisë në Prishtinë, thonë se përveç operatorit të telefonisë mobile serbe, MTS.d.o, në funksion janë edhe dy operatorë tjerë, ai i Telekomit të Kosovës dhe IPKO.
Megjithëkëtë, qytetarët serbë të Kosovës shuarjen e dy operatorëve serbë e kanë parë si të padrejtë pasi, sipas tyre, “tani kanë një operator që vetë nuk e kanë zgjedhur”.
Ivana Markoviq thotë se e pengon pse është e detyruar të shfrytëzojë një rrjet, dhe ka mbetur pa numrin të cilin e ka shfrytëzuar për vite me radhë.
“Nëse nuk mund ta shfrytëzojmë Telenorin dhe VIP, e njëri prej këtyre dy rrjeteve ka qenë imi, pse më duhet pikërisht të zgjedh MTS. Ndoshta nuk më pëlqen. Me nevrikos më shumë kushtëzimi në krejt këtë rrëfim. Më shumë më irriton që për marrëveshjet askush nuk flet hapur, të gjithë ne e marrim vesh në mënyrën më të rëndë, kur na prek, para së gjithash në xhep. Për të gjithë këta operatorë duhet të japim euro, dhe mua kjo aspak nuk më përshtatet”, thotë ajo.
Një marrëveshje për telekomunikacionin e arritur në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, përveç dhënies së kodit telefonik për Kosovën, ka paraparë edhe shuarjen e të gjithë operatorëve, të vlerësuar ilegalë në territorin e Kosovës.
Më 1 maj, dy operatorët serbë pushuan së funksionuari, posaçërisht në veri të vendit, duke krijuar pakënaqësi në mesin e qytetarëve serbë.
Në Kosovë ekzistojnë dy operatorë të licencuar të telefonisë mobile, ai i Telekomit të Kosovës dhe IPKO, me licencë të plotë për operim në të gjithë territorin e Kosovës.
Në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës është dhënë një licencë e përkohshme dhe e kufizuar edhe për operatorin e telefonisë mobile serbe, MTS.d.o.
Operatori serb funksionon në Kosovë si rezultat i marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për telekomunikacion të vitit 2013 e pasuar me planin e veprimit të vitit 2015.
Kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Kreshnik Gashi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se qytetarët serbë përveç operatorit MTS d.o, kanë edhe dy operatorët tjerë në shërbim.
“Rregullimi ekonomik i Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare është i bazuar në parimet e transparencës, trajtimit të barabartë dhe mos diskriminimit të kompanive, por edhe qytetarëve në çfarëdo baze etnike apo në një bazë tjetër. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve që kush dëshiron të përdorë operatorët, ka dy operatorë të licencuar të telefonisë mobile siç është Vala dhe IPKO dhe operatori MTS.d.o, i cili është operator i limituar dhe vetëm në pjesë të caktuara”, thekson Gashi.
Gashi sqaron se në pjesën veriore të Kosovës janë prezent të gjithë këta operatorë, por operatori Vala dhe IPKO nuk ka mbulueshmëri të plotë me gjithë kuadrin e shërbimeve që ka në gjithë atë territor, por se kjo do të rregullohet shumë shpejt.
“Ne jemi duke punuar më këta operatorë që të kenë mundësi që të shtrihen në gjithë pjesët e Kosovës dhe është çështje ditëve kur mbulueshmëria me shërbime të reja 3G dhe 4G të ekzistojë edhe në pjesën veriore të Kosovës për operatorin Vala dhe IPKO”, thotë Gashi.
Ndërkohë, Gashi thotë se operatori MTS.d.o, si operator i kufizuar dhe i përkohshëm, mund të veprojë vetëm në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës dhe nuk është e mundur të shtrihet më tutje.
“Ky operator ka shtrirje në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës që mund të mbulojë diku rreth 15 për qind të territorit të Kosovës, këto pjesë janë të definuara me vendndodhjen e antenave transmetuese të ashtuquajtura stacionet bazë të transmetimit të telefonisë mobile dhe ato janë të përcaktuara në 30 lokacione në gjithë territorin e Kosovës dhe mbulojnë kryesisht pjesët ku është e koncentruar popullata serbe”.
“Në pjesën veriore janë rreth 22 lokacione apo antena dhe 8 antena janë në pjesë të caktuara të Kosovës një pjesë në rrethinë të Gjilanit dhe në Graçanicë”, sqaron Gashi.
Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU) i ndau kodin telefonik +383 Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar.
Thirrja e parë telefonike më këtë kod u realizua në shkurt të këtij viti nga PostTelekomi i Kosovës.
Kodi +383 do të përdoret në tërë territorin e vendit dhe nga të gjithë operatorët e telefonisë mobile dhe fikse, të cilët veprojnë në Republikën e Kosovës, ndërsa kodet aktuale (+377, +386, +381), do të përdoren në mënyrë paralele për një kohë deri në zbatimin e plotë të kodit +383, në mënyrë që qytetarët të mos kenë pengesa në pranimin e thirrjeve hyrëse dhe dalëse.
Ky proces thuhet se do të marrë kohë nga një deri në dy vjet. (REL)