Ndërlidhjet

Limaj: S’ka kandidat tjetër, Qeverinë e formon Haradinaj


Limaj: Kosova do ta ketë shpejt Qeverinë
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:07 0:00

Limaj: Kosova do ta ketë shpejt Qeverinë

“Ne e kemi një kandidat dhe ai vjen nga ish-opozita. Kandidati ynë ka dalë nga një koalicion i cili ka marrë vota më së shumti në këtë vend”, thotë kryetari i partisë Nisma, Fatmir Limaj, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

“Angazhimi ynë është që ky kandidat të jetë edhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës”, thekson ai.

Në këtë intervistë, Fatmir Limaj flet dhe në lidhje me ofertat që partia e tij, Nisma ka marrë nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Limaj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit. Kur pritet formimi i Kuvendit dhe Qeverisë së re?

Fatmir Limaj: Besoj se tash pas certifikimit të rezultateve fillon lëvizja e afateve ligjore, dhe të gjithë duhet të sillemi sipas afateve ligjore. Natyrisht se tash mbeten 30 ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, që të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe pastaj edhe afati tjetër për mandatarin për të formuar shumicën në Kuvendin e Kosovës.

Kështu që, unë pres brenda këtij muaji me optimizëm do të thosha, nëse nuk kemi telashe rrugës, pres që brenda këtij muaji Kosova t'i ketë institucionet qendrore, pra edhe Kuvendin edhe Qeverinë.

Radio Evropa e Lirë: A ka arritur kandidati i PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj t'i sigurojë votat për formimin e Qeverisë?

Fatmir Limaj: Në respekt të procedurave dhe komunikimit zyrtar, ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe t'i bëjmë hapat ashtu siç duhet dhe siç e kërkon ligji. Nga dita e shtunë është hapur zyrtarisht mundësia për të bërë ftesa për të gjitha grupet politike, për t'i ftuar në partneritet dhe për të marrë përgjegjësi në qeverisjen e ardhshme.

Ka kohë të mjaftueshëm që kandidati ynë t'i zhvillojë këto konsultime dhe bisedime, dhe unë pres që në ditën e konstituimit të Kuvendi, ne ta kemi shumicën parlamentare. Sinjalet janë pozitive dhe pres që kjo të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: Ju, nuk e dini se a i keni apo jo votat e mjaftueshme për të votuar Qeverinë. Zoti Haradinaj ka pohuar se i ka votat?

Fatmir Limaj: Ajo që po them unë është jemi në bisedime. Mendoj që tani në këtë moment nuk do të ishte në rregull që t'i shpalosim të gjitha ato bisedime që janë zhvilluar dhe po zhvillohen. Ajo që mund të them është se nga e shtuna zyrtarisht janë hapur bisedimet, dhe unë pres dhe kam besim të plotë se Kosova do ta ketë shumë shpejt Qeverinë. Ne do ta kemi shumicën dhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës do të jetë zoti Haradinaj.

Radio Evropa e Lirë: LDK-ja ka propozuar që së bashku me AAK-në dhe partinë Nisma të formohet Qeveria e ardhshme, por pa PDK-në. A jeni të gatshëm për këtë opsion?

Fatmir Limaj: Unë e kuptoj, ose me mirë me thënë e mirëkuptoj qëndrimin e LDK-në në raport me Partinë Demokratike, për shkak të kaluarës së tyre. Ajo çka ne sot po punojmë dhe jeni të fokusuar është një gjë, që ky koalicioni i cili ka dalë i pari në zgjedhjet e kaluara, pra në zgjedhjet që lamë pas, ta fitojë mandatarin dhe mandatari ta krijojë Qeverinë.

Ky është fokusi ynë, pra me zotin Haradinaj kryeministër. Ky është angazhimi ynë dhe asgjë tjetër në nuk është në tavolinë tonë apo në prioritet tonë në ketë moment.

Radio Evropa e Lirë: Edhe Lëvizja Vetëvendosje ju ka bërë thirrje publike për bashkëpunim dhe koalicion. Cili është qëndrimi juaj rreth ofertës së Vetëvendosjes?

