Ndërlidhjet

Kujdes i veçantë ndaj fëmijëve gjatë pandemisë


Prishtinë, foto nga arkivi.
Prishtinë, foto nga arkivi.

Profesionistët shëndetësorë për fëmijët këshillojnë prindërit që të jenë të kujdesshëm në atë se si do t’i trajtojnë fëmijët në këtë kohë kur e gjithë bota është përfshirë nga përhapja e koronavirusit të ri që përcillet me sëmundjen, COVID-19.

Institucionet shkollore në Kosovë janë mbyllur nga data 12 mars, pas masave që kishte marrë Qeveria e Kosovës për parandalimin e përhapjes së virusit dhe fëmijët po qëndrojnë në shtëpi.

Mimoza Shahini, psikiatër për fëmijë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë thotë se fëmijët duhet të trajtohen shumë kujdesshëm në këtë periudhë.

“Situata nuk është shumë e këndshme edhe për ne të rriturit. Gjëja e parë me rëndësi është që ne si të rritur ose si prindër kur i ofrohemi fëmijëve, sidomos me informata të cilën duhet të ua japim, t’ua japim sa më të thjesht, sa më të kuptueshme, mundësisht të jetë me një sens pozitiv dhe jo negativ ”, thotë Shahini.

Nëse ka prindër të cilët për arsye të ndryshme nuk janë në gjendje që t’ua shpjegojnë fëmijëve mirë këtë situatë apo nuk kanë përgjigje, atëherë sipas Shahinit, është mirë që të informohen përmes rrjeteve të ndryshme ku po jepen informata lidhur me gjendjen e krijuar.

Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve (KOMF), kërkon nga prindërit, kujdestarët dhe familjet të kenë prioritet mbrojtjen e fëmijëve nga transmetimi i virusit COVID-19 dhe efektet negative psikologjike që mund të vijnë te fëmijët si pasojë e kësaj pandemie.

“Fëmijët mund ta kenë të vështirë të kuptojnë atë çfarë shohin në internet, televizion ose që atë që dëgjojnë nga njerëz të tjerë, kështu që ata mund të jenë veçanërisht të ndjeshëm ndaj ndjenjave të ankthit, stresit dhe mërzitjes. Prandaj KOMF ju bën thirrje juve prindër që të keni një diskutim të hapur dhe mbështetës me fëmijët tuaj, në mënyrë që t'i ndihmoni ata të kuptojnë, të përballojnë dhe madje të japin një kontribut pozitiv për të tjerët”, thuhet në këshillat e kësaj organizate.

*Për të rejat e fundit rreth koronavirusit, përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë

Mimoza Shahini, psikiatër për fëmijë, thotë se fëmijëve duhet shpjeguar të vërtetën në mënyrën më të përshtatshme për moshën që kanë. Shpjegimi, shton ajo, duhet bërë sepse fëmijët do të pyesin edhe vet, pasi që i shikojnë prindërit në shtëpi tërë ditën, një gjë që te disa familje nuk ka ndodhur kurrë më parë.

Prindërit duhet që në bazë të të kuptuarit që ka fëmija, thotë Shahini, t’ia transmetojnë faktin se aktualisht është një situatë që duhet të qëndrohet brenda në shtëpi dhe të kujdesen për shëndetin. Aktivitetet në shtëpi, sipas saj, duhet të bëhen në mënyrë sa më të këndshme për fëmijët.

“Për shembull te larja e duarve ta kthejmë në aktivitet në shtëpi, t’i lajmë duart gjithë së bashku me fëmijët. Pastaj nuk mund t’i shmangemi edhe televizorit ku po ka informata tragjike, sidomos në vendet ku janë prekur shumë dhe fëmijët po dëgjojnë fjalën vdekje, po dëgjojnë fjalën virus, po dëgjojnë fjalë që kur janë të vegjël nuk ua dinë kuptimin dhe çdo prind duhet të ulet dhe të flasë me fëmijët”, thotë ajo.

Prindërit, sipas Shahinit, mund të organizojnë aktivitete e lojëra në shtëpi duke përdorë objekte që kanë në shtëpi apo edhe mjete të riciklueshme, ngase këso lloj aktivitetesh, nënvizon ajo, u nevojitet më së shumti fëmijëve kur qëndrojnë në shtëpi.

Ajo thotë se prindërit duhet të përdorin kohën në mënyrë racionale dhe ta programojnë atë dhe të kujdesen që të gjithë t’i respektojmë në maksimum këshillat që jepen nga Ministria e Shëndetësisë apo institucioneve tjera shëndetësore në këtë kohë të pandemisë.

“E dyta është si të shfrytëzojmë kohën ndërkohë që po rrimë në shtëpi. Fëmijët në ditët e para kanë qenë shumë të ngazëllyer se nuk kanë shkuar në shkollë, por tani po e shohin se çdo ditë duhet qëndruar në shtëpi dhe mbushja e kohës po kthehet në problem edhe për vetë prindërit. Tani disa kanë filluar edhe mësimet online në një pjesë të shkollave po angazhohen para dite, kështu që pasdite të mbahen aktivitete”, thotë Shahini.

Pas gjendjes së krijuar nga përhapja e koronavirusit të ri, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Qeverinë e Kosovës ka filluar zbatimin e mësimit online.

*Video: Përse koronavirusi i “kursen” fëmijët?

Përse koronavirusi i “kursen” fëmijët?
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:18 0:00

Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), ka vazhduar të japë këshilla të vazhdueshme se si të bisedohet me fëmijët në këtë situata të krijuar nga koronavirusi.

“Teksa shohim shumë imazhe shqetësuese në televizion apo në internet, nganjëherë mund të ndihemi sikur kriza është kudo rreth nesh. Fëmijët mund të mos i dallojnë fotografitë në ekran nga realiteti i tyre personal dhe mund të besojnë se janë në rrezik të afërt”.

“Ju mund t’iu ndihmoni fëmijëve tuaj të përballen me stresin duke iu dhënë atyre mundësi për të luajtur dhe për tu relaksuar, kur të jetë e mundur. Mbani rutina dhe orare të rregullta sa më shumë që të mundeni, sidomos para se të flenë apo ndihmojuni të krijojnë rutinë dhe orar të ri në një mjedis të ri”, thuhet në një nga këshillat e UNICEF.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dhënë këshilla se si të ndihmohen fëmijët të përballen me stresin gjatë shpërthimit të koronavirusit.

“Reagimeve të fëmijëve tuaj përgjigjuni në mënyrë mbështetëse, dëgjoni shqetësimet e tyre dhe jepni atyre dashuri shtesë dhe vëmendje”, thuhet në njërën nga këshillat e OBSH-së.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG