Emërimin e ish-komandantit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, i dënuar për krime lufte në Kosovë si këshilltar politik i kryeministrit Ramush Haradinaj, nga përfaqësuesit ndërkombëtar dhe ata të shoqërisë civile, po konsiderohet si një akt politik i papranueshëm.
Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se emërimi i Sylejman Selimit si këshilltar politik i kryeministrit, është një raport i papranueshëm si bartëse të institucioneve të Kosovës me viktimat e luftës.
“Meqenëse Sylejman Selimi është dënuar me një aktgjykim të plotfuqishëm për krime lufte, atëherë është krejtësisht e papranueshme që një pozitë e tillë t’i ofrohet dikujt që ka një aktgjykim për krime lufte. Ka pasur reagime kur të dënuarit serb para Tribunalit të Hagës kur janë pritur nga zyrtarë në Serbi, siç është rasti i gjeneralit serb, Vladimir Lazareviq, kur i është ofruar pozita e ligjëruesit në Akademinë Ushtarake, kemi pasur reagime të ashpra me këtë vendim. Kryeministri Haradinaj nuk bën ndonjë dallim prej zyrtarëve të lartë shtetërorë në Serbi, të cilët gjithashtu kanë emëruar gjeneralët e dënuar për krime lufte”, thotë Blakaj.
Gjenerali i pensionuar serb, Vladimir Lazareviq, i dënuar nga Tribunali i Hagës me 14 vjet burgim, për përgjegjësi komanduese për krime të luftës në Kosovë, në vitin 2017, ishte angazhuar si ligjërues në Akademinë Ushtarake në Serbi.
Javën e kaluar, edhe kryeministri Ramush Haradinaj pati deklaruar pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës se “Sylejman Selimi nuk i detyrohet drejtësisë me asgjë”. Sipas Haradinajt, Selimi “është shumë i respektuar nga të gjithë dhe nuk është dikush që ikën nga drejtësia”.
Por, emërimi i ish-komandantit të UÇK-së, Sylejman Selimi në pozitën e këshilltarit politik është kundërshtuar fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se kriminelët e luftës nuk e kanë vendin në Qeverinë e Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, Kosnett iu bëri thirrje liderëve të të gjitha partive të ndalojnë mbështetjen e individëve të tillë. “Një mbështetje e tillë e vë në dyshim angazhimin e Kosovës në sundimin e ligjit”, ka shkruar ambasadori Kosnett.
Të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zyrtarë nga Qeveria e Kosovës nuk kanë dashur t’i komentojnë deklaratat e ambasadorit të Shteteve të bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett.
Në anën tjetër, për avokatin e Sylejman Selimit, Tomë Gashi, kundërshtimet për emërimin e Selimit si këshilltar politik i kryeministrit Haradinaj, konsiderohen të paqëndrueshme.
“Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes ambasadës në Prishtinë, mund të japin vlerësimin e tyre, por kjo nuk qëndron aspak. Sylejman Selimi më shumë mund të konsiderohet si një rast politik i montuar nga struktura e caktuara vendore dhe ndërkombëtare”.
“Sylejman Selimi është dënuar nga një dëshmitar që ka qenë i sëmur psikik me diagnozë të vërtetuar që e ka sjellë vëllai i tij gjatë gjykimit dhe të cilën diagnozë e ka vërtetuar edhe eksperti përkatës. Unë mendoj që ambasadori, nëse dëshiron, mund të dijë fare e lehtë dhe i gjithë rasti ka qenë i montuar dhe ka pasur konotacione politike”, thotë Gashi.
Ai shton se sa i përket aspektit formal ligjor, asnjë ligj në Kosovë nuk e ndalon askënd që të emërojë këshilltar apo të ketë çfarëdo posti nëse në të kaluarën ka pasur e eventualisht raste të ngritura penale.
“Nuk është rasti i parë që dikush me një çështje të tillë mundësisht problematike, të jetë një prej zyrtarëve të Qeverisë”, thotë ai.
Sylejman Selimi ishte shpallur fajtor për një vepër penale të krimeve të luftës kundër popullatës civile nga Gjykata Themelore në Mitrovicë në vitin 2013.
Selimi i ishte dënuar me 6 vjet burgim dhe është liruar me kusht javë më parë, pasi që ka vuajtur dënimin prej më shumë se 5 vjet burgim.
Ish-komandanti i UÇK-së, Sylejman Selimi, të mërkurën është intervistuar në Prishtinë si i dyshuar edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës për krime të luftës.