Fatmir Limaj
Fatmir Limaj

Fatmir Limaj: E njëjta gjë, ne e kemi një kandidat dhe ai vjen nga ish-opozita. Kandidati ynë ka dalë nga një koalicion i cili ka marrë vota më së shumti në këtë vend.

Angazhimi ynë është që ky kandidat të jetë edhe kryeministri i ardhshëm i Kosovës. Të gjithë faktorët politikë në këtë vend duhet ta japin ndihmën e tyre dhe të marrin përgjegjësi dhe të jenë pjesë e këtij partneriteti, që Kosova sa më shpejt ta ketë Qeverinë dhe në krye të Qeverisë të jetë kandidati i cili ka dalë nga koalicioni fitues, zoti Haradinaj.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Limaj, disi nuk po shprehni entuziast për formimin e shpejt të Qeverisë. Cilat janë parashikimet tuaj në rast se nuk do të mund të krijohet Qeveria nga PAN?

Fatmir Limaj: Ne e kemi një sjellje politike që duhet të jemi të kujdesshëm për faktin se ja kemi dhënë autorizimin mandatarit tonë në emër të koalicionit tonë për bashkëbisedimet që i zhvillon, dhe e ka autorizimin e plotë tonin. Prandaj edhe ne nuk dalim një hap para kandidati tonë.

Është kandidati që paraqet qëndrimin në emër të koalicionit. Ai i zhvillon bisedimet në i qëndrojmë mbrapa të gjitha ofertave, angazhimeve që ai bënë për të krijuar shumicën. Natyrisht, ne si partner të tij, ne i ndihmojmë, por zoti Haradinaj është ai që e ka marr autorizimin për t'i udhëhequr këto bisedime dhe mendoj që kompetent për këtë çështje është ai, për faktin se e ka autorizimin.

Ajo që mund të them është se PAN-i do ta ketë Qeverinë dhe nuk shoh ndonjë mundësi tjetër. Nëse i shikoni rezultate zgjedhore, të gjitha këto të çojnë, se nuk ka rrugë tjetër përveç që zoti Haradinaj të jetë kryeministër, dhe nuk isha futur në fushën e spekulimeve tash për tash.

Ne jemi në fazën fillestare të konsultimit dhe fillimit të krijimit të shumicës. Mos harroni se këtij koalicioni nuk i duhen shumë vota për të pasur një shumicë ose një mundësi për të votuar Qeverinë, dhe tani për tani angazhimi ynë është që kjo të ndodhë.

Radio Evropa e Lirë: Nisma për Kosovës si subjekt politike nga zgjedhjet e 11 qershorit ka pasur rritje. Çka mund të ofrojë subjekt juaj në ndryshimet pozitive të vendit?

Fatmir Limaj: Besoj e Nisma do të jetë një vlerë e shtuar. Tashmë ne si subjekt politik jemi etabluar në skenën politike të Kosovës dhe si qëndrim, vizioni ynë është respektuar dhe nga rivalët politikë, po edhe aleatët e dinë mirë që si grup politik ose si parti politike, jemi korrekt me qëndrimet tonë, qoftë në marrëveshje, qoftë në parimet tonë.

Ne i themi gjërat hapur dhe ajo çka Nisma promovon është ndryshimi i plotë në qeverisje. Ne presim një Qeveri reformatore. Ne presim një kryeministër i cili ndryshon mentalitetin qeverisës. Ne presim një Qeveri me ndryshime rrënjësore, ashtu siç presin qytetarët e Kosovës. Ne jemi të bindur që qytetarët e këtij vendi kanë votuar për ndryshimin.

Kryeministri i ardhshëm zoti Haradinaj duhet ta lexojë këtë mesazh edhe jam i bindur se e ka lexuar. Qeveria e tij duhet të paraqet ndryshime, Qeveria e tij duhet të jetë Qeveri reformatore.

Ne si subjekt politik, në ketë Qeveri, pikërisht këtë rol do ta luajmë, të ndodhë ndryshimi i plotë, të ketë një Qeveri reformatore dhe mentaliteti qeverisës të jetë më ndryshe nga ai që ka qenë për tri vitet e kaluar ose më tepër.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG