Ndërlidhjet

Joseph: Vizita e Escobarit dhe Lajçakut, mesazh për partneritetin midis BE-së dhe SHBA-së


Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins.
Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins.

Vizita e përbashkët e diplomatëve të lartë të Bashkimit Evropian dhe SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd ishte e dizajnuar që të tregonte se Uashingtoni dhe Brukseli po punojnë në partneritet të ngushtë dhe se nuk ka hapësirë midis tyre që ndonjëra palë të mund ta përdorë, tha për Radion Evropa e Lirë, Edward P. Joseph, profesor në Universitetin Johns Hopkins në Uashington.

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë kësaj jave vizituan Prishtinën dhe Beogradin.

Profesori Joseph tha se kjo vizitë e përbashkët ishte një përpjekje e qartë për të nxitur rinisjen e dialogut, që ka ngecur pas një sërë ngjarjesh të diskutueshme që ndodhën në vjeshtë.

“Ajo që SHBA-ja dhe BE-ja nuk mund të arrijnë në dialog – në formën siç është i strukturuar aktualisht – është ajo që i duhet Serbisë, Kosovës dhe rajonit: zgjidhja e mosmarrëveshjeve”, tha Joseph.

Gjatë vizitës së tyre, Escobar dhe Lajçak u bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që të rikthehen në tryezën e bisedimeve.

Kosova dhe Serbia kanë zhvilluar rundin e fundit të dialogut në nivel të lartë politik në korrik të vitit 2021, por ky takim midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk prodhoi asnjë rezultat konkret.

Radio Evropa e Lirë: Cila mendoni se është rëndësia për dialogun Kosovë-Serbi e vizitës së përbashkët të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Mirosllav Lajçak dhe të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Gabriel Escobar në Prishtinë dhe Beograd? A e shihni këtë vizitë si një hap përpara që palët të kthehen në tavolinën e negociatave?

Edward P. Joseph: Vizita e përbashkët qartësisht është një përpjekje për të rinisur dialogun që ka ngecur pas një pauze të gjatë dhe një sërë ngjarjesh të diskutueshme që ndodhën në vjeshtë. Ne nuk duhet të harrojmë mosmarrëveshjen për targat e makinave në shtator, që nxiti dislokimin e avionëve luftarakë serbë dhe automjeteve të blinduara – së bashku me një vizitë pranë kufirit të ambasadorit rus ose zhurmën që u shkaktua në Serbi pas dislokimit të koordinuar të policisë në veri, për të arrestuar anëtarët e një rrjeti të krimit të organizuar.

Ne po ashtu nuk duhet të harrojmë se dialogu ka ngecur përpara se të zgjidhej Qeveria Kurti vitin e kaluar. Bisedimet dështuan gjatë Qeverisë së mëparshme të Hotit, jo shumë kohë pasi Marrëveshja e Uashingtonit u nënshkrua në shtator të vitit 2020.

Pra, vizita e Lajçakut dhe Escobarit është një përpjekje e natyrshme për të rinisur procesin, që me sa duket është ndërtuar rreth avancimit të diskutimit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Në Prishtinë, ata thanë garanci në formë beninje për Asociacionin, dhe në Beograd pranuan se ajo për të cilët palët janë pajtuar në dialog, duhet të zbatohet.

Ashtu siç ka bërë SHBA-ja qëkur erdhi administrata Biden, vizita e përbashkët është e dizajnuar për të treguar se Uashingtoni dhe Brukseli po punojnë në partneritet të ngushtë dhe se nuk ka hapësirë midis tyre që ndonjëra palë ta shfrytëzojë.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë ndikimi mund të kenë përpjekjet e përbashkëta të BE-së dhe SHBA-së për rinisjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Edward P. Joseph: Është e rëndësishme të kuptohet se çfarë mund dhe nuk mund të arrijë dialogu, në formën siç është i strukturuar aktualisht. Lajçaku, me mbështetjen e Escobarit, me mjeshtëri zgjidhi krizën për targat në vjeshtë. Palët mund dhe duhet të zgjidhin brenda dialogut çështjet e pazgjidhura për një kohë të gjatë, siç është çështja e personave të zhdukur.

E di nga dora e parë rëndësinë e gjetjes së zgjidhjeve praktike për këto lloje të çështjeve. Në prill të vitit 2012, si zëvendësshef i misionit të OSBE-së në Kosovë, personalisht kam negociuar marrëveshjen midis Beogradit dhe Prishtinës për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Këto ishin zgjedhjet që sollën në pushtet partitë kryesore qeverisëse në Serbi. Të dy palët ishin plotësisht të kënaqura me mënyrën se si OSBE-ja e trajtoi çështjen e zgjedhjeve. Kjo zgjidhje u lejoi serbëve të Kosovës të votonin në mënyrë dinjitoze – pa kompromentuar në asnjë mënyrë pavarësinë apo autoritetin kushtetues të Kosovës. Unë sigurisht shpresoj që serbët e Kosovës do të lejohen sërish të votojnë në zgjedhjet e pranverës, nën kujdesin e OSBE-së.

