Vetëm rreth pesë metra larg Urës së Ibrit në Mitrovicë, pamja e lumit dhe urës po rikrijohej mbi një pëlhurë nga të rinj shqiptarë e serbë. Me pjesëza letre të mbuluara me ngjyra e shkronja, të prera nga gazeta të vjetra kosovare dhe serbe, këta të rinj po punonin në një kolazh.
Kolazhi i Urës së Ibrit kishte bashkuar pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme etnike me një qëllim:
“Duhet të jemi në paqe, të jemi më të lidhur... të jemi të bashkuar të gjithë”, shprehet Millica Jankoviq, studente e aktrimit nga Beogradi.
Kolegu i saj Llazar Nikolliq, student i artit, pajtohet me të dhe shton se iniciativa për krijimin e këtij kolazhi ka qenë “një sukses i madh, ka ende shumë fëmijë që po na ndihmojnë”.
Krijimi i këtij kolazhi ishte një ndër aktivitetet e shumta që u zhvilluan të enjten në Mitrovicë, ku u mbajt për herë të parë Festivali i Kafesë me moton “Kojshi, hajde n’kafe”.
Por, përveç kuponëve të shpërndarë për kafe falas, këndi i artit i tërhoqi shumë prindër me fëmijët e tyre.
“Është hera e parë që po shoh diçka të tillë në qytet dhe kisha qejf t’i sjell pak fëmijët. Kisha qejf që ata të shoqërohen edhe me fëmijë nga komunitetet e tjera”, u shpreh Kujtime Pllana - Azemi, mitrovicase që kishte ardhur me dy fëmijët e saj në festival.
Fryma e socializimit mes komuniteteve të ndryshme etnike u ndie edhe nga Mimoza Voca, pjesëmarrëse në këtë ngjarje. Por, ajo shton se kjo ngjarje e ka vënë në kontakt atë edhe me shtetas të huaj.
“Kam pasur kontakt [me pjesëtarë të komuniteteve të tjera] edhe më herët. Mirëpo, meqë sot është festivali, kam parë që ka edhe pjesëmarrës nga vendet e tjera. Një vizitori nga Zvicra i pëlqeu shumë dhe madje tha se kjo ngjarje e ka zbukuruar vendin”, tha Voca.
Festivali i Kafesë nisi të enjten në orën 10:00 të mëngjesit, me aktivitete të ndryshme përgjatë 12 orëve vijuese.
Qëllimi i këtij festivali, sipas organizatorëve, ishte bashkimi i qytetarëve nga dy anët e qytetit afër Urës së Ibrit, që ndan Mitrovicën e Jugut me atë të Veriut.
“Këto ngjarje janë të rëndësisë së veçantë sepse u mundësojnë njerëzve të jenë të lirë të njohin njëri-tjetrin, të njohin brengat e tyre, por dhe të përbashkëtat... Sepse kemi më shumë të përbashkëta sesa gjëra që na ndajnë”, u shpreh Afërdita Sylaj-Shehu, drejtoreshë ekzekutive e organizatës për Ndërtim të Komunitetit në Mitrovicë (CBM).
Përveç CBM-së, kjo ngjarje u organizua me ndihmën e Iniciativës së Re Sociale (NSI) dhe Nismës së Rinisë për të Drejtat e Njeriut (YIHR), në mbështetje nga Agjencia për Zhvillim e SHBA-së (USAID).
Menaxheri i projekteve në NSI, Marko Millenkoviq, bëri të ditur se ky festival ishte planifikuar fillimisht për vitin e kaluar, por ishte shtyrë shkaku i pandemisë COVID-19. Tani synohet që festivali të mbahet çdo vit.
“Në duam të dërgojmë një mesazh pozitiv të bashkëpunimit mes komuniteteve – mes shqiptarëve dhe serbëve, por edhe të tjerëve. Këtë vit po marrim shumë mësime, por do ta organizojmë edhe viteve të tjera”, tha Millenkoviq.