Pra, janë hapa qartësisht të rëndësishëm, hapa praktikë që dialogu mund të arrijë. Ajo që SHBA-ja dhe BE-ja nuk mund të arrijnë në dialog – në formën siç është i strukturuar aktualisht – është ajo që i duhet Serbisë, Kosovës dhe rajonit: zgjidhja e mosmarrëveshjeve. Arsyeja nuk është diçka kalimtare si politika e brendshme, por diçka më thelbësore: çekuilibrimi i levave të ndikimit midis dy palëve. Vetëm Kosova penalizohet nga mospasja e një zgjidhjeje dhe jo Serbia.

Ne e dimë që çekuilibri në leva është problem për shkak të asaj që thotë dhe bën regjimi i Vuçiqit. Për shembull, në dhjetor, ministri i Jashtëm serb, Sellakoviq deklaroi sërish se “Kosova është sfida kryesore politike dhe ushtarake për Serbinë”. A tingëllon ky si një qëndrim i një qeverie që është e gatshme të negociojë një zgjidhje?

Por, kjo shkon përtej deklaratave. Shikoni veprimet që ndërmerr Beogradi që ta mbajë Kosovën të izoluar ndërkombëtarisht – duke vrapuar nga Irani në Surinami, në Greqi dhe deri në Afrikë.... dhe në forume ndërkombëtare siç është INTERPOL-i. I bën të gjitha këto për ta mbajtur Kosovën të izoluar dhe të dobët.

Për mua ky nuk është një sinjal i një qeverie që po kërkon të negociojë një zgjidhje. Dhe nuk është as shenjë e një shteti të fuqishëm. E kundërta, fushata për çnjohje është shenjë e dobësisë së regjimit. Zyrtarët serbë janë të shqetësuar për humbjen e levave mbi Kosovën, prandaj ata vrapojnë drejt këtyre shteteve, duke u përpjekur që të pengojnë vendimin për njohjen e Prishtinës.

Radio Evropa e Lirë: Sipas jush, cila është zgjidhja e qëndrueshme dhe afatgjate kur bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë?

Edward P. Joseph: Është shumë e qartë. Siç kemi shkruar unë dhe bashkautorët nga Kosova dhe Serbia në raportin e fundit të publikuar nga Johns Hopkins dhe Qendra Wilson, zgjidhja qëndron në zhbërjen e levave të Serbisë mbi Kosovën. Lëvizja e palëve drejt ekuilibrit është ajo që do të hapë derën për një zgjidhje të negociueshme që mbron sovranitetin, integritetin territorial dhe funksionalitetin e brendshëm të Kosovës dhe mbron të drejtat e komunitetit serb të Kosovës.

Raporti ynë është titulluar: “Nga kriza në konvergjencë - Strategjia për të trajtuar paqëndrueshmërinë dhe burimin e saj në Ballkan”. Zgjidhja qëndron në lëvizjen përpara nga katër vendet e NATO-s që nuk e njohin Kosovën: Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania. Njohja e menjëhershme nuk është e nevojshme. Ajo që është e nevojshme është të bëhen hapa siç është futja e Kosovës në Partneritetin për Paqe dhe kthimi në KFOR i trupave spanjolle dhe sllovake. Këto, së bashku me hapa të tjerë konkretë, mund të ketë efekt të shpejtë në dialog dhe të ndihmojnë në avancimin e datës së njohjes së “pashmangshme” greke të Kosovës.

Lëvizja e Kosovës drejt NATO-s heq levat serbe mbi Kosovën, duke bërë të realizueshme një zgjidhje dinjitoze dhe stabilizuese. Një Asociacion i komunave me shumicë serbe domethënës dhe stabilizues, është pjesë shumë e madhe e këtij vizioni.

BE-ja dhe SHBA-ja janë plotësisht të afta që të ndërmjetësojnë një zgjidhje dinjitoze dhe të qëndrueshme sapo njëra palë, Serbia, të mos i ketë në dorë të gjitha levat e ndikimit. Në këtë kontekst do të evoluojnë edhe qëndrimet brenda Serbisë për Kosovën. Pa levat e ndikimit mbi Kosovën, regjimi do të bëjë një llogaritje të re strategjike dhe në fund do të duhet të përballet me pyetjen nëse Serbia është në një linjë me SHBA-në dhe BE-në si një demokraci, në paqe me fqinjët e saj, apo është në linjë me armiqtë e Perëndimit dhe forcat anti-demokratike. Më lejoni të shtoj se një pushtim i mundshëm rus i Ukrainës do të ekspozojë edhe më qartë se ku qëndron aktualisht regjimi i Vuçiqit